E Diel, 1 Nëntor 2026

Karagjozi i “Vatrës”, ose sahati i mbetur i diasporës

Një miku im nga Nju Jorku më shkruan këto ditë se shoqata panamerikane “Vatra”, e pikërisht kryetari i saj zoti Agim Karagjozi, po përgatiten seriozisht për darkën solemne që do të shtrohet me rastin e vajtjes së delegacionit tonë në OKB.
Ja teksti i pacensuruar i e-mailit në fjalë:
“Ne këtej po u japim dorën e fundit përgatitjeve për të pritur delegacionin qeveritar me në krye Berishën, që vjen këto ditë në New York. Madje “Vatra”, si shoqatë e djathtë që është, do të organizojë një darkë madhështore”.
E keqja është se na del një problem i vockël me tekstin e fjalimit të z.Karagjozi. Ky i ziu ka tetëmbëdhjetë vjet që në çdo sebep lexon të njëjtin fjalim, i cili mbyllet me thirrjen: “Rroftë e djathta, poshtë e majta!” Mirëpo kësaj radhe e ka pisk. Sipas protokollit, Karagjozit të ‘Vatrës’ i takon të rrijë në mes të Saliut dhe Ilir Metës. Akoma s’e ka gjetur se cila do të jetë thirrja e mbylljes së fjalimit. Ndoshta mund të gjendet një zgjidhje e përafërt, si për shembull: “Rroftë e djathta, poshtë gjysma e së majtës!”…
Po ju rrini pa merak se, sidoqoftë, ne do të bëjmë si do të bëjmë dhe do ta gjejmë një zgjidhje”…
Sigurisht që ne këtej nga Shqipëria jo se kemi shumë merak, kemi halle e mbihalle, po nuk mërzitemi fare e nuk na bie hiç në mend se ç’do të bëjë “Vatra” dhe ky zoti Karagjozi për nder të delegacionit tonë kryeqeveritar. Sepse kemi të tjera probleme që na hanë shpirtin, por edhe pse, nëse në kohën e diktaturës shqiptarët kishin ndonjë iluzion për diasporën historike, dhe më pas, pas përmbysjes së komunizmit, patën shpresa të mëdha për kthimin e tyre në Shqipëri me investime, sigurisht jo vetëm materiale, po edhe intelektuale, pas afro 20 vjetësh të hapjes mundësitë e saj (të diasporës së vjetër antikomuniste) për të qenë një aktor ndikues e përcaktues në zhvillimet e shoqërisë shqiptare, mund të thuhet se janë vdjerur e shkërmoqur plotësisht.
Analiza me një sy të vëmendshëm e kësaj dukurie mund të dallojë lehtë se diaspora jonë, sidomos ajo e SHBA-ve, tek e cila patëm ngritur shpresa dhe iluzione, ngaqë në të vërtetë ka qenë diaspora më e organizuar, që ka luajtur role vendimtare në çështjen dhe në historinë tonë kombëtare, çuditërisht, pas vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri, dëshmoi se ishte diaspora më e dobët dhe më e drobitur e Ballkanit; se aktualisht ajo është më e çorganizuar, më e flashkët, më e plakur dhe më e padobishme se çdo diasporë tjetër; ndaj ndikimi i saj në Shqipëri, po edhe në botën amerikane, për të lobuar e ndikuar te qeveria amerikane, sa vjen e bëhet më i cungët, pasi asaj, mesa duket, i ka mbetur ora në luftën e dytë botërore dhe për këtë shkak Shqipërinë vazhdon ta kundrojë dhe ta gjykojë me syzet e miopit, të një sklerotiku të pashërueshëm që jeton me mendësinë e ndarjes së kahershme të kohës së luftës së ftohtë: ballistë -partizanë, veriorë-jugorë, komunistë-antikomunistë, fetarë-afetarë…Sepse, mjerisht, pas Nolit dhe pas Konicës, diaspora jonë ka mbetur në duart e Karagjozëve!
