E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompasi kritik konfliktual

Nuk ka ndodhur ndonjëherë që Kryeministri ynë, qysh kur u fut në jetën politike aktive të shfaqet nëpër ekrane me stetoskop ne qafe, cka do te perputhej fare mire me nostalgjine per profesionin e tij të vjetër të mjekut. Përkundër kësaj. ka ndodhur që të dalë me kompas në dorë, duke e rrotulluar si miniaturë e piruetave politike që ai bën në çdo kohë, si në planin partiak, si në atë shtetëror dhe si në fushën e marrëdhënieve me botën e jashtme. Por, të kuptohemi, kjo nuk tregon kudo e në çdo kohë mençuri drejtimi dhe aftësi orientimi për të udhëhequr një vend të vogël e të pazhvilluar si ky yni në mes të Europës. Sidomos, kur këtij vendi ‘i ka mbirë’ një lider i tipit primitiv në raport me kohët moderne ku jetojmë, të cilit erërat e ndryshme që fryjnë ia marrin mendtë. Aq sa fqinjëve t’u shesë apo t’u falë edhe sipërfaqe të tëra ujore, jo pak, por plot 354 kilometra katrorë, që tradicionalisht i kanë takuar dhe aktualisht i përkasin Shqipërisë. Aq sa me veprimet e veta të bëhet edhe burim konfliktesh të rrezikshme, jo vetëm midis shtresave shoqërore brenda vendit të vet, por edhe me shtetet e tjera përreth, më të fuqishme ekonomikisht dhe më autoritare në politikën rajonale, madje edhe në atë botërore. *** Por, në rastin e Marrëveshjes me qeverinë greke për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave detare që u përkasin të dyja vendeve tona në bazë të së drejtës ndërkombëtare, Berisha pas firmosjes së saj me homologun grek, Karamanlis, publikisht ia la kompasin në dorë një ushtaraku. Me sa duket, intuita makiaveliste e shtyu që kësaj radhe ta largonte nga vetja këtë armë të preferuar të tij, që nëse era e tradhtisë me firmosjen e kësaj Marrëveshje do të kutërbonte dhe shponte hundët e çdo shqiptari, atëherë më mirë t’i mbetej përgjegjësia në derë atij oficerit të marinës, që tani kapardiset me gradën e shpërblyer të gjeneralit. E gjithë historia e kësaj Marrëveshjeje, tek e fundit rikonfirmoi edhe një herë prirjen e Qeverisë shqiptare, dhe sidomos të kreut të saj, për të luajtur me faktorin e faktit të kryer, për të mos iu zënë dora as gjatë firmosjes së akteve të rëndësishme juridike, që mund të passjellin pasoja dramatike në dëm të vendit dhe popullit tonë. E pra, shumëkush e kupton që kjo Marrëveshje e fundit me Greqinë nuk është një akt i zakonshëm. Dhe, kur shkruhet ‘sidomos të kreut të saj’, kjo thënie gjen shprehje më konkrete në këtë rast. Sepse, teksti i Marrëveshjes u paraqit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe iu shpërnda anëtarëve të saj një fundjavë, vetëm disa orë përpara se në Tiranë të mbërrinte atë të diel paradite kryeministri i vendit fqinj, axhenda e të cilit këtu ishte e reduktuar në firmosjen e Marrëveshjes dhe fluturimin e tij të menjëhershëm drejt Athinës. Ajo, pavarësisht tekstit konkret të hartuar, një ditë do të lidhej për të përcaktuar një herë e mirë kufijtë detarë dhe rrafshnaltën nënujore (shelfin) kontinentale, në zbatim të Konventës së dalë prej punimeve të Konferencës III të OKB-së për të drejtën ndërkombëtare detare, Konventë e nënshkruar pas shumë e shumë sesionesh, më 1982, në Montego Bay të Xhamajkës. Aq më tepër që ajo është ratifikuar nga Parlamenti shqiptar më 2003 dhe që në ‘të kanë aderuar tashmë pothuajse të gjitha shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke i vlerësuar dispozitat e Konventës si një korpus i veçantë normash zakonore ndërkombëtare, të zbatueshme në të gjitha këto shtete. Por, në rastin e Marrëveshjes qeveritare me Greqinë, tashmë po bëhet e qartë, veçanërisht pas publikimit të një studimi të përgatitur prej ekspertësh të njohur vendas, se problemi qëndron jo aq në pjesën e përgjithshme dhe në anën parimore të nevojës së nënshkrimit të saj (siç duan ta reduktojnë problemin në Ministrinë tonë të Jashtme), se sa në hartimin konkret të këtij dokumenti delikat dhe matjet e bëra me qëllim përfitimi të padrejtë nga fqinjët, duke u përcaktuar koordinata të