Qeveria tërhiqet nga “Dosjet”, Gjykata Kushtetuese gati të pezullojë ligjin
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese pritet të mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën e pezullimit të ligjit të Lustracionit. Burime pranë Partisë Socialiste pohuan dje për “Panorama” se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur të mblidhet sot, pasi më parë kryesia e kësaj gjykate, shqyrtimi me tre anëtarë, vendosi ta pranojë kërkesën e socialistëve ndaj ligjit “Për pastërtinë e Figurave të zyrtarëve të lartë”. Ky vendim u mor pasi u shqyrtua baza ligjore e objektit të kësaj kërkese, e cila kërkon një interpretim të kushtetutshmërisë së ligjit të miratuar vetëm me votat e maxhorancës. Gjykata Kushtetuese në nisjen e këtij shqyrtimi merr nxitje dhe nga deklarata e dy ditëve më parë nga Brukseli, i cili i kërkonte asaj shqyrtimin e ligjit para hyrjes së tij në fuqi. Dita e sotme pritet të jetë vendimtare për zbatueshmërinë e këtij ligji, pasi maxhoranca është shprehur se nuk do të ndalet në zbatimin e tij. Gjykata pritet të marrë një vendim të ndërmjetëm, atë të pezullimit të zbatimit të tij, deri në dhënien e vendimit përfundimtar për objektin e kërkesës, që është shpallja e tij antikushtetues. Ditët e fundit kanë qenë të shumta deklaratat dhe reagimet e faktorit ndërkombëtar, i cili ka folur “pa dorashka” në lidhje me këtë ligj. Dy reporterët e Këshillit të Evropës, Uillshir dhe Lakkson gjatë vizitës së tyre në Tiranë, kryesisht për ligjin e Lustracionit, sugjeruan përfshirjen e Komisionit të Venecias në gjykimin e këtij ligji. Por deklaratat e Bashkimit Evropian dhe ambasadorit britanik në Tiranë, kanë tronditur opinionin politik. Ambasadori britanik, gjatë një leksioni në Universitetin e Shkodrës, u shpreh se ligji i Lustracionit bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe zbatimi i një ligji të tillë sjell probleme për demokracinë. “Pasojat e kësaj çështje për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE janë shqetësuese, kur qeveria ka shpallur synimin e saj për të aplikuar për statusin e vendit kandidat”, u shpreh ambasadori britanik në Tiranë Fraser Uilliam. Edhe presidenca çeke e BE-së i tërhoqi vëmendje qeverisë shqiptare. “BE i kërkon qeverisë shqiptare të mbrojë, sigurisht edhe në procesin e Lustracionit, pavarësinë e institucioneve kushtetuese, veçanërisht Gjykatën Kushtetuese, Gjykatat dhe Prokurorinë. BE rekomandon që ligji duhet të pajtohet me kërkesat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, BE konsideron se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e aftë të vendosë mbi kushtetutshmërinë e ligjit, përpara se ai të zbatohet. BE thekson gjithashtu, rëndësinë e sigurimit të një dialogu gjithëpërfshirës politik”, u shpreh Brukseli në deklaratën e tij.
Ankimimet
Në Gjykatën Kushtetuese që prej hyrjes në fuqi të ligjit “Për pastërtinë e figurave” kanë mbërritur katër kërkesa nga subjekte të ndryshme për shpalljen e tij antikushtetues. Të parët që depozituan kërkesën e tyre ishin 35 deputetë të majtë dhe dy të qendrës, PBDNJ, të cilët kërkon shfuqizimin e tij, por më parë pezullimin deri në dhënien e vendimit përfundimtar. Pas socialistëve kërkesa u depozitua dhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata e Prokurorëve dhe Shoqata e Avokatëve të Shqipërisë.
Qeveria çon në Kuvend ngritjen e Institutit
Që prej 22 janarit, në Kuvend kanë mbërritur dy projektligje të miratuara nga qeveria dhe që kanë të bëjnë me ngritjen e Institutit të studimeve të krimeve dhe pasojave të sistemit komunist në Shqipëri, si dhe simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit. Instituti do të analizojë shkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë edhe të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi dhe të atyre që bënë rezistencë kundër këtij regjimi. Bordi i Institutit do të përbëhet nga shtatë anëtarë që do të zgjidhen nga Kuvendi. Anëtarët do të propozohen 3 nga Instituti i të Përndjekurve politikë, një nga Shoqëria Civile, një nga Akademia e Shkencave dhe dy nga Konferenca e rektorëve. Gjithashtu është parashikuar që data 20 shkurt, e cila është dita e rrëzimit të bustit të ish- diktatorit, të jetë “ditë e përkujtimit publik” të viktimave të regjimit të kaluar. “Ngarkohet Këshilli i ministrave të krijojë “Muzeun Kombëtar të Viktimave dhe të Krimeve të komunizmit në Shqipëri””, thuhet në nenin 4 të pr/ligjit.
PS: Krimet e komunizmit nuk dënohen me metoda komuniste
Partia Socialiste deklaroi dje se “krimet e komunizmit nuk dënohen me metoda komuniste”, duke iu referuar kështu ligjit të Lustracionit, i cili u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë pa konsensusin e opozitës. Gjatë një konference për shtyp, anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Saimir Tahiri u shpreh se “Kryeministri Berisha duhet të kuptojë se krimet e komunizmit dënohen duke mbrojtur parimet e vlerat e familjes evropiane, jo duke mbrojtur familjen politike nga drejtësia”. “SHBA, KE dhe OSBE nuk janë organizata komuniste, por janë forcat e lirisë e të demokracisë botërore që nuk thonë mos dënoni komunizmin, por mos shkelni kodin e familjes ku doni të integroheni. Ne s’jemi armiku i brendshëm shoku Sali, por jemi forca që në 28 qershor do lidhë përfundimisht Shqipërinë me botën, duke larguar bajraktarin e fundit komunist nga pushteti në një Evropë, që është e qytetarëve dhe jo e bajraktarëve”, tha më tej Tahiri.
