E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Popullore përuron ambientet e reja në zemër të Tiranës



Duke filluar me një epërsi profesionale aktivitetin e saj në tregun bankar Shqiptar, Banka Popullore duket se ka hyrë tashmë në rrugën e duhur. Vetëm dje në një ceremoni festive Banka Popullore pjesë e Societe Generale Group përuroi ambientet e saj më të reja në shërbim të biznesit dhe qytetarëve në zemër të kryeqytetit, tek Kullat Binjake në qendër të Tiranës. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në ambientet e reja të kësaj banke, morën pjesë drejtues të institucioneve qendrore dhe pushtetit lokal, të Bankës së Shqipërisë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues dhe drejtues të bankave të nivelit të dytë në vend, përfaqësues të bizneseve, klientë të bankës dhe përfaqësues të mediave. Në fjalën përshëndetëse me rastin e kësaj ceremonie, Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Popullore, Henri Maus de Rolley, theksoi veçoritë e funksionimit të dy degëve të reja, të cilat ndonëse të vendosura në të njëjtin mjedis, zhvillojnë një aktivitet në mbështetje të dy kategorive të ndryshme klientësh. Njëra degë është e specializuar për klientët dhe bizneset e vogla, ndërsa tjetra ofron kushte ideale shërbimi për sipërmarrjet e mëdha dhe korporatat. Kjo e dyta përbën dhe risinë që Banka Popullore sjell në tregun bankar shqiptar. Banka Popullore sot ka një numër prej 85 mijë klientësh dhe një rrjet prej 34 degësh, ku më e reja e të cilave ka filluar të funksionojë vetëm pak ditë më parë në rrugën Komuna e Parisit. Ndërkohë, 4 degë të tjera pritet që të hapen në Tiranë dhe 5 të tjera në rrethe brenda vitit 2008. Me rritjen e aktivitetit të saj, Banka Popullore ka shtuar edhe numrin e punonjësve deri në 400 të tillë. Çelja e këtyre degëve bëhet në kuadër të strategjisë afatgjatë të zgjerimit të rrjetit të degëve të Bankës Popullore në të gjithë territorin vendin.

21 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›