Çka ka Mladici?

Të dhënat kundërthënëse pas një operacioni kirurgjik kanë nxitur sërish spekulimet për gjendjen shëndetësore të Ratko Mladicit. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, i akuzuar për krime lufte, sipas të dhënave të avokatit të tij, Milos Saljic, është operuar për hernie diskale, po burime të tjera nuk e konfirmojnë këtë.
Sipas agjencisë holandeze të lajmeve ANP, e cila i referohet avokatit të Mladicit, Branko Lukic, 69 vjeçari u operua me sukses të mërkurën në spitalin Bronovo në Hagë. Sipas Lukicit, ai "mund të dalë të premten nga spitali. Pas ndërhyrjes kirurgjike, Mladici i kishte thënë së shoqes në telefon se gjithçka kishte kaluar mirë.
Tribunali i Hagës për krime lufte, para të cilit do të zhvillohet procesi gjyqësor kundër Mladicit, nuk i ka konfirmuar këto të dhëna. Informacione, në bazë të të cilave ish-udhëheqësi i serbëve është dërguar në një klinikë të Hagës u cilësuan "të gabuara" nga Tribunali. Megjithatë, zëdhënësja e Tribunalit, Nerma Jelaciç la të kuptohet se Mladici mund të jetë operuar në pavijonin mjekësor të burgut hetimor të OKB-së. Në një deklaratë u tha vetëm se i akuzuari nuk ka dalë jashtë kompleksit të burgut në Sheveningen të Holandës.
Për gjendjen shëndetësore të të burgosurve, Tribunali parimisht nuk jep të dhëna. Por zëdhënësja e Tribunalit pranoi që të gjithë të akuzuarve u "jepet trajtimi më i mirë i mundshëm mjekësor, kur kjo është e nevojshme." Mladici 69 vjeçar vetë deklaroi në hapje të procesit të tij publik gjyqësor më 3 qershor, se është një "njeri i sëmurë rëndë".
Prokuroria e Tribunalit kërkoi të mërkurën një përshpejtim të procesit gjyqësor kundër Mladicit. Prokuroria kërkoi një ndarje në dy pjesë të procesit gjyqësor.
Mladici do të përgjigjet më parë për gjenocidin në Srebrenicë dhe në një proces tjetër gjyqësor, ai do të akuzohet për rrethimin e Sarajevës dhe vepra të tjera. Synimi është që "viktimat të gjejnë patjetër drejtësi", thuhet në një kërkesë të kryeprokurorit Serge Brammertz.
Mladiçin e arrestuan në fund të majit, pas 16 vjetësh arrati në Serbi dhe ia dorëzuan Tribunalit të Hagës për Krime Lufte. Ish-gjeneralin e serbëve të Bosnjës e akuzojnë në 11 pika për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Këto akte ai i ka kryer në vitet 1992 deri 1995, thotë akuza. Numri i viktimave është rreth 100 mijë vetë.