Topalli: Rama t’u kërkojë falje antikomunistëve
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë pjesëmarrjes në aktivitetin në përkujtim të 64-vjetorit të kryengritjes antikomuniste, u shpreh se PS ende nuk ka kërkuar falje për krimet kundër komunizmit. “Unë shpreh keqardhjen që Edi Rama dhe një pjesë e Partisë Socialiste nuk gjejnë kurajon të kërkojnë falje, nuk gjejnë kurajon të dënojnë krimet e komunizmit. Kjo është një dhimbje e madhe. Këtë e them për krerët e Partisë Socialiste që e kanë të vështirë të ndahen nga e kaluara dhe jo për atë pjesë të shoqërisë që ata përfaqësojnë”, deklaroi Topalli. Ajo theksoi se “ky përkujtim është një ditë e veçantë, jo vetëm sepse është moment reflektimi por edhe pasi koencidon me vetëm dy ditë distancë para një feste shumë të madhe, që është një vjetori i pavarësisë së Kosovës. Kjo është një ditë e madhe për të gjithë ne, dhe jemi shumë optimistë për të ardhmen e saj”.
Dosjet, PD shtyn ngritjen e Autoritetit
ADI SHKEMBI
Ngritja e Autoritetit të Kontrollit të Figurave hiqet nga agjenda parlamentare. Megjithëse ishte parashikuar që në seancën e sotme të votohej ngritja e këtij institucioni, qëndrimi i prerë kundër ligjit i BE-së dhe SHBA-së ka çuar në tërheqjen e përkohshme të maxhorancës.
Burime nga shumica parlamentare bëjnë të ditur për gazetën se gjatë seancës që do të mbahet pasdite nuk është ngritja e Autoritetit, e cila ishte futur në kalendarin tre javor pikërisht në mbledhjen e konferencës së kryetarëve të zhvilluar një javë më parë. Marrja e një vendimi në minutat e fundit për këtë çështje, duket se ka qenë shkaku kryesor përse demokratët nuk depozituan emrat për organin që do të kontrollojë figurat e zyrtarëve të lartë. Nga ana tjetër opozita që pas miratimit të ligjit në Kuvend deklaroi se nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi, teksa vetëm pak kohë më pas depozitoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, me pretendimin se ligji bie ndesh me të paktën 28 nene të ligjit themeltar të shtetit. Në pikën 4 të nenit 6 të ligjit të votuar vetëm me votat e maxhorancës parashikohet që Autoriteti të përbëhet nga pesë anëtarë, ku dy do të zgjidhen nga shumica parlamentare, dy nga pakica parlamentare dhe kryetari me konsensus. Ndërkohë në pikën pesë thuhet se “Anëtarët e Autoritetit miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Në rast se vendi i një a më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh, ose për pamundësi zgjedhjeje, sipas pikës 4 të këtij neni, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile”. Prej disa kohësh, maxhoranca shfrytëzoi këtë hapësirë të ligjit duke i bërë thirrje opozitës se nëse ajo nuk do të bëhej pjesë e këtij procesi, dy vendet e parashikuara për të, do të zihen nga përfaqësues të shoqërisë civile. Por heqja e ngritjes së Autoritetit nga rendi i ditës së sotme, e fut në një fazë tjetër debatin me ligjin për Lustracionin, ku me sa duket gjithçka tani do të varet nga përgjigjja që do të kthejë Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese.
Berisha: Për dosjet do respektohet shteti ligjor
Pas vërejtjeve të njëpasnjëshme të faktorit ndërkombëtar, Kryeministri Berisha tërhiqet nga qëndrimi i tij i prerë deri disa ditë më parë për ligjin e Dosjeve. Kreu i qeverisë është shprehur dje se do të respektohet shteti ligjor, çka lë të kuptohet se shumica parlamentare do të dëgjojë fillimisht Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias, përpara se të nisë zbatimi i ligjit. Duke folur pas vizitës në ekspozitën “Besa”, kushtuar mbrojtjes së hebrenjve nga familjet shqiptare, kreu i qeverisë theksoi se shteti ligjor është kusht. Por sipas tij, detyrim është edhe ndarja e vendit nga e kaluara komuniste. “Shteti ligjor është një kusht i këtij vendi, por, gjithashtu, kusht jetik është edhe ndarja nga ai kapitull, të cilin nuk po hyj ta trajtoj, por që shqiptarët përjetuan kohërat më të rënda, që nga inkuizicioni e deri më sot”, u shpreh Kryeministri Berisha. Megjithatë, pas shenjave të tërheqjes të shfaqura për herë të parë publikisht, kreu i ekzekutivit theksoi se “të jeni të bindur ju, se për forcën politike që unë kryesoj, ndarja e Shqipërisë nga krimet kundër njerëzimit, të kryera nga sistemi komunist, është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm, është një proces jetik, por që do të kryhet në përputhje me të gjitha rregullat e shtetit ligjor. Por, ky është një proces i pandalshëm”. Në prononcimin për mediat, Kryeministri Berisha garantoi miratimin së shpejti në Kuvend të ligjit të hartuar nga qeveria, lidhur me ngritjen e Institutit për studimeve të krimeve të komunizmit. Ai pranoi se ngritja e këtij instituti është një proces i vonuar, por shtoi se ai do të miratohet sapo të votohet në parlament.