Kompensimi i pronarëve, AKKP: Fituesit në shtator
Sipas AKKP-së, fituesit shpallen në fund të shtatorit. Praktika ka treguar për tejzgjatje të procesit deri në fund të vitit
TIRANË- Kryetari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çela, ka deklaruar dje se në fund të muajit shtator pritet që të shpallet edhe lista e fituese e ish-pronarëve për këtë vit.
"Duke filluar që sot, të gjitha dosjet dhe praktikat përkatëse të aplikimeve do dërgohen nga agjencia qendrore e kthimit dhe kompensimit të pronave, në zyrat tona rajonale në qarqe, në mënyrë që të bëhen të gjitha verifikimet e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet kërkues.
Më pas të rikthehen sërish pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ku do të bëhet edhe vlerësimi dhe përfundimet për efekt të klasifikimit të fituesve dhe jo fituesve. Fondi i vënë në dispozicion të AKKP-së për këtë vit është 600 milionë lekë"- tha ai.
Çela shtoi se është e vështirë që në këtë fazë të përcaktohet se sa do të jetë numri i ish-pronarëve që do të kompensohen këtë vit, pasi kjo varet nga vlera e truallit, e cila ndryshon në varësi të qyteteve. Gjatë vitit të kaluar, me fondin prej 500 milionë lekësh u kompensuan 160 pronarë.
Ndërkohë, deri para dy ditësh, ku përfundoi edhe afati i dorëzimit të kërkesave nga ish-pronarët, pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për të përfituar nga fondi i kompensimit të përcaktuar për këtë vit, janë depozituar 521 dosje.
Pas përmbylljes së kësaj faze, pra asaj të depozitimit të dosjeve, fillon edhe verifikimi dhe përzgjedhja e përfituesve, ku më të privilegjuar do të jenë ata, dosja e të cilëve daton më herët.
Kompensimi financiar, sipas vendimit, do të bëhet vetëm për sipërfaqet truall deri në 200 metra katrorë, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës.
Megjithatë, përpos optimizmit të shprehur nga kryetari i AKKP-së, praktika e kaluar ka treguar se kompensimi i ish-pronarëve është bërë vetëm në fund të vitit, kjo për shkak të tejzgjatjes së madhe të verifikimit të dosjeve nga agjencitë rajonale.
Gjatë hartimit të buxhetit të këtij viti, qeveria ka përcaktuar një fond prej 600 milionë lekësh për kompensimin financiar të pronarëve.
Në të njëjtën kohë, Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se 10% e të ardhurave nga privatizimet e shoqërive të zotëruara nga shteti, do të shkojnë për kompensimin e tyre dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.