E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, këshilltarët e PS braktisin mbledhjen: Vendimet e paligjshme

Këshilltarët e opozitës në Bashkinë Lezhë braktisën dje sallën e mbledhjeve në shenjë proteste për mosaprovimin e kërkesave të tyre dhe mosmarrjen në konsideratë të sugjerimeve që ata bënë. Ndërsa thonë se vendimet e kësaj bashkie janë marrë me pakicë votash, çfarë përbën një shkelje dhe që ata paralajmërojnë se do t’i drejtohen gjykatës për t’i kundërshtuar. Një nga këshilltarët që është larguar nga salla e mbledhjes, përfaqësuesi i opozitës, Llesh Ndoj thotë se “vendimet e marra në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak të Lezhës janë të paligjshme”. Sipas këshilltarit Llesh Ndoj, miratimi i bursave për studentët është marrë në kundërshtim me ligjin, pasi sipas tij, ka pasur shumë këshilltarë që kanë pasur konflikt interesi në këtë pikë dhe nga 25 këshilltarë vetëm 12 kanë marrë pjesë në mbledhje, pasi pjesa tjetër është larguar nga salla sepse nuk janë marrë parasysh propozimet e tyre, gjë që e bën vendimin plotësisht të paligjshëm. Edhe pika e tjetër e rendit të ditës, që ka të bëjë me paketën fiskale të Bashkisë Lezhë, e miratuar një ditë më pas në një mbledhje, që sipas Ndojit është zhvilluar në orën 7 e 45 minuta në mënyrë të fshehtë dhe vetëm me votat e mazhorancës, është cilësuar e paligjshme. Sipas tij, kjo paketë e miratuar rrit barrën fiskale mbi taksapaguesit lezhjanë me 20 për qind dhe shoqërohet me 2 projekte të paligjshme, pasi janë miratuar 67 masa gjobe për subjektet që nuk janë në tagrin e Këshillit të Bashkisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›