E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarizmi nuk lipset të jetë nacionalizëm

Ngatërresat dhe sherrnaja e ditëve të fundit në Ballkanin Perëndimor për çështje të rishkrimit të historisë
kryesisht mes shqiptarësh, mes nesh e grekëve, por edhe mes grekëve, bullgarëve e maqedonasve për enciklopedinë e Akademisë së Maqedonisë (të këtij shteti deledash ende të pa pagëzuar ndërkombëtarisht), nuk e di pse më kujtoi një shkrim të Branko Merxhanit të botuar në vitin 1936, titulluar: “Problemet e shqiptarizmës”. Mesa duket, Ballkani këto ditë, dreqi e di pse, po rrëshqet në nacionalizëm, sepse ballkanikët kanë mbetur të ngujuar në pyllin e historisë, duke kërkuar, bashkë me rrënjët e vetes (identitetin) edhe fqinjët, armiqtë dhe miqtë, origjinën dhe varret, idhujt me dhe pa krena, të vërtetat dhe gënjeshtrat, të ardhmen dhe kombësinë, ikonat dhe hajmalitë, mallkimet dhe rapsoditë…Secili homus ballkanicus kujton se përkatësia e tij kombëtare vetvetiu dhe automatikisht jep superioritet mbi përkatësinë e tjetrit, kushdo qoftë ky, grek, shqiptar, serb, bullgar, kroat, malazez apo maqedonas…Secili pandeh se është më i madh, më i lashtë, më i kulturuar, më sipëror, e natyrisht edhe më i mençur se tjetri, thjesht e vetëm pse i përket aksh kombësie.
Nuk dua të zhytem në këtë zullumtari “shkencore”, sa ballkanike aq edhe primitive, pasi besoj se nuk ia vlen barra qiranë. Kështu, edhe rrake-taket e enciklopedisë së Maqedonisë së fundmi, edhe ngulmimi për tekstet shkollore të “ndryshuara” prej qeverisë greke, edhe libri i një austriaku për Skënderbeun, bashkë me tekstin e fundit të historisë hartuar nga ca jeniçerë partiakë shqiptarë, tek e fundit janë llogje Kavaje, me të cilat, po u more, vetvetiu ke ulur jo vetëm veten, po nivelin e bisedës. Ne jemi këta që jemi e nuk na e ndryshojnë dot as jetën, as dinjitetin, as mendjen, as historinë, as perspektivën, as emrin dhe as fytyrën tekstet dhe maskat. Këto tamtame që bien herë pas here si daullet për ramazan provojnë se Ballkani ka mbetur Ballkan, nëpër qorrsokaket e të cilit në mos do të humbësh toruan dhe arsyen, patjetër do të bëhesh zhyl…Ndaj, pavarësisht nga synimi i të gjithë ballkanikëve për integrim në BE, mesa shihet ky territor vazhdon të ushqehet me grindje, me sherre të vazhdueshme që më pas kthehen në folklor, në mite, pse jo edhe në armë lufte. E për këtë, mjerisht, ndikojnë, si në një martesë gejsh, politikanët dhe profesorët, priftërinjtë e nacionalizmës dhe tregtarët e flamurëve…Ballkani e paska të vështirë të heqë dot dorë nga kacafytjet e ndërsjella edhe për mustaqet e Çelos!...Fjala “integrim” në këto anë nuk shërben as sa një pastë dhëmbësh, ndërsa kuptimi i politikës ka mbetur shtysa genetike si e si të gjendet çasti e rasti i duhur për të hedhur gurë dhe baltë, mallkim dhe vrer, qoftë edhe pa shkak, mbi oborrin, mbi tjegullat e mbi dritaret e shtëpisë së tjetrit…Fatkeqësisht, kështu mund të përkthehet fjala Ballkan e këtë kuptim po merr këto ditë fjala nacionalizëm.
