E Shtunë, 31 Tetor 2026

Male dhe fusha...

Si shqiptar, pa pretenduar se jam ndonjë atdhetar dhe patriot me zhurmë shumë, edhe mua dhe gjithkujt që
pretendon se është i tillë, na pëlqen thirrja dhe ovacioni i shprehur së shumti nëpër stadiumet tona kur ka ndeshje ndërkombëtare: “O sa mirë me ken’ shqiptar!...”, dhe sidomos kur mbajnë dhe një të madh flamur kombëtar që valëvitet mrekullisht...
Veçse, e vetmja vërejtje që kemi dhe që pretendojmë të na e pranojnë me dorën në zemër disa nga atdhetarët tanë që kanë zë më të fortë se ne të këtushmit për të thirrur këtë thirrje madhështore, është të bëjnë dallimin mes nesh që e kemi zërin mbase më të dobët, por dashurinë për atdheun të paktën jo më të vogël se ata, me disa të tjerë që shtiren. Pos kësaj, lusim që të mos ketë mes tyre shumë atdhetarë mynafikë, që ndërsa thërrasin kështu kaq bukur e me ovacion të plotë këtu ku jemi ne, kur shkojnë nëpër viset e huaja perëndimore ku jetojnë dhe punojnë, jo vetëm që bëjnë “të pabëra”, d.m.th., lloj-lloj trafiqesh e paudhësish që nxijnë dhe emrin tonë si shqiptarë të urtë të këtyre vendeve, e që mezi po nxjerrim ndonjë pasaportë biometrike me viza në pritje, por edhe nuk rrëfejnë kombësinë e tyre kur i pyesin perëndimorët, por hiqen si sllovenë, bullgarë e kroatë...Qofshin sa më pak këta...
Prandaj, lidhur me këtë dhe me enciklopedinë e parë maqedonase, ndonëse pa e lexuar, nuk e di nëse u indinjova më shumë a më pak se shqiptarët e tjerë atdhetarë kur dëgjova citimet e gazetarëve dhe opinionistëve tanë televizivë nga ky botim dalë së fundmi, e ku thuheshin të paqena për ne pasardhësit e ilirëve, por një gjë është e sigurt: S’u ndjeva aspak mirë dhe vështrimi po më turbullohej prej inatit... Pastaj, dëgjova Kim Mehmetin, për fjalën dhe veprën e të cilit kam shumë respekt, që fliste me indinjatë për këtë enciklopedi të parë, dhe që qe i mendimit se duhej djegur publikisht. Ja edhe Majko, me atë mendimin e djegieve të flamurit qe. S’qeshë dhe aq dakord me mendimin e tyre, që këto duheshin djegur me patjetër publikisht apo fshehurazi, pasi në përgjithësi djegiet e librave, flamujve, e simboleve s’më përqasin jo vetëm ndonjë ndjesi paqësore, por as demokratike dhe civilizuese. Megjithatë, mirëkuptohej që qe në zemërim e sipër thënia e tyre për djegie. Për vete do zgjidhja jo djegien e enciklopedive me sajesa dhe deformime, por do përpiqesha të bëja një kotec pulash me një duzinë prej tyre, ndonëse mund të jetë relativisht pak e shtrenjtë enciklopedia, por ama e zëvendëson tullën më së miri. Dhe, sidomos tani që po afrojnë shirat dhe ngricat, do ngjiteshin fletët aq mirë, sa më lehtë do hapeshin fletët e tullës së vërtetë se sa të enciklopedisë...
Pastaj, sikur ndjeva një lehtësim kur dëgjova se maqedonasit e enciklopedisë do bënin ca korrigjime për pjesët ku na lyenin me cërne. Po edhe në ndodhtë kjo, provokimi u kry; mandej urojmë që ky premtimi i korrigjimit të enciklopedisë në botimin e dytë të mos bëhet në ca kopje sa për sy e faqe e për qetësim situate ndaj të lënduarve, e ndërkohë të shpërndahet ajo e para...
Njëherazi, duhet thënë se dhe maqedonas ka sa të duash që jetojnë nëpër lartësira. Ja, më ra rasti që para do vitesh të bëja një ditë plazh buzë Prespës së Vogël në Liqenas, një vend mrekulli, ku jeton minoritet maqedonas, që sa njoh dhe takoj aty kur shkoj janë shumë mikpritës, punëtorë dhe të dashur. Ne të zonës së rrëzës së Moravës kemi shkëmbyer dhe krushqira me ta. Ishim gjithsej nja 10-15 vetë buzë plazhit të vogël të improvizuar buzë liqenit. Sa u zhveshëm e po bëheshim gati të futeshim për t’u larë sadopak në ujin e liqenit për herë të parë aty nga ora 11 e paradites, kur nja dy-tre gra maqedonase të minoritetit, me shami koke të zbukuruara me lule e trëndafila të bukur, duke folur në gjuhën e tyre me zë të lartë, shkojnë e fusin nja 15-20 lopë për të pirë ujë, mu para nesh “plazhistëve” që kishim bërë gjithë atë rrugë për të shkuar deri aty. Pjesa në bregliqen aty ku plazhonim ne është si kum, dhe le të imagjinohet se ç’batak e turbullirë u bë aty pas harbimit të kafshëve të rënda siç janë lopët, që disa filluan t’i hidheshin dhe njëra tjetrës kot, në shpinë pa ndonjë arsye të kuptueshme. Qe e pamundur të laheshe gjithë ditën se nuk kullohej më uji. U vërtitëm dhe u vërtitëm në ca lokale përreth, dhe u kthyem mbrapsht nga erdhëm. Të vinte inat më tepër se vende të tjera kishte sa të duash shumë më tutje për të shuar etjen bagëtia...
