E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi fizik, gati nga 2013

19/12/2011  Ish-pronarët që marrin kompensim në të holla, numri i përfituesve 1400 deri në 2014

Sipas programit do të nisë verifikimi dhe listimi i pasurive shtetërore që rezultojnë të lira

Vetëm në 2013 do të nisë kompensimi fizik për ish-pronarët. Në programin buxhetor afatmesëm është parashikuar ndërmarrja e të gjitha hapave të duhur duke nisur nga viti 2013 për të verifikuar të gjitha pasuritë shtetërore të vëna në dispozicion të AKKP-së si fond kompensimi fizik dhe listimi i pasurive shtetërore që rezultojnë të lira dhe që do të përdoren për kompensim fizik të subjekteve të shpronësuara dhe fillimin e procedurave për shpërndarjen e këtij fondit.

Shtyrja e afatit

Për dosjet që presin një vendimmarrje për njohjen e pronës, duke qenë se volumi i punës është shumë i madh për AKKP-në dhe numri i dosjeve të transferuara nga ish-zyrat rajonale është mbi 8 mijë, duke nisur nga viti i ardhshëm pritet që të ketë një shtyrje të afatit të rishikimit. Qeveria parashikon përfundimin e procesit të njohjes dhe kthimit të pronës në rastin e shtyrjes së afatit ligjor të ligjit nga Parlamenti, shqyrtimin e 700 kërkesave të trajtuara nëpërmjet vendimmarrjes për dosjet e mbartura nga ish-ZRKKP në qarqe, shtimin e ritmit të punës për mbylljen e 250 dosjeve ankimore të mbartura për trajtim nga ish-zyra qendrore e AKKP-së shqyrtim e kërkesave/ankesave të reja, të depozituara rishtazi pranë këtij autoriteti, brenda afateve kohore të përcaktuara në ligj, si dhe shqyrtimin e 250 kërkesave që kanë paraqitur subjektet për tjetërsim të oborreve në përdorim dhe sipërfaqeve të tokës me cilësi të veçanta, dhënia e vendimeve përkatëse brenda afateve kohore. Nga ana tjetër nga viti 2012 deri në 2014 do të vijojë pranimi, shqyrtimi dhe trajtimi me vendim i kërkesave të subjekteve të shpronësuara për kompensimin e pronës në të holla dhe shpërndarjen e fondit të kompensimit për vitin përkatës vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, shpërndarja e fondit të kompensimit në vlerë nga të ardhurat për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preket nga ndërtimet informale.

Kompensimi në të holla

Programi buxhetor afatmesëm 2012-2014 parashikon kompensimin për ish-pronarët, por këta të ndarë në disa kategori. Kështu, për kategorinë e atyre që do të kompensohen nga paratë që ALUIZN-i grumbullon nga procesi i legalizimit theksohet se numri do të jetë dukshëm më i ulët se në vitin 2011. Nëse përgjatë këtij viti, numri i dosjeve të shqyrtuara ishte 1300, në vitin e ardhshëm numri do të jetë 350 dosje dhe në dispozicion të tyre do të jetë një fond prej 1.5 miliardë lekësh. Për vitin 2013 do të shqyrtohen 300 dosje dhe në dispozicion do të jetë një fond prej 1.2 miliardë lekësh, kurse për vitin e fundit të programit, për vitin 2014 parashikohen që të shqyrtohen 250 dosje, me një fond në dispozicion prej 1 miliard lekësh. Ndërkaq, tek ish-pronarët është edhe kategoria e atyre që do të përfitojnë kompensim nga fondet buxhetore. Për vitin 2012 do të shqyrtohen 200 dosje, për vitin 2013, 500 dosje dhe për vitin 2014, plot 600 dosje, pra, në një total 1 300 dosje. Një kategori tjetër që përfiton tek ish-pronarët është edhe ajo që pret vendimin për tiu kthyer prona apo për tiu kompensuar kjo nga shteti. Në vitin 2012 pritet që të jepet vendimi për 700 kërkesa, për vitin 2013, për 600 kërkesa dhe për vitin 2014, janë edhe 700 kërkesa të tjera, pra, një total prej 2 mijë kërkesash. Kategoria e fundit është ajo e atyre që kanë bërë kërkesë për oborret në përdorim apo që u janë tjetërsuar sipërfaqet, pronë shtetërore. Në total, në tre vitet e ardhshme, parashikohet që të shqyrtohen 700 kërkesa. Për shqyrtimin e të gjitha kërkesave dhe dosjeve, qeveria ka miratuar edhe parashikimin e mundshëm për shpenzimet e administratës lidhur me zbatimin e këtyre projekteve.