Për të mos qenë pjesë e kësaj mendësie të mbrapshtë dhe primitive, kroatët dhe sllovenët e refuzojnë me përbuzje origjinën e tyre ballkanike, kurse ne, ballkano-jug-perëndimorët e mbetur si dele të zeza jashtë Evropës, këtë sjellje vazhdojmë ta quajmë meritë, lavdi, patriotizëm, nacionalizëm, krenari kombëtare…Krahasuar me ‘izmat’ nacionaliste të të tjerëve, shqiptarizma, për hir të së vërtetës, ndonëse bajraktarizmi tek ne ka pas lulëzuar gjatë, në ngjarjet ballkanike shqiptarizma nuk është bërë dot nacionalizëm, ndaj ka pas qenë më pak agresiv dhe më pak ndikues gjatë shekujve të kaluar…Vetëm se askush nuk e ka shpjeguar dot deri më sot: kjo dukuri, pra kjo pafuqi e shqiptarizmës ka qenë pozitive apo negative, si për ngjizjen e kombit, edhe për autoritetin e tij?…
Por, në këtë shekull shqiptarizma do të forcohet do të ndërgjegjësohet, do të ngjizet, jo vetëm se tani ka dy shtete shqiptarësh, pra jo vetëm ekonomikisht dhe demografikisht (meqë shqiptarët lindin shumë fëmijë), porse tani, te çdo shtet fqinj, faktori shqiptar përditë e më tepër do të jetë përcaktues; nuk do të jetë më në pozitat e “hyzmeqarit”, të refugjatit, të një ardhacaku pa vizë, por të një partneri…Prandaj, është e patolerueshme sjellja prej hyzmeqari e krerëve të sotëm që e kanë lënë Shqipërinë në fund të listës së integrimit në BE, që bëjnë lëshime prej puthadorësh për çështjen e enciklopedisë maqedonase, të varrezave greke, apo ca më keq, për shkeljen e sovranitetit dhe shitjen e kufijve detarë te Greqia…Po të kishim një përfaqësim më dinjitoz shtetëror, nuk do të guxonte Akademia politike e Shkupit të bënte atë që bëri…As Brukseli nuk do të na linte më të fundit…E megjithatë, shembulli i enciklopedisë tregon se paria e Shkupit ndihet seriozisht e kërcënuar nga trysnia në rritje e shqiptarizmës; por nëse qeveritë e Shqipërisë do të tregonin më shumë dinjitet kombëtar, çështja shqiptare nuk do të ishte telendisur e diskriminuar kësisoj…Shqiptarizma, për fat të keq, nuk është në lartësinë e në dinjitetin e duhur! Por, nacionalizmi nuk duhet të jetë streha e shqiptarizmës si reagim, pasi kjo do të bënte edhe më të dobët! Në këto kushte, shqiptarizma duhet riformuluar, duhet europianizuar, pasi ajo nuk forcohet dhe as nuk imponohet duke folklorizuar, duke rrahur gjoksin e çjerrë faqet si për mort, duke djegur flamurët e fqinjëve, as duke hedhur gurë dhe bomba molotov mbi makinat e Eulex-it, as duke i kundërvënë nacionalizmës së fqinjit nacionalizmin tonë, sepse ashtu si dhuna nuk luftohet me dhunë, edhe shovinizmi nuk çrrënjoset me shovinizëm! Koha po punon për ne, ndaj nuk na lejohet të ecim sërish kundër saj! Kemi nevojë për një shqiptarizëm të ri, me fytyrë europiane! Këtë nuk e bën dot një shqiptar i vetëm, as vetëm një katund; në radhë të parë shqiptarizmën e kanë në dorë ata që na përfaqësojnë dhe drejtojnë…
***
Historia e afërt dhe përditshmëria provojnë më së miri, me shumë shembuj kundërshtish dhe absurditetesh se vetëm në Ballkan mund të bëjnë vaki të tilla habira të ububushme, pas të cilave kërkohet që krerët dhe elita intelektuale të ndryshojnë fytyrën, të kaluarën, të sotmen dhe origjinën e tyre jo me ndihmën e ndryshimit të mendësisë ballkanike, duke u europianizuar, por me batuta therëse kundër njëri-tjetrit, me tekste të sajuara historie e enciklopedie, me propagandën e hyrjabyrjes, me autolavde!… Kjo ndodh sepse udhëheqësit ballkanikë vdesin të dëgjojnë së gjalli një këngë folklorike për lavdinë e tyre, të hyjnë e të mbeten në histori me “tekste” shkollash e me folklor, pavarësisht nëse vepra e tyre më së shumti ka folur kundër interesit kombëtar…
