E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompanitë ruse “vërshojnë” Maqedoninë

Nga Express më 21 gusht 2011 në ora 11:47

Një numër i madh i kompanive ruse do të investojnë në Maqedoni, ndërsa kushtet e volitshme, të ofruara nga qeveria, mundësojnë shtrirjen e tyre.

Projekti i paralajmëruar për hyrjen e gjigantit "Gazprom", prania e kompanisë së naftës "Lukoil", si dhe kompania farmaceutike "Protek", janë tre investimet kapitale që synojnë të forcohen gjatë viteve të ardhshme, për të dominuar tregun në Maqedoni.

Kompania "Protek" gjatë kësaj jave vendosi gur-themelin për hapjen e fabrikës së saj, një investim fillestar prej 5 milion euro.

Agjencia për tërheqjen e investimeve të huaja ka paralajmëruar se së shpejti pritet hyrja edhe e një kompanie tjetër ruse. Ndërtimtaria dhe patundshmëritë janë destinacioni i radhës i bizneseve ruse, të cilët nga Serbia dhe Mali i Zi pritet të vërshojnë në Maqedoni.

Në këtë grup të bizneseve ruse janë kryesisht milionerë rusë, që kanë përfituar pasuritë nëpërmjet aktiviteteve kriminale dhe se ato janë shtrirë në pjesën e Evropës Juglindore, për të arritur pastrimin e parave përmes investimeve të reja.

Rusia ishte mes vendeve të para që e njohu Republikën e Maqedonisë, edhe atë nën emrin kushtetues. Ajo është një ndër partnerët më të mëdhenj tregtar të Maqedonisë.

Këmbimi tregtar në vitin 2010 arriti 579 milionë dollarë, që është për 12 për qind më shumë se në vitin 2009.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›