E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjykata Administrative, me rëndësi për biznesin”

31-03-2012 / Gazeta 55

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu

Ambasadori amerikan inkurajon klasën politike të gjejë konsensusin në miratimin e projektligjit. Ambasador i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu u ka bërë thirrje palëve politikë në Shqipëri të bashkëpunojnë për miratimin e Gjykatës Administrative.
Nga qyteti i Lezhës, ambasadori Arvizu ka deklaruar se ngritja e Gjykatës Administrative është e nevojshme për biznesin.
“Besojmë se sistemi i Gjykatës Administrative do ta forconte sektorin gjyqësor. Do ti bëja thirrje të gjithë drejtuesve politikë të ndërmerrnin hapa për ta mundësuar dhe për ta kaluar atë”, deklaroi ambasadori Arvizu.
Për të njëjtën çështje është shprehur edhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi e cilësoi miratimin e projektligjit si domosdoshmëri për biznesin dhe trajtimin e problematikës të lidhur me të.
Halimi foli për dixhitalizimin e administratives brenda muajit dhjetor të këtij viti, një godine me 9 salla gjykimi, rikonstruksioni i së cilës do fillojë pas disa javësh.
Ndërkaq, më herët dje, kryeministri Berisha gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit theksoi se opozita kërkon t’i japë atribute Gjykatës Administrative më shumë nga se sa parashikon ligji.
“Ajo është në parlament, dje ose pardje është bllokuar sepse opozita kërkon ti japë atribute shumë më të gjera se sa parashikon ligji. Nuk ka një synim politik, por problemi është se në qoftë se mbingarkojmë këtë dhe e përjashtojmë sistemin tjetër nga çdo çështje, ajo nuk do të mund tu shërbejë. Ky është i vetmi shqetësim pasi kompromisin ne mund ta bëjmë menjëherë. Dje, ata nxorën një amendament që kjo gjykatë të merret me të gjitha çështjet e kontratave. Faktikisht të merret me çdo problem gjyqësor që ka lidhje me biznesin. Kjo pastaj përjashton nga çështjet civile të gjithë sistemin gjyqësor dhe kthen një gjykatë e cila çfarëdo që të bësh nuk do të mund ti shërbejë destinacionit që ka. Megjithatë diskutimi është në parlament. Po merren masa për të siