Kompensimi, përfundon afati i dorëzimit të dosjeve
Të parët do të kompensohen ata ish-pronarë, të cilët nuk kanë përfituar nga fondet e mëparshme
Deri tani janë dorëzuar rreth 500 aplikime për të përfituar nga fondi prej 6 milionë dollarësh
TIRANË-Përfundon sot afati i dorëzimit të kërkesave nga ish-pronarët pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të përfituar nga fondi i kompensimit të përcaktuar për këtë vit. Sipas të dhënave të ofruara nga Drejtori AKKP-së, Elvis Çefa, deri ditën e djeshme, pranë kësaj agjencie janë dorëzuar nga ish-pronarët 495 dosje me dokumentet e nevojshëm për këtë proces.
Krahas asaj çka janë dorëzuar deri dje, duke marrë parasysh edhe fluksin e ditëve të shkuara, sipas Çefës, pritet që në mbyllje të këtij procesi, numri i përgjithshëm i dosjeve të arrijë në 530. Midis këtyre aplikimeve do të zgjidhen edhe ata të cilët do të përfitojnë nga fondi prej gjashtë milionë dollarësh, që qeveria ka akorduar këtë vit.
Pas përmbylljes së fazës së pranimit të aplikimeve të kërkesave për përfitim të kompensimit financiar për pronat e sekuestruara gjatë periudhës së dikaturës, fillon edhe përzgjedhja e përfituesve, ku më të privilegjuar do të jenë ata, dosja e të cilëve daton më herët. Sipas të dhënave, kompensimi finaciar i pronarëve do të bëhet duke u bazuar në çmimet që pasqyrohen në hartën e vlerës së tokës, miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Procedura
Një aplikues paraprakisht duhet të përmbushë katër kushte që të shpallet më pas përfitues nga fondi i mësipërm. Kështu, në mënyrë që dosja të merret në konsideratë nga AKKP-ja, aplikanti nuk duhet të ketë përfituar nga kompensimet financiare që janë bërë gjatë viteve të shkuara, nuk duhet të ketë përfituar tokë me shpërndarjen që u bë në fillim të viteve 90-të në bazë të ligjit Nr.7501 dhe nuk duhet të ketë përfituar nga e drejta e parablerjes.
Pritet që listat përfundimtare të subjekteve që do të përfitojnë kompensim deri në 200 metër katror do të bëhen gati deri në shtator të këtij viti. Gjatë procesit të dorëzimit të kërkesave, ish-pronarët duhet të tregohen të vëmendshëm ndaj vërtetësisë së dokumentacionit , pasi në të kundërt do të përballen me sanksione.
Kështu, sipas një vendimi që Këshillit të Ministrave, ka marrë disa javë më parë AKKP-ja do të përjashtojë menjëherë nga procedurat e kompensimit të gjithë ish-pronarët që paraqesin të dhëna të rreme, ose që i fshehin ato, si dhe i ngarkon ato me përgjegjësi penale.
Gjatë hartimit të buxhetit të këtij viti, qeveria ka përcaktuar një fond prej 600 milionë lekësh për kompensimin financiar të pronarëve.
Gjithashtu, gjatë daljeve publike në lidhje me këtë çështje, shpesh herë zyrtarë të lartë të qeverisë kanë deklaruar se 10 për qind e të ardhurave nga privatizimet e shoqërive të zotëruara nga shteti do të shkojnë për kompensimin e tyre dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.
Kompensimi
Kompensimi financiar, sipas vendimit, do të bëhet vetëm për sipërfaqet truall deri në 200 metra katrorë, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës.
Të gjithë ish-pronarët, të cilët kanë depozituar kërkesat e tyre për kompensim financiar në vitet 2006 deri në vitin 2008 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk do të paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2009. Gjithashtu pak ditë më parë, qeveria miratoi ngritjen e një fondi të veçantë në një llogari të thesarit ku do të derdhen paratë e caktuara nga qeveria në buxhet, të ardhurat nga privatizimet, pagesat e bëra për legalizimet dhe donacionet e ndryshme që mund të bëhen për këtë kategori.