E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompjuterizohen zyrat e gjendjes civile

Mbi 30 njësi vendore nisin hapat e para, ndërsa 19 të tjera janë në vazhdim të kompjuterizimit të zyrave të gjendjes civile në rrethin e Elbasanit. Ligji kompjuterik, që përfshin komunat ose bashkitë me mbi 10 mijë banorë, ka gjetur zbatimin e tij të shpejtë në këtë rreth. Modernizimi i këtij shërbimi, projekt i qeverisë shqiptare, ka më shumë se një muaj që zbatohet në Qarkun e Elbasanit. Ky sistem kompjuterik tashmë mbetet baza e saktë e të dhënave për regjistrin kombëtar dhe prodhimin e kartave të identitetit. Specialisti i Prefekturës së Elbasanit, Muhamet Aliçka, që po ndjek nga afër këtë proces, ka deklaruar se procesi ka nisur në ato komuna dhe bashki që kanë mbi 10 mijë banorë. Aktualisht ndodhen në fazën e dytë të procesit pesë komuna dhe katër bashki të rrethit të Elbasanit, të cilët kanë përfunduar fazën e hedhjes së të dhënave nga regjistrat në kompjuterë dhe ndodhen në fazën e riverifikimit. Sipas Aliçkës, 32 komuna e bashki të tjera të qarkut kanë nisur fazën e parë të hedhjes së të dhënave të këtij procesi. Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, kanë organizuar trajnime të posaçme për operatorët, të cilët po punojnë për realizimin e kompjuterizimit. Në përfundim të këtij procesi nuk do të ketë më asnjë lëshim certifikate me dorë, duke mbyllur kështu "kapitullin" e falsifikimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›