Liqeni i Fierzës mbulohet nga plehrat
Ndotja liqenit të Fierzës në lumin Drin ka alarmuar së fundi edhe shërbimin parësor shëndetësor. Drejtues të këtij institucioni thanë për gazetën "Shqip", se kanë marrë kampione të ujit dhe i kanë dërguar në laboratorët e specializuara në Tiranë për analiza të thella. "Gati e gjithë sipërfaqja e liqenit është e mbushur me mbeturina të ndryshme, që përbëjnë një ndotës të sigurt dhe për këtë jemi të shqetësuar", tha drejtori Gazmend Doda, duke shtuar se shishe plastike, kanoçe dhe sende të tjera që qëndrojnë mbi ujë, deri te kafshët e ngordhura, kanë dalë në sipërfaqe pas rritjes së nivelit të liqenit në afërsi të kuotës ekstreme, rreth nivelit 293 m mbi det. Prej shumë vitesh, liqeni nuk e ka arritur këtë nivel, ndërsa territori tashmë i mbuluar ka qenë i mbushur me mbetjet e të gjitha llojeve. Pjesën më të madhe të mbetjeve, veçmas ato plastike, e ka sjellë Drini i Zi nga zonat e Maqedonisë. Me gjithë gjendjen e krijuar, ende nuk ka një projekt për pastrimin e sipërfaqes së ujit të liqenit nga mbetjet ndotëse.