Prangoset banda e grabitësve
GJIROKASTER - Policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me atë të Tepelenës shkatërrojnë një grup grabitësish që ishin shndërruar në makthin e pronarëve të lokaleve në jug të vendit. Të gjithë anëtarët e këtij grupi hajdutësh u arrestuan pak ditë pas vjedhjes së fundit të kryer. Burimet zyrtare nga vendngjarja kanë bërë të ditur se në orët e vona të së shtunës, në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative u arrit të ndaloheshin pesë persona, të cilët rezultuan të ishin pjesë e një grupi vjedhësish të lokaleve kryesisht në Tepelenë. Luan Caca 38 vjeç, Erjon Balliaj 27 vjeç, Jonid Haxhiraj 22 vjeç, Haxhi Salaj 26 vjeç dhe Klodijan Musaraj 28 vjeç, të gjithë nga rrethi i Tepelenës, janë identifikuar si autorët e gjashtë grabitjeve të ndodhura në harkun kohor të 40 ditëve të fundit. Grabitja e parë e tyre për këtë vit është shënuar në Ujin e Ftohtë të Tepelenës, në një lokal ku kanë arritur të grabisin bidonë me raki, mallra ushqimorë etj. Më pas, grabitjet e mirorganizuara mes tyre, kanë vijuar edhe në fshatin Dhëmblan, ku brenda dy ditëve kanë arritur të grabisin tri dyqane. Ndërkohë, dy grabitjet e fundit i kanë kryer këtë muaj në fshatin Nivicë dhe Kalivaç. Sipas burimeve policore, të pesë të ndaluarit vepronin si një grup kriminal i mirorganizuar, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre, përdornin automjetin tip Mercedez Benz me targë TP 19 88 B, në pronësi të shtetasit Luan Caca. Më pas mallrat e vjedhura i fshihnin pjesërisht në lokalin e Cacës, që ndodhet në qendër të qytetit të Tepelenës dhe pjesën tjetër nëpër banesat e tyre sipas ndarjes që planifikonin. Të ndaluarve, policia u ka gjetur dhe u sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një pjesë e të cilave të grabitura. Në lokalin e Cacës janë gjetur dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale katër kallëpe dinamit me peshë 800 gram, si dhe 26 metra fitil zjarrpërcjellës. Kapja e grupit keqbërës është organizuar falë operacionit të koduar “Vjosa”. Policia pasi ka bërë dokumentimin ligjor të grabitjeve të ndodhura nga të ndaluarit, ia ka përcjellë organit të akuzës dosjen për kryerjen e mëtejshme të procedurave. Mbi anëtarët e grupit grabitës rëndon vepra penale e vjedhjes së kryer në bashkëpunim.