Kompanitë lider në tregun e energjisë nga SHBA dhe BE, takim në Tiranë me kryeministrin, Edi Rama

Ka nisur në Tiranë një takim i rëndësishëm që lidhet me tregun e energjisë. Takimi merr rëndësi, po të kihet parasysh se pjesëmarrës janë kompani lider në fushën e energjisë nga SHBA dhe BE. Lajmi është raportuar fillimisht nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili komenton se kompanitë amerikane dhe ato nga vendet e BE-së, janë gati për t’u përfshirë në planin për transformimin e Shqipërisë në eksportues neto të energjisë.
“Pallati i Brigadave, një grup kompanish lider në tregun e energjisë në SHBA dhe BE, me gatishmërinë për t’u përfshirë në zbatimin e planit ambicioz të transformimit të Shqipërisë në eksportues neto të energjisë dhe kampione e Ballkanit për energjinë”, shprehet zoti Rama.
Kryeministri, në fjalën e tij, tha se me projektet që ka në vazhdim Shqipëria, synon të bëhet një vendi eksportues dhe i pavarur energjitikisht.
“Si lojtari më i vogël në këtë sallë, edhe pse më i gjati, ju falënderoj për pjesëmarrjen. Jam i lumtur që ky takim kaq i fuqishëm mbahet në Tiranë. Ju falenderoj që dëshmoni interesin tuaj që së bashku të realizojmë programin e ndryshimit për Shqipërinë, programin e ndryshimit për rajonin. Disa ditë më parë vizitova Presidentin Alijev, dhe me kënaqësi ndjeva interesin e lartë që ka për tu përfshirë në tubacionin Joniano-Adriatik, që mund të jetë një fuqi e madhe energjie për Evropën, që sa më shumë të fitojë një pavarësi nga gazi rus. Me shumë kënaqësi shikoj punën për shndërrimin e TEC-it të Vlorës në një impiant përpunim energjie. Shumë punë po kryhen për energjinë e erës. Por edhe ëndrra e gjatë e hidrocentralit të Skavicës, që do të na japë neve një shtytje të madhe të pavarësisë energjetike. Të gjitha këto tregojnë një potencial konkret për ta shndërruar Shqipërinë, brenda kësaj dekade, në eksportuese energjie. Para disa vitesh na është dashur të marrin në dorë një sistem të falimentuar. Borxhi i OSHEE shkonte në 5% të PBB tonë si shtet. Por të ardhmen e shohim me buzëqeshje”, tha Rama.
/rtsh.al/