Në Kolonjë p.sh, ka pas qenë një bej “karizmatik” që dilte në pazarin e Korçës dhe lëshonte si pa dashje brezin për të provokuar këdo që do të guxonte t’ia shkelte… Medemek, po t’ia shkelte kush brezin, ai do ta vriste “armikun” në vend!...Të njëjtën gjë bëjnë edhe krerët e sotëm të Ballkanit, ata dalin përnatë nëpër TëVëra dhe “lëshojnë brezin” për të na bindur se, derisa askush nuk guxon t’ua shkelë, ata vetëquhen udhëheqës që u vete pas historia! Ata ndjellin dhe yshtin nacionalizmin, sepse vetëm nën hijen e tij mund të sundojnë dhe sfidojnë “me mjete demokratike” standardet e demokracisë. Fakti e shkruan historinë, qoftë edhe i hidhur e jo buzëkuqi apo pudra mbi fytyrën e një prostitute plakë; pra, as interpretimi i së shkuarës, as legjendat, as ideologjitë e aq më pak ambiciet e politikanëve të çastit e të rastit…Por, në Ballkan historia fillon dhe mbaron me atë që është aktualisht në pushtet! Përçori në krye të kopesë mund të shkojë në det të mbytet, pas do t’i vejë e gjithë kopeja… Ashtu si ndoqëm pas Enverin për gjysmë shekulli, po ndjekim sot edhe Saliun, e mesa duket, jo vetëm atë…
Këtë tipar ballkanik na e njohin mirë ndërkombëtarët, që tek e fundit pajtohen me atë “përçor” që ndjekim ne… Për të mbetur në histori, le të kujtojmë se Italia fashiste, edhe pse nuk është një vend ballkanik, për të përligjur sulmin ndaj Greqisë gjeti si sebep një atu tipike ballkanike: vrasjen në kufi të një farë Daut Hoxhe… Sot askush nuk e beson se Italia sulmoi Greqinë për shkak “të vrasjes në kufi një ushtaraku shqiptar”… E pra, megjithatë, “litari i të vdekurit” na ka mbetur për një gjysmë shekulli ne në dorë e në derë, sepse për një të tillë, medemek “sebep historik” të sajuar jo nga ne shqiptarët, Greqia nuk e heq ligjin e luftës me ne, por ama e ka hequr atë me Italinë që e sulmoi. Ky është një shembull tipik që dëshmon se si popujt e Ballkanit vazhdojnë të zihen e të kacafyten edhe për “mustaqet e Çelos”, duke përdorur si justifikim “shkencor” herë shenjat, herë kishat e xhamitë, herë varret e ushtarëve të vrarë si dhe toponiminë, e sidomos folklorin!…Karamanlis, p.sh, në fushatën zgjedhore foli hapur në Selanik për të ashtuquajturin “Vorio-Epir”, sigurisht pas këmbënguljes dhe ngritjes së varreve të ushtarëve grekë në territorin tonë… Kjo, mesa duket është “gjella” që u pëlqen ballkanikëve, në rastin konkret grekëve, prandaj politikanët e Ballkanit, të gjithë njëlloj e për të njëjtin qëllim, cytin dhe shtyjnë zanatçinjtë dhe kuzhinierët e historisë që të sajojnë e të gatuajnë pikërisht këtë gjellë të helmët për popujt e tyre… Ndaj, edhe në Maqedoni, akademikët e Shkupit gatuan pikërisht atë “ushqim” antishqiptar që u pat kërkuar kryeministri Gruevski; edhe hartuesit e tekstit të historisë në Tiranë gatuan pikërisht atë “çorbë” që e pëlqen kryeministri Berisha; edhe grekët hartojnë harta dhe tekste për Vorio-Epirin për hir të Karamanlisit; edhe serbët këndojnë folklor dhe vishen si çetnikë sa herë bëjnë tubime nacionaliste në kufi të Kosovës, madje edhe në OKB, sepse këtë e pëlqen Koshtunica…
***
Një popull, si edhe çdo njeri i gjallë, nuk poshtërohet dot nga një enciklopedi e shpifur maqedonase, madje as nga Akademia e serbit. Nuk e ndryshojnë dot historinë e viteve të fundit, as hosanarat e tre nëpunësve-historianë për Berishën dhe për PD-në të ndërkallura në tekstin e historisë; nuk na e marrin dot as Skënderbeun, dhe as Nënë Terezën, madje as nuk i deformojnë dhe shfytyrojnë dot emrat e heronjve dhe të dëshmorëve të kombit ca shkarrashkrues të çfarëdollojshëm e të çfarëdokohshëm. Në fund të fundit, të gjitha këto sajohen për të tërhequr vëmendjen e kopesë…