E ç’t’u thuash atyre grave maqedonase me lopë?! Që donin të na sabotonin plazhin me qëllim se ne qemë shqiptarë? Apo se qenë nga malet? Apo se gjithë kjo qe për hir të fanatizmit se s’donin “lakuriqa” në vendin e tyre? Apo për hir të inatit, se, meqë nuk mundeshin të bënin plazh për vete për kushedi se çfarë arsye, nuk donin që as ne të mos pllaquriteshim në Prespë...Mundet që asnjë të mos jetë e vërtetë nga këto supozime. Ato thjesht e kishin mendjen të shuanin etjen e lopëve, pa na vënë re ne “kafshët” humane...
Dola në ballkon në meditim e sipër për të marrë ca ajër të ndotur. Se si më shkuan sytë nga malet dhe kodrat tutje nga Dajti. Ka ca kohë që po i shoh që më shkojnë sytë ca si tepër nga malet, dhe po i shoh me zili dhe admirim. M’u kujtua thënia e enciklopedisë së cituar nga tv-të tona, që sikur kemi zbritur nga malet. Mua personalisht sikur më dogji pak kjo, sepse disa nga paraardhësit e mi vërtet kanë zbritur nga malet nëpër fusha dhe rrëza. Ca të tjerë paraardhës janë ngjitur nga fushat në male, për hir të punëve të ndryshme që patën...
Po ç’të keqe ka dhe nëse kanë zbritur nga malet paraardhësit e mi njëherë e një kohë?!...Këtë s’e kuptoj. Ku ka si mali? Bën një shtëpi të vogël me trungje aty dhe je “mbret”. Ajri i pastër të mbush mushkëritë e të shton jetën, i thua “lanet” pluhurit të metropolit dhe të fushës njëherë e përgjithmonë. Yjet si në pëllëmbë të dorës, dhe jo si në qytet që shikon vetëm hënën. Për komshinj mund të kesh ca ujq, lepuj, ndonjë dhelpër a ari, por kafshët sado të egra të jenë, fillojnë e të kuptojnë dhe bëhen miqësore kur jeton mes tyre dhe s’u bie më qafë vend e pa vend. Mban ndonjë çifte me leje nga fushat për vetëmbrojtje a pak gjah, dhe ndonjë qen të mirë, që e ke mik shumë më të mirë dhe besnik se mjaft nga ata që i konsideron shokë e miq në qytet. Për korrent ve një gjenerator në zgavrën e ndonjë lisi a ahu, dhe s’ke punë as me KESH dhe OSSH. Televizor sheh sa të duash. Politikanët në televizor vetëm i sheh dhe në fushë dhe mal. Sa herë shoh politikanë në televizor, meqë janë treguar më të sinqertët në botë këtu tek ne se kanë thënë prej kohësh me gojën e tyre se na gënjejnë, personalisht sa herë flasin dhe ftohen në studio, fjalët e tyre përherë dhe kushdoqoftë i dëgjoj pak a shumë kështu: “Asdcfnbd df u vfabv safcsdfc npbjfbvp ds i kdvdcv dfv;’g,nbgf’[n iefov ev dvfpoojfb fovfohbv e dhe cdeiie brr...” Nga politikanet femra preferoj të shoh vetëm znj.Jozefina, sepse ke ç’sheh, ka mjaft paraqitje, seriozitet burrneshe, dhe vishet shumë me gusto. Në shtëpinë e malit kënaqesh duke e parë...
Ujin e ke të pastër qelibar aty në mal, e s’ke frikë për ndotje dhe viruse si në çezmat tona nëpër metropolin e fushave. Kur vjen vera, bën plazh për shtatë palë qejfe buzë ndonjë rezervuari të vogël përroi me ujë të kulluar. S’ke punë fare as me det të ndotur e mbeturina gjithandej urbane, as me pronarë rëre dhe shezlongjesh të pacipë. Natën fle si qengj, se nuk je në pallatin e fushës, ku ke poshtë lokale e pub-e që të hedhin tërë natën pupthi me gjithë shtrat nëpër dhomë nga tronditja e zhurmës së tmerrshme (muzikës) dhe lajthitjes së decibajve...
Për punë? Nuk të le mali pa gjë, është bujar mali. Më bujar se fushat, se në fusha s’të lenë militantët e partive të punësohesh...Aty në mal s’ke as militantë, as simpatizantë, as njerëz që vriten dhe hasmërohen për një pëllëmbë tokë në fushë, as të fortë e cuba lagjesh, as zaptues pronash të të tjerëve që presin gjithë qejf legalizimet. Është fisnik mali...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›