E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundjava në Elbasan, tre viktima përgjakin rrugët nacionale

 

Fundjava shënon 3 viktima në rrugët e Elbasanit.  Dy të rinj, kushërinj mes tyre dhe një 50-vjeçar humbën jetën në aksidentet e ndodhura brenda 6 orësh. I pari u regjistrua mbrëmjen e së shtunës, në rrugën nacionale Elbasan-Peqin, ndërsa tjetri në Librazhd-Elbasan. Sipas burimeve të policisë së Elbasanit, rreth orës 04:00 të ditës së djeshme, në afërsi të fshatit Labinot-Fushë, një makinë kishte dalë nga rruga. Dy kushërinjtë, Sazan Muzhaqi, 19 vjeç dhe Albulent Biçaku, 24 vjeç po udhëtonin me një makinë tip “Renault”, me targa të huaja kur dolën nga rruga për të pësuar goditjen fatale. Mësohet se mjeti ishte në një segment tërësisht fushor, kur papritur ka rrëshqitur. Fillimisht, ai është përplasur me një bordurë buzë rrugës, çka e ka devijuar lëvizjen në anën tjetër të saj. Duket se në këtë moment goditja ka qenë vdekjeprurëse për të dy udhëtarët. Kushërinjtë, sipas të dhënave të policisë, kishin qenë në mbrëmje te disa shokë të tyre, në fshatin Hotolisht në Librazhd. Pas mbrëmjes me ta kishin vendosur të ktheheshin në shtëpitë e tyre, në Elbasan, pavarësisht errësirës. Vetëm pak kilometra pa hyrë në qytetin e tyre ndodhi dhe tragjedia. Dy të rinjve fillimisht u kanë ardhur në ndihmë kalimtarë të rastësishëm, por ajo ka rezultuar e kotë. Makina mbi të cilën ndodheshin ata ka qenë e shtypur pa masë dhe për t’i nxjerrë nga karroceria duhej prerë llamarina. Kjo është arritur vetëm pas rreth 1 orë e gjysmë nga aksidenti. Në vendngjarje ka mbërritur policia si dhe specialistë që kanë prerë karrocerinë e makinës dhe më pas dy trupat e të rinjve janë nxjerrë pa jetë për t’u transportuar në morgun e spitalit të Elbasanit. Nga hetimet e para të policisë dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit, Albulent Biçaku. Ekspertët kanë përjashtuar konsumin e pijeve alkoolike prej të rinjve. Vdekja e tyre çoi në 3 brenda pak orëve numrin e viktimave në aksidentet rrugore. Përplasja e dy makinave në segmentin nacionale Elbasan-Peqin mbrëmjen e së shtunës shënoi vdekjen e 50-vjeçarit Ilirjan Osmani. Banori i Lushnjës po udhëtonte me makinën e tij, kur u përplas me një tjetër mjet me targë të Tiranës. Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të komunës Papër. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, policia dyshon se makina e viktimës ka bërë parakalim të gabuar për t’u ndodhur përballë me mjetin tjetër, ku ndodheshin dy persona. Këta të fundit morën plagë, por pa pasoja për jetën. Në të rastet, po punohet për të zbardhur shkaqet e sakta dhe rrethanat që shkaktuan aksidentet me pasoja tragjike.                                 a.k

Viktimat

Ilirjan Osmani 50 vjeç nga Lushnja Sazan Muzhaqi 19 vjeç nga Elbasani Albulent Biçaku 24 vjeç nga Elbasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›