Standardet e politikës

Programi i AKKP-së konsiston në përshpejtimin e vendimmarrjes me qëllim përmbushjen brenda afateve legjislative për trajtimin e pronësisë duke mos krijuar pengesa administrative, trajtimin e vendimeve në përputhje me ligjin nr.9235, datë 20.07.2004 (i ndryshuar) dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, unifikimin e vendimmarrjes në shqyrtimin e kërkesave akoma të pashqyrtuara nga subjektet e shpronësuara, kjo dhe si pasojë e përqendrimit të institucionit të AKKP-së vetëm në Tiranë, koordinim më i mirë me institucionet paralele dhe atyre në vartësi si në llogaridhënie dhe në detyrimin e ndërsjellë me qëllim rritjen e efektivitetit dhe përmbushjes së qëllimit kryesor, si dhe bashkëpunimi ndërsektorial brenda institucionit në mënyrë më të shpejtë dhe efektive me qëllim përshpejtimin e vendimmarrjes në realizimin e dosjeve të prapambetura.

Regjistrimi i pronave, deri në 2014

përfundojnë mbi 160 mijë pasuri

Programi i ZRPP-së konsiston në regjistrimin e të gjitha pasurive të paluajtshme në të gjithë territorin e Shqipërisë, të të drejtave mbi to e transaksioneve me to, duke përgatitur për çdo pasuri Kartelën e Pasurisë së Paluajtshme (si dokument ligjor) dhe Hartën Treguese të Regjistrimit (si dokument teknik), si dhe duke bërë lidhjen midis tyre dhe azhornimin e tyre. Politika e ZRPP konsiston në ofrimin e një shërbimi të shpejtë ndaj qytetarëve dhe institucioneve shqiptare në lidhje me regjistrimin e të drejtave mbi të gjitha pasuritë e paluajtshme në të gjithë territorin e Shqipërisë, si dhe për dhënien e informacionit mbi këto pasuri, nëpërmjet garantimit të një sistemi regjistrimi të pasurive të paluajtshme efikas, bashkëkohor, që siguron informacion të qartë, të saktë, të përditësuar, të sigurt dhe transparent mbi të gjitha pasuritë e paluajtshme në Shqipëri. Duke nisur nga viti 2012 do të nisë menaxhimi me efektivitet dhe sigurimi i shërbimeve të përgjithshme për të mbështetur një administrim sa më të mirë të ZRPP, nëpërmjet shërbimit të kthimit të përgjigjeve ndaj klientëve për 620 mijë aplikime, si dhe regjistrimi Fillestar i Pasurive të Paluajtshme për 36 000 pasuri. Në 2013 pritet një menaxhim më efektivitet dhe sigurimi i shërbimeve për kthimin e përgjigjeve ndaj klientëve të 646 mijë aplikimeve, si dhe regjistrimi Fillestar i Pasurive të Paluajtshme për 78 100 pasuri. Në 2014 pritet kthim i përgjigjeve ndaj klientëve të 660 000 aplikimeve, si dhe regjistrimi Fillestar i Pasurive të Paluajtshme për 60 mijë pasuri.

Nga 270 mijë të vetëdeklaruara

Ndërtimet informale, legalizim

100% vetëm për 233 mijë pasuri

Në programin buxhetor afatmesëm 2012-2014 për vitin 2011 parashikohet që të përmbushet synimi i legalizimit të 55% të pasurive informale, ndërsa pritshmëria për vitin e ardhshëm është edhe më e lartë. Në detaje shpjegohet se nga 50 mijë pasuri informale të vetëdeklaruara për të cilat është në përpunim e sipër informacioni tekniko-ligjor, në fund të vitit 2012 parashikohet që të ketë përfunduar legalizimi i 85 për qind të këtyre pasurive. Në vitin tjetër, 2013, parashikohet që procesi të mbyllet në total i gjithi me 100% të pasurive të legalizuara. Praktika e ndjekur deri tani nga ALUIZN-i për ata që janë në tokën e ish-pronarëve ka qenë ajo e legalizimit përmes pagesës së truallit, ndërkohë që është edhe një tjetër kategori që ka ndërtuar në tokën e vet, por që rezulton si një ndërtim informal. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe shumica e ndërtimeve të trajtuara nga ALUIZNI-i dhe në programin buxhetor rezulton se projekti për urbanistikën ka si synim legalizimin e më shumë se 233 mijë pasurive informale nga mbi 270 mijë të vetëdeklaruara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›