E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhen dy turistë kosovarë, një në pranga

DURRËS/ Policia ka ndaluar 52-vjeçarin Nikollaq Lici pas denoncimit për vjedhjen e një portofoli me 400 euro


DURRËS - Turistët kosovarë kanë filluar të bien pre e hajdutëve. Me rritjen e fluksit të turistëve në plazh është rritur edhe numri i hajdutëve. Kështu, mesditën e djeshme, 49-vjeçari Bedri Latifi, me origjinë nga Mitrovica dhe me banim në Suedi, është paraqitur në policinë e Durrësit për të denoncuar vjedhjen e automjetit të tij tip "Benz" me targë RXS 445, të cilin e kishte parkuar para vendit të tij të pushimit tek Shkëmbi i Kavajës.


Ai e kishte lënë automjetin rreth orës 10:00 të paradites dhe në kthimin e vet në mesditë, nuk e kishte gjetur më aty. Pas marrjes së denoncimit, policia ka marrë në pyetje të gjithë personat që punonin në afërsi të parkingut nga u zhduk mjeti i turistit kosovar për të verifikuar personat e dyshimtë që mund të kenë realizuar vjedhjen. Ndërkohë, në pranga është vënë për vjedhje një shtetas nga Kuçova.


Nikollaq Lici është arrestuar pas denoncimit të një turisti kosovar se i kishin vjedhur një sasi parash. 63-vjeçari nga Kosova u shpreh para uniformave blu se i kishin vjedhur portofolin në të cilin ndodhej një sasi prej 400 eurosh. Duke njohur 52-vjeçarin Lici si person me precedentë penalë në këtë drejtim, pas informacioneve të marra në rrugë operative, policia e ka ndaluar. Atij i është gjetur sasia e parave, si dhe portofoli i humbur.


Mësohet se Lici e ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij, por pas përballjes me turistin e dëmtuar, ky i fundit ka pohuar se sendet që iu gjetën të akuzuarit i përkisnin atij vetë. Si rrjedhojë policia ka prangosur Licin, i dënuar edhe më parë për "vjedhje". M.Brunga

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›