Viti 1997 do të mbetet viti i marrëzisë dhe i përgjegjësisë historike të atyre që drejtonin vendin, pavarësisht nëse ca “historianë” e quajnë atë një “rebelim komunist” për të shfajësuar Berishën e asaj kohe. Këta nëpunës të instituteve janë aq mendjeshkurtër, sa edhe po të ketë pas qenë 1997-ta vërtet një “rebelim komunist”, kjo asesi nuk i shfajëson ata që drejtonin vendin, përkundrazi, i ngarkon edhe më shumë me përgjegjësi që lejuan këtë “rebelim komunist”. Popujt e Ballkanit janë të destinuar të bashkëjetojnë, sepse integrim do të thotë më së pari të bashkëjetosh në paqe dhe me mirëkuptim. Ndaj falsifikimi i historisë nuk është si falsifikimi i monedhave që e pëson përherë më i fundit, d.m.th, ai që kapet me monedha false, atij që i mbetet në dorë falsifikimi; kurse në histori, si në çdo shkencë, falsifikimi ndëshkon rëndë atë që e krijon, atë që e prodhon!
Këto ditë ka dalë në Tiranë një libër, ku që në faqe të parë thuhet se ne shqiptarët i paskemi dhënë Turqisë mbi 140 kryevezirë dhe mbi dyzet kryeministra…Por, analiza e këtij “fakti”, nëse është i vërtetë, nuk na nderon ne shqiptarët, përkundrazi. Kjo e dhënë “historike” tregon dhe provon se ne shqiptarët mund të bëjmë histori dhe mund të drejtojmë shtete jashtë Shqipërisë, pasi brenda saj ne i hamë kokën njëri-tjetrit, e më pas edhe Shqipërisë që mbetet përherë, ndoshta edhe për këtë shkak, e fundit në Ballkan… Të jetë e vërtetë kjo?
Nacionalizmi ballkanik vazhdon të mbetet si një perçe e zezë në sytë e krerëve të sotëm politikë, që nuk vështrojnë dot më larg se hunda e tyre, duke e lënë atë që quhet Ballkan Perëndimor larg BE-së. Kjo po ndodh sot me popujt ballkanikë, dhe këtë të vërtetë të hidhur askush nuk e mohon dot Krerët e sotëm të Serbisë e dinë që nuk e kthejnë dot Kosovën mbrapsht, aty ku ka qenë, jo vetëm se deri tani e kanë njohur 63 shtete, por se aty jetojnë mbi 90% shqiptarë; por kjo ama nuk i pengon ata të dalin me “perçe” edhe para OKB-së, sepse ky ushqim u pëlqen votuesve folklorikë serbë… Edhe Kosova, edhe Serbia, mbeten peng të izolimit, të prapambetjes, humbës të kohës dhe prodhues të palodhur të kufizim-mohimeve që i bëjnë njëri-tjetrit. Por, faturën e “folklorit” nuk e paguajnë krerët, po ata që këndojnë dhe konsumojnë folklor politik, ata që mbajnë iso, të manipuluarit që duartrokasin pa e ditur pse, konsumatorët e nacionalizmës që ushqehen me “bar” dhe lugë të zbrazët…Por, historia nuk ndërtohet dhe as nuk ndryshohet dot me parulla, me folklor, me këngë dhe himne nacionaliste, dhe aq më pak me tekste të sajuara historie. Tentativa të tilla e transformojnë më pas dhimbjen e “kohës së humbur” në një histori qesharake, sidomos kur historia e sajuar shtrembër përdoret enkas për të shfytyruar edhe të sotmen, edhe të ardhmen…
***
Reagimi ynë “nacionalist” ndaj këtyre dukurive atavike dhe arkaike, në të vërtetë nuk e ndriçon dhe as e ngre më lart “çështjen shqiptare”, pasi e hedh dhe e lë atë në një pazar të pamerituar, të ndyrë, për të mos thënë në një pazar Gabi! “Pse s’kemi ne një jetë mendore? - pyet Branko Merxhani në vitin 1936. - Ç’kemi bërë gjer tani për të treguar se filluam të bëjmë një punë të tillë? Pothuaj hiç gjë! Në rrembat t’ona rrjedhin shumë hidhërime dhe helme, gjurma të prishjes, të robërisë, të një tronditje historiko-shoqërore të pakapshme. Është një anarki e cila ka thëthitur të gjithë jetën tonë…Ideale s’kemi …Ku e ka rrënjën e vet kjo e keqe?”
