E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Peticioni on-line kundër ambasadores amerikane Kim, reagon PS: I nxitur nga Berisha!

Partia Socialiste ka reaguar sot zyrtarisht, lidhur me një petcion on-line kundër ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një takimi në Fier, e ka quajtur “të turpshëm” peticionin on-line kundër ambasadores amerikane. Sipas tij, këto janë lojëra të Sali Berishës, që po nxit anti-amerikanizmin në Partinë Demokratike.

“Këto janë sjellje të trashëguara nga regjimi komunist. Unë jam i ri, por kam pasur mundësinë që të lexoj, nga ato çmenduritë e regjimit, ku ftoheshin masat që të bënin sulme kundër personave të caktuar, dhe natyrshëm kundër rrezikut anglo- amerikan. Në fakt, ky është sulm ndaj një prej ambasadorëve më të mirë që SHBA ka pasur në Shqipëri. Më thoni se me cilin prej ambasadorëve amerikanë Sali Berisha ka pasur një marrëdhënie të mirë?! Nxit gjithë këtë historinë e peticioneve. Ky është një turp. Krijim i një fryme antiamerikane në PD, apo ndonjë kalemxhi që paguhet nga lekët e pista të djalit të Sali Berishës. Janë një turp që i takon ta mbajnë ata. Ne kurrë nuk do të harrojmë se pa mbështetjen e SHBA-ve, Shqipëria rrezikonte edhe ekzistencën e saj si shtet-komb.”, tha Balla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›