Diaspora e vjetër nuk pati as energjinë dhe as dëshirën të priste dhe të organizonte dyndjen e madhe të shqiptarëve të ardhur nga mëmëdheu, si kanë vepruar dhe vazhdojnë të bëjnë të gjitha diasporat me ndërgjegje dhe me përgjegjësi kombëtare. Vatra sa vjen e po bëhet, nga një shoqata më e rëndësishme e botës shqiptare, një vatër kuzhinierësh për të shtruar darka dhe dreka…Pas viteve ‘90–të krerët e diasporës sonë, për fat të keq dëshmuan se ishin të papërgatitur, pa platformë dhe pa vizione se ç’do të bënin pas përmbysjes së komunizmit. Të mefshtë, të përçarë, të hallakatur, të huajtëzuar me atdheun e transformuar nga një tjetër ideologji sunduese ata, pa e kuptuar, kishin këputur lidhjen organike dhe historike me Shqipërinë, ndoshta edhe pse, “njeriu i ri” nuk u ngjante më si një bashkëkombës i dhembshur, por si një monstër e infektuar, së cilës, e vetmja gjë që duhet të bëje, ishte t’i rrije sa më larg…
Do të doja të isha i gabuar në përfundimin tim, teksa guxoj të pohoj se fatkeqësisht ende ka një ndarje si me thikë, ka pra një hendek dhe jo një shkrirje organike të diasporës së vjetër dhe asaj të re të bujtur në SHBA pas viteve ‘90-të. Kam përshtypjen se diaspora e vjetër, në mënyrë qoftë edhe të pavetëdijshme i ka lënë si trashëgim diasporës së re asgjë më shumë se pamundësia jonë tragjike, thuajse genetike, për mosunifikim dhe për mosorganizim të organizuar. Ishte ky mision i pamundur që mbeti pa u realizuar dhe që u thellua edhe më tepër pas rënies së Murit: përçarja dhe jo bashkimi vazhdon, mjerisht, të na vërë në lëvizje e të na shtyjë më shumë prapa se përpara. E jo vetëm dje, kur nuk i kalonim dot kufijtë e vendit e të njëri-tjetrit, por edhe në ditët e sotme, pra edhe këtu, edhe në diasporë ne jemi më shumë të përçarë e të ndarë mes vedi, se të bashkuar. Gjymtyrët e kombit nuk punojnë si një organizëm, po si pjesë këmbimi të markave të ndryshme..
Kështu, sa për të dhënë një shembull, ashtu si në Shqipëri, edhe në SHBA, diaspora e vjetër e kremton festën e Flamurit e ndarë në dy “kampe armiqësore”, si dy nyje që nuk mund të bashkohen… “Ballistët” dhe “legalistët” veç, “komunistët” e ardhur nga Shqipëria pas ‘90-ës veç, njëlloj si në Shqipëri, ku gjysma kremton 28 Nëntorin, gjysma tjetër 29 Nëntorin… Apo mos duhet thënë që kjo ndarje e thiktë është rrjedhojë e ndikimit të diasporës së vjetër mbi politikën e Tiranës, mbi ish-komunistët, të cilët, me këtë veprim absurd të ndarjes e përçarjes për shkak të datave të çlirimit (për minutat kur iku gjermani i fundit!) duan të shtiren e të provojnë për Karagjozët dhe vatranët e currufjepsur se janë antikomunistë të betuar?
