E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompjuteri, një mundësi e re për të verbrit



Kompjuteri, një mundësi e re për punësimin dhe integrimin e personave të verbër në shoqërinë shqiptare. Në këtë kuadër, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë në kryeqytet çeli fazën e dytë të projektit për ngritjen e katër qendrave të reja trajnuese speciale për mësimin dhe përdorimin e kompjuterit. Të pranishëm gjatë ceremonisë ishin zv.ministrja e MASH, Nora Malaj; drejtori ekzekutiv i fondacionit Vodafone Albania, Albi Greva dhe zv.presidenti i SHVSH-së, Luan Bregu. Qëllimi i këtij projekti është që të gjithë personat e verbër të kenë akses në fushën e informacionit, edukimit dhe punësimit nëpërmjet risive teknologjike të përshtatura. Qendrat trajnuese të specializuara në mësimin e kompjuterit do të ngrihen në Tiranë, Korçë, Lezhë dhe Tepelenë, në të cilat do të trajnohen 80 persona të verbër. Ata do të mësojnë të njohin dhe të përdorin kompjuterin nëpërmjet programit të përshtatur JAWS (job access with speech = aksesi në punë nëpërmjet të folurit, audio). Ky program transkripton shkrimin në audio, duke u dhënë mundësi kështu të gjithë personave të verbër të përshtaten me risitë që jep kompjuteri dhe ta përdorin atë në mënyrë individuale për funksione edukative, studimore si dhe punësimi, ndërkohë që, aktualisht, janë në funksionim pesë qendra të tjera në disa rrethe të vendit, në të cilat janë trajnuar 100 përfitues të verbër, ndërsa në të gjithë Shqipërinë numërohen rreth 10 mijë persona të verbër dhe me shikim të pjesshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›