Problemi i shqiptarizmës, mesa shihet nuk është i ri, por as aq i vjetër sa do të mundësonte krijimin e institucioneve të pavarura, qofshin këto edhe akademike, të cilat do të duhej të ishin, si në botën perëndimore, aq të qenësishme sa nuk do të mund të shkërmoqeshin, të nëpërkëmbeshin apo edhe të përkeqeshin sa herë ndërrohen qeveritë, kryeministrat, partitë apo edhe sistemet. Por, në Ballkan, pra edhe në Shqipëri, akademikët emërohen si nëpunës “nga lart”, që do të thotë se ata nuk bëhen të tillë nëpërmjet veprave dhe kontributeve të tyre. Për këtë arsye, jo vetëm politikanët, por fatkeqësisht edhe ajo që quhet elitë intelektuale, profesorët, shkencëtarët, analistët dhe shkrimtarët kanë qenë dhe kanë mbetur shërbëtorë të interesit vetjak, të përfitimit të çastit dhe aspak të interesit kombëtar...Ndaj, nuk kanë as horizont, as vizione, as strategji kombëtare, dhe as nderim jetëgjatë nga popujt e tyre…Lavdinë e gëzojnë sa janë gjallë… Ata, si drurët që mbillen nëpër trotuare, janë dekorativë dhe të përkohshëm.
Një pjesë e tyre, madje, kanë qenë dhe janë të kënaqur me statusin e nëpunësit të lartë, të një rrogëmarrësi që më në fund i ka shpëtuar, falë shërbimeve dhe servilizmit ndaj pushtetit aktual, ankthit të vjetër ballkanik për mbijetesë… Ambicia e tyre “shkencore” shkon deri në këtë cak: kapërcimi i pragut të anonimatit! Edhe pse njohja dhe fama u shkon deri te sinoret e një katundi të madh, ata prapë se prapë ndjehen të lumtur e të kënaqur që dolën nga hiçllëku. Për këtë shkak, ndikimi i tyre në shoqëri është i mangët, i vakët, i përkohshëm, konjukturor, pse jo edhe i dëmshëm. Prandaj, ngjan sikur asgjë nuk ka ndryshuar që nga viti 1936 e këtej kur Branko Merxhani shkruante:
“Mua më duket se kjo gjendje e vajtuarëshme rrjedh nga dy shkaqe kryesore: Shkak temperamenti dhe shkak edukata...Egoizma intelektuale! Njerëzit tonë nuk janë të formuar ende mirë nga pikëpamja e karakterit intelektual. Nuk kanë një jetë mendore të sinqertë një herë për vehten e vet. Çdo njeri prej nesh zbret në tokën shqiptare drejt për së drejti nga qielli. Buja është mjeshtëria e jonë. Shkencën e urrejmë. Për sisteme s’kemi nevojë!...Oh! Sisteme do të bëjmë edhe ne?… Do të krijohet një krizë e tmerrshme iderash në tregun t’onë intelektual. Shyqyr Zotit, nuk ka ngjarë deri sot ndonjë katastrofë e këtillë!”…
Ja pra, ku janë e ku duhet t’i kërkojmë ne rrënjët e së keqes!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›