PD, Mëhilli: Rama mbron korrupsionin
Partia Demokratike akuzoi dje kryebashkiakun Edi Rama për mbrojtjen që po i bën korrupsionit, ndërsa e ftoi atë të kthejë opozitën në Kuvend. Sipas PD-së, Rama dhe deputetët e tij ndërtues duhet të futen në Parlament dhe të japin kontributin e tyre përkrah mazhorancës në luftën kundër korrupsionit. PD-ja reagoi dje nëpërmjet zëdhënëses së saj Erla Mëhilli, pas deklaratave të socialistëve për korrupsionin në Shqipëri, duke u bërë atyre thirrje të futen në Parlament dhe të japin kontributin e tyre përkrah mazhorancës në luftën kundër korrupsionit. Mëhilli akuzoi në emër të PD-së: “Kryetari i Partisë 1 pallat 1 votë nxori sot znj. Xhaçka, e cila në një klizëm para kamerave akuzoi qeverinë në lidhje me raportin e publikuar dje nga Transparency International për indeksin e perceptimit të korrupsionit në Shqipëri”. Sipas saj, “e vërteta është që kështjella e vetme e korrupsionit në Shqipëri ka mbetur Bashkia e Tiranës. Zëdhënësja e PD-së shtoi më tej se korrupsionin e mbron Edi Rama, i cili vetëm gjatë vitit 2008 mori për vete së bashku me klanin e tij 70% të lejeve të ndërtimit”. Sipas znj. Erla Mëhilli, korrupsionin e mbron Edi Rama që nuk dërgon për miratim planin rregullues të kryeqytetit në KRRTRSH. “Korrupsionin e mbron Edi Rama që e ka kthyer praktikën e marrjes së lejeve të ndërtimit në praktikën më korruptive dhe abuzuese në planet, ku njerëzve të thjeshtë u duhen 400 ditë për të marrë një leje ndërtimi dhe ku të vetmit njerëz për të cilët aplikohen procedura të përshpejtuara janë radha e deputetëve që Rama i ka futur në vathën e bashkisë”, - përfundoi zëdhënësja e PD-së.