gabuara. Madje, duke marrë brenda hartës detare të përballjes së brigjeve joniane si pika referimi, disa ishuj ku nuk ka jetë, më saktë, disa shkëmbinj masivë, çka përbën një interpretim të gabuar të një dispozite të vet Konventës së Montego Bay. Problemi u ndërlikua edhe më tej kur kamerat televizive zbuluan përdorimin e hartave greke në duart e ish-komandantit të Flotës sonë Detare Ushtarake, mbi të cilat ai rrotullonte një kompas dhe i cili, sigurisht që nuk mund të mbulonte në as një farë mënyre faktin se i gjithë teksti i Marrëveshjes dhe materialet plotësuese të saj paskëshin qenë hartuar në mënyrë të njëanshme nga ekspertët e vendit fqinj, të mirënjohur në këtë drejtim, si edhe nga Qeveria greke, për t’ia kaluar pastaj ‘copy paste’ palës shqiptare, që t’i firmoste ashtu siç qenë, me dëshirën për të fituar kredo politike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme politike të 28 qershorit, ku do të deformoheshin dramatikisht jo vetëm kufijtë e shtetit tonë, por edhe votat e shqiptarëve. *** Tani Marrëveshja qëndron në tryezat e Kuvendit të ri të Shqipërisë, në pritje për t’u ratifikuar. Vendosmëria e kryeministrit Berisha me sa duket për t’iu përmbajtur angazhimit të marrë nuk është lëkundur aspak, përderisa edhe në mungesë të opozitës politike, deputetët e tij të Komisionit parlamentar të Ligjeve dhe Garancive Kushtetuese e aprovuan këtë akt të turpshëm dhe e përcollën për t’u ratifikuar në seancë plenare. Se çfarë hapash do të ndiqen këtej e tutje, pra nëse do të pritet ardhja në sallën e Kuvendit e deputetëve të opozitës apo jo, kjo është disi e vështirë të përcaktohet qysh tani. Por, e rëndësishme është që të gjithë t’i thërrasim mendjes, që kjo Marrëveshje në gjendjen e hartuar nga pala greke dhe e nënshkruar nga kryeministri shqiptar nuk duhet të hyjë në fuqi, qoftë edhe me koperturën e Montego Bay– t. Sepse, për të evidentuar ndryshimet që kanë ndodhur kudo në botë në fushën e juridiksionit dhe të sovranitetit të shteteve bregdetare, del qartë forcimi, jo tërheqja e tendencës së ‘bregdetizimit’ me Konventën. Dhe, kjo shpjegohet kudo me faktorin politik për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare dhe me faktorin ekonomik për shfrytëzimin e pasurive kombëtare të detit pranë bregut. Prandaj, në këtë kuadër, prej vitesh është bërë imperative, në mos po praktikë e përgjithshme e shteteve, nevoja e rishikimit të legjislacionit në fushën e detit dhe prurja e tij në përputhje me dispozitat përkatëse të Konventës së detit të vitit 1982, që secili vend e bën në përputhje me interesat e veta kombëtare. Na paraqitet tani në Kuvendin e Shqipërisë nga Qeveria e Sali Berishës për t’u ratifikuar një Marrëveshje tërësisht diskriminuese, kur më parë ishte e domosdoshme, veç të tjerash, të punohej për të shpallur zonën e puqur prej 24 miljesh detare për mbrojtjen e interesave të shtetit tonë në fushat e zbatimit të rregullave doganore, fiskale, sanitare dhe të migracionit. Ose, të punohej për krijimin e zonës ekonomike ekskluzive, sipas nenit 57 të Konventës së Montego Bay–t, për të mbrojtur pasuritë biologjike në këtë zonë, kur dihet që problemet për krijimin e këtyre zonave janë komplekse, sidomos për sipërfaqet në detet e mbyllur dhe gjysmë të mbyllur, siç janë Mesdheu, Joni, Adriatiku etj. Mund të vazhdonim me shembuj të tjerë në këtë fushë, por mbase nuk është e nevojshme për ta shtuar pesimizmin e lexuesit, përveçse të theksonim nevojën e përgjithshme të shteteve bregdetare, për zhvillimin progresiv, jo regresiv, të së drejtës ndërkombëtare detare mbi bazën e nocioneve të reja që ka sjellë Konventa e OKB-së për detin e vitit 1982. Këto nocione të shndërruara prej vitesh në norma zakonore u kanë mundësuar pothuajse të gjitha vendeve nënshkruese të Konventës, si shtete bregdetare, që të zhvillojnë e të forcojnë të drejtat e tyre sovrane dhe juridiksionin kombëtar. Përse atëherë, u dashka që Shqipëria të bëjë përjashtim, dhe pikërisht në emer gjoja te kesaj konvente?!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›