Tirana kthehet në krye të superiores pas 11 javësh
Tirana fiton në Kavajë me Besën (1-3), ndërsa Vllaznia bën një gjysmëhapi fals me barazimin 0-0 me Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta” në javën e 20-të të Kategorisë Superiore. Bardheblutë, falë golave të Xhafës, Agollit e të zakonshmit Memelli (kapiteni Mihani realizoi për Besën), rikthehen në krye të renditjes pas 11 javësh, pikërisht kur duhen edhe dy javë nga mbyllja e fazës së dytë. Për Memellin ky ishte goli i 13-të në 20 javë kampionat, duke dëshmuar edhe njëherë se trajneri Han ka gabuar me mosthirrjen e tij kundër Maltës. Xhafaj shënoi golin e pestë sezonal, ndërsa Agolli të tretin dhe të dytin rresht. Vllaznia barazoi 0-0 me Elbasanin në debutimin me bankinën verdheblu të Faruk Sejdinit. Barazimi i pestë sezonal i Vllaznisë, që tashmë ndodhen në vendin e dytë. Në tri ndeshjet e vitit 2009 shkodranët i kanë provuar të tri rezultatet. Në fund të fazës së dytë do të përcaktohen edhe numrat e ekipeve për fazën e tretë, kështu që mund të ndodhë që në javën e 33-të mund të kemi Tirana-Vllaznia në “Qemal Stafa” e jo Vllaznia-Tirana në “Loro Boriçi”. Dinamo fitoi ngushtësisht 3-2 me Apoloninë në debutimin e trajnerit Shkëlqim Muça, duke i dhënë fund serisë negative prej dy humbjesh e duke ndërprerë serinë prej katër fitoresh rresht të fierakëve. Lushnjari i Dinamos, Fatjon Sefa është heroi i ditës, duke shënuar tri gola (dy asistë të Elis Bakajt), ndërkohë që serbët e Apolonisë, Brkiç e Haxhibuliç hapën dhe mbyllën me golat takimin midis dy ekipeve. Kjo ishte fitorja e dytë sezonale e bluve me Apoloninë (në fazën e parë Dinamo fitoi 2-0) dhe 35-ta në 59 takime historike. Shkumbini fitoi në shtëpi me rezultatin e ngushtë 1-0 me Partizanin, me një gol të shënuar nga Roland Dervishi në minutën e 42-të, por e mbylli takimin me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të mbrojtësit Erald Turdiu. Për Partizanin kjo humbje ndërpreu serinë prej tri fitoresh ndërkohë që Shkumbini realizoi fitoren e dytë sezonale me të kuqtë dhe tani ndodhet në vendin e katërt me 30 pikë. Lushnja mori një pikë të çmuar në Durrës me Teutën, në barazimin 1-1 me formacionin durrsak. Portieri Vashaku i Teutës u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 24-t. Topi (51’) realizoi i pari për Lushnjën, ndërsa Vila barazoi në të 74’ për Teutën. Ky ishte barazimi i 27-të historik në 85 ndeshje midis dy ekipeve. Edhe takimi i fazës së parë kishte mbaruar po 1-1. Bylis e Flamurtari ndanë nga një pikë në barazimin 1-1 në Ballsh. Gentian Muça shënoi për Bylisin, ndërsa Elhan Galica barazoi për Flamurtarin. Edhe takimi i fazës së parë kishte përfunduar në barazim, por pa gola.
Renditja
Skuadra N F B H Gola P
1. TIRANA 20 11 6 3 34-17 39
2. VLLAZNIA 20 11 5 4 29-16 38
3. DINAMO 20 8 8 4 25-18 32
4. SHKUMBINI 20 8 6 6 21-19 30
5. BESA 20 8 5 7 20-22 29
6. TEUTA 20 6 8 6 15-14 26
7. FLAMURTARI 20 6 7 7 15-16 25
8. ELBASANI 20 5 9 6 16-17 24
9. APOLONIA 20 7 3 10 22-28 24
10.PARTIZANI 20 4 7 9 14-21 19
11.LUSHNJA 20 4 6 10 14-24 18
12.BYLIS 20 4 6 10 15-28 18