E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDU: Qeveria greke, leje për flamujt e Shtetit të Vorio Epirit

PDU-ja denoncoi dje shfaqjen e fotografive skandaloze irredentiste gjatë festës së "Pavarësisë së Vorio Epirit" të bëra në Athinë nga disa shoqata "vorioepirotase" më 17 shkurt. Sipas PDU-së, ato janë skandaloze dhe të dënueshme, për më tepër kur këto akte irredentiste kanë marrë edhe lejen e autoriteteve shtetërore greke. Përmes një deklarate për shtyp, PDU bën të ditur: Me sa tregojnë këto fotografi, të siguruara vetëm sot nga ky aktivitet, parullat e ushtarëve grekë nuk ishin e vetmja shenjë antishqiptare gjatë këtyre kohëve. Në fotografitë që u shfaqën në disa media të Greqisë dhe me pas edhe në Tiranë, dallohet qartë parakalimi i një organizate të quajtur Rinia Vorioepirotase, së bashku me Lidhjen Panhelenike të Çështjes Vorioepirotase, të cilat mbajnë flamuj të Shtetit Autonom të Vorio Epirit të shpallur pas pushtimit grek të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe që për këto organizata janë flamujt e Shtetit të Vorio Epirit. Sipas PDU-së, në këto fotografi, të zhvilluara gjatë paradës për "Pavarësinë e Vorio Epirit", me lejen e autoriteteve policore greke, parullat e hedhura janë: Vorio Epiri, nuk e shes, nuk harroj. Këto akte të dënueshme që nxisin irredentizmin dhe flasin për etnitete që nuk ekzistojnë, të cilat madje i trajtojnë edhe si shtete, nuk u shërbejnë marrëdhënieve mes dy shteteve e as mes dy kombeve. Partia Drejtësi dhe Unitet i dënon ashpër këto lloj aktesh dhe kërkon nga qeveria shqiptare një reagim të menjëhershëm kundër irredentizmit të shfaqur me lejen e autoriteteve zyrtare greke.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›