E Diel, 1 Nëntor 2026

Manovrat në rrugë, 21-vjeçari plagos pesë persona

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 15-01-2011 10:28

DURRËS- Manovrat me shpejtësi dhe xhirim gomash për pak i kanë kushtuar jetën 5 personave, tregtarë në tregun e makinave të përdorura në fshatin Shënavlash të Durrësit. Ka qenë ora 10.00 kur në rrugën që kalon mespërmes tregut të makinave të përdorura është shfaqur me shpejtësi një mjet me drejtim nga Nish Tulla për në fshatin Shënavlash. Automjeti tip Peugeot me targa DR 3537 F drejtohej nga 21-vjeçari Dashamir Kadiu, i cili është banor i këtij fshati. Në kohën që ai ka kaluar në këtë zonë, rruga ka qenë e populluar nga shumë njerëz dhe tregtarë makinash, të cilët në këtë orë merren me pastrimin e mjeteve të tyre të parkuara në të dyja anët e saj gati për shitje. Dëshmitarët e aksidentit kanë thënë se mjeti në fjalë kishte marrë shpejtësi të madhe sapo zbriti mbikalimin dhe kur u afrua në mes të zonës që shiten automjetet e përdorura, ngriti frenat e dorës dhe kjo gjë e spostoi atë majtas në drejtim të njerëzve që gjendeshin në anë të rrugës. Autovetura ka dalë nga rrugë duke përplasur pesë njerëz si dhe duke shqyer rrjetat prej teli me të cilat pronarët e mjeteve kanë thurur vendin ku tregtohen këto mjete. Nga përplasja e fuqishme, kanë mbetur të plagosur shtetasit Ymer Idrizi 25 vjeç, Robert Tahiri 26, Shpetim Metushi 45 dhe Fatmir Dollaku 60 vjeç, që të gjithë tregtarë dhe punonjës të tregut të mjeteve të përdorura. Personat në fjalë kanë pësuar plagë të ndryshme, ndërsa dy prej tyre janë hedhur disa metra tutje nga goditja e autoveturës. Kolegët e tyre në tregun e makinave kanë kryer transportimin e menjëhershëm drejt spitalit rajonal të Durrësit, ndërsa 21-vjeçari që shkaktoi këtë aksident, ka zbritur nga makina e tij dhe ka ikur me vrap në drejtim të fushës së zbrazët. Në spitalin e Durrësit dy personat më të moshuar kanë pësuar plagë më shumë se të tjerët dhe për këtë arsye ata janë futur në sallën e operacionit dhe më pas në atë të terapisë intensive. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shumë efektiva të policisë rrugore dhe asaj të rendit, të cilët pasi kanë identifikuar drejtuesin e mjetit kanë nisur kërkimet për kapjen e tij. Pas dy orësh ai është kapur nga efektivat e policisë së Durrësit. Në lidhje me këtë ngjarje ai ka deklaruar në polici se shkak për shpejtësinë me të cilën udhëtonte ka qenë një lajm që ka marrë në atë kohë për motrën e tij, e cila ka qenë e sëmurë. Nuk dihet se sa i vërtetë është ky deklarim i 21-vjeçarit, por ai tashmë është arrestuar dhe do të përballet me akuzat e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe largim nga vendi i aksidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›