Masat: Demontimi i armëve, me kurs kualifikimi
Koordinatori i Grupit të Demontimit Fatmir Bozdo shpjegon masat pas Gërdecit. "Demontimi i municioneve të nxjerra jashtë përdorimit, proces i centralizuar në duart e shtetit.
TIRANE- Demontimi i municioneve të nxjerra jashtë përdorimit do të jetë tashmë një proces i centralizuar tërësisht në duart e shtetit. Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar dje përmes koordinatorit të Grupit të Demontimit, Fatmir Bozdo, se kjo është e vetmja mënyrë për të reduktuar në zero rrezikun për popullatën. Në një prononcim për mediat, ai bëri të ditur se për këtë qëllim janë përgatitur për fillimin e punës me kapacitet të plotë, dy uzinat ushtarake në Poliçan dhe Mjekës. Paralelisht, shton Bozdo, po punohet për përgatitjen për punë edhe të një uzine të tretë në qytetin e Gramshit dhe tetë poligoneve për asgjësimin e municioneve që nuk mund të demontohen në rrugë industriale. Shmangia e një tragjedie të dytë si ajo në Gërdec, ku demontimi i armëve kryhej nga fëmijë, duket se është arsyeja e marrjes së këtij vendimi nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes. Për të mos e lënë në duart e privatëve këtë proces të rrezikshëm, është menduar kësisoj rikthimi në punë i specialistëve të fushës. Këtë e ka lënë të kuptohet edhe Bozdo, gjatë prononcimit të tij. “Në të kaluarën, në Shqipëri nuk ka pasur fabrika demontimi municionesh, ristrukturimi i ushtrisë, ridimensionimi i detyrave të saj, integrimi në NATO, rivlerësimi i kërkesave për rritjen e sigurisë së popullatës dhe kalimi i afateve të ruajtjes së sigurt të municioneve, shtroi kërkesën për fillimin e demontimit të municioneve”, - tha Bozdo. Sipas tij, “që prej korrikut 2008, procesi i demontimit është futur në rrugën e realizimit si një proces i rregullt teknologjik, duke respektuar të gjitha normat e sigurisë si për popullatën, ashtu edhe për punonjësit”. Për këtë qëllim, vijoi ai, janë përshtatur uzinat ekzistuese të prodhimit të municioneve, të cilat kanë eksperiencën e nevojshme për të operuar me lëndët plasëse në mënyrë të sigurt. Duke u ndalur te kryerja e këtij procesi, koordinatori Bozdo theksoi se procesi kryhet në rrugë industriale, duke përdorur procese teknologjike të sigurta për jetën e punonjësve dhe në përputhje me rikonstruksionin e municioneve, për të siguruar demontim të plotë pa mbetje të rrezikshme”. Krahas kësaj, ai preferoi të rinënvizojë faktin që procesi i demontimit kryhet nga njerëz të specializuar. “Për këtë proces janë aktivizuar punonjësit aktualë të uzinave, të cilët kanë një eksperiencë të madhe pune për prodhimin e municioneve të reja, si dhe ish- punonjës me eksperiencë. Pavarësisht eksperiencës së tyre, çdo punonjës, para përfshirjes në operacionet e punës, i nënshtrohet një kursi kualifikimi, madje mund të them se të gjithë punonjësve i bëhet një instruksion periodik për rregullat e sigurimit teknik psikologjik dhe vetëm pas certifikimit, lejohet të fillojë punën konkrete”, - përfundoi Bozdo.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)