E pra, edhe në emigracion përçarja vazhdon të quhet politikë e dobishme, ndaj ne hakatemi të çajmë detin më këmbë, vetë, pa ndihmën e ndonjë Vatre mbarëkombëtare që nuk shikon as kisha, as xhamia, as veri, as jug, as bindje politike, as partira, as po vetëm dhe vetëm interesin kombëtar! Ne i rijmë larg bashkëkombësit, sa më larg tij; ne nuk dimë të luftojmë për të drejtat tona në grup, pasi bashkëjetesa në grup, në komunitet, e ca më pak nën siglën kombëtare, mesa duket ende na tremb, pasi dyshojmë, njëlloj si në diktaturë, se bashkëjetesa na jep më shumë pasiguri se garanci…Të paktën këtë mendësi komuniste lipsej ta kishte thyer e shkulur diaspora e vjetër! Por, në të kundërt, përherë e më tepër do të dëgjosh prej “të vjetërve” të diasporës këshillën e mjerueshme: Nëse do të bësh hajër këtej, mos u ngatërro me shqiptarët, se do të gjesh belanë! Kjo porosi që të jepet nën zë, nën gju, gjoja miqësisht, është “vatra që na bashkon” ne shqiptarët.
Për situatën e këtushme konfliktuale, për vazhdimin e luftës së klasave, për ecjen si breshka në rrugën e demokracisë, për standardet e munguara e të cungëta, natyrisht ka përgjegjësi në radhë të parë klasa e sotme politike, por edhe diaspora, e cila, jo vetëm me mënjanësinë e vet, për të mos thënë edhe me ndikimin më shumë politik se kombëtar, më së tepri ka shtyrë urat e zjarrit e të përçarjes se sa të bashkimit, sigurisht jo vetëm në Shqipëri. Diaspora e vjetër e Karagjozëve vazhdon të kërkojë me këmbëngulje nga klasa politike shembuj, fabula dhe “prova” të luftës së dytë botërore me ballistë e partizanë, që të bindet, medemek, se “e djathta” shqiptare këtu është vërtet “antikomuniste”, kurse e majta ka mbetur vërtet “komuniste”…Ka pra të tillë në diasporë që edhe Thaçin e Kosovës e quajnë komunist, enverist, ndërsa Berishën nacionalist 24 karatësh!…
Për të mos hamendësuar në hava dhe për të folur më konkretisht, le të lexojmë këtë intervistë të dhënë për gazetën “Iliria” me rastin e vizitës së ish-kryeministrit “komunist” Fatos Nano në OKB, i cili qenka pritur nga diaspora e ‘Vatrës’ së Karagjozit me protesta, ndërsa kryeministri “demokrat” Berisha po pritet me darka madhështore…Besoj se intervista e mëposhtme e Karagjozit të ‘Vatrës’ vlen më shumë se përsiatjet e mia rreth diasporës, ndaj nuk është e nevojshme ta komentoj.
“Protestë kundër kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, që do të mbahet sot pasdite para Kombeve të Bashkuara.
Z. Karagjozi, a mund të informoni lexuesin tonë se çfarë qëllimi ka demonstrimi që do të zhvilloni të martën para selisë së Kombeve të Bashkuara?
- Qëllimi i protestës nuk është i fshehur; ne duam të shprehim brengosjen tonë për keqqeverisjen e kryeministrit Nano dhe të qeverisë së paligjshme socialiste, që e ka zhytur Shqipërinë tonë të dashur në një gjendje të pashpresë, në mjerim e korrupsion, ku lundrojnë trafiqet dhe krimi, dhe e ka njollosur emrin e vendit tonë kudo në botë…
-Thuhet se kjo protestë është vepër e një pakice njerëzish, madje herë-herë thuhet se organizatave nacionaliste të emigracionit shqiptar u ka mbetur ora… Edhe kjo protestë e tillë po konsiderohet, si një aktivitet me orë të mbetur dikur…
- Këto janë pallavra të propagandës komuniste që ka për qëllim të minimizojë efektet e këtyre demonstrimeve…
- Ka zëra që flasin se këto protesta janë kundër Shqipërisë, jo thjesht kundër një individi, qoftë dhe një kryeministri me emrin Fatos Nano?
- Kush i beson ato përralla? Ta donin komunistët vendin, nuk e katandisnin në atë gjendje të pashpresë ku e kanë çuar…
- Si e shpjegoni faktin se vetëm shqiptarët po ngrihen në protesta të tilla kundër qeverisë të tyre? Përse nuk ndodh kjo me vende të tjera, qofshin këto nga ish-vendet socialiste?
-E kuptoj fare mirë qëllimin e pyetjes tuaj. Por unë do t’jua kthej përgjigjen me një tjetër pyetje: Pa më tregoni një rast tjetër si i Shqipërisë, kur shteti nuk u del për zot qytetarëve të vet? Më thoni një vend të përafërt me Shqipërinë tonë, ku jetë njerëzish përfundojnë në fund të detit vetëm pse duan të gjejnë një rrugë më të mirë jetese? Më thuaj një vend tjetër si yni, që nuk u del për zot emigrantëve të vet tek fqinjët, si tek Greqia, ku çdo javë kthehen dhjetëra arkivole me trupat e djemve të vdekur? Dhe mos harro se janë ata djem e vajza që punojnë rrugëve të botës, që po mbajnë gjallë ekonominë e atij vendi me të ardhurat që i fitojnë me djersë dhe gjak. Vdes emigranti atje dhe asnjë protestë nga shteti ynë. Më thuaj se në cilin vend fëmijët dhe vajzat shiten si në kohë të rendit skllavopronar? Pse këtë shtet meritojnë shqiptarët? Pa më thoni ju, sa herë kanë akuzuar njëri-tjetrin bashkëpunëtorët e Nanos për vjedhje, pastrime parash në shuma të mëdha, për trafikime dhe përsëri janë ribashkuar e kanë bashkëqeverisur? A ka një vend si Shqipëria ku ka aq shumë vrasje dhe vetëvrasje, ku ka aq shumë krim dhe pasiguri? Ja, këto besoj se janë arsyet se pse protestojmë vetëm ne…”.
Ja që nuk rri dot pa i bërë disa pyetje retorike këtij Karagjozit të nderuar të ‘Vatrës’, i cili sipas zërave nga New Jorku qenka në hall të madh kësaj here për fjalimin që do të mbajë në ceremoninë e pritjes madhështore të Berishës e të Metës. Ndoshta mund ta ndihmoj me këto pyetje, jo që ai të organizojë një protestë tjetër para selisë së OKB-së, po që të marrë mundimin e t’ia thotë në vesh kryeministrit, sigurisht nëse ndjehet ala një patrioti i zjarrtë i diasporës :
- A ka një vend tjetër si Shqipëria që ka kaq shumë krim dhe pasiguri, vrasje dhe vetëvrasje, aq sa për disa sekonda një kriminel vret katër oficerë policie në mes të ditës e në mes të plazhit?
- A ka një vend tjetër ku, pa luftë, dmth në paqe, të hidhet në erë një fshat i tërë dhe të vriten 26 qytetarë e të plagosen qindra të tjerë të pafajshëm dhe të mos guxojë të veprojë Drejtësia dhe të mos i hyjë asnjë gjemb në këmbë qeverisë?
- A ka një vend tjetër ku shpërdorohen për një rrugë, sipas KLSH-së, mbi treqind milionë dollarë e të mos përgjigjet askush? A e di zoti Karagjozi që e quante qeverinë socialiste “qeveri greke”, se në kabinetin e Berishës ka një ministër, i cili para një viti, kur ishte prefekt i Gjirokastrës, ka hedhur në Greqi parulla për copëtimin e Shqipërisë?
E di që nuk ia vlen të shtoj pyetje të tjera, pasi është e padobishme. Është e padobishme pasi kryetari i ‘Vatrës’, zoti Karagjozi, me sa duket nuk e di që ka një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që nuk i ka këputur përfundimisht fijet me Luftën e Ftohtë, me komunizmin, me diktaturën dhe për këtë arsye nuk ka asnjë lidhje me karagjozët, qofshin këta edhe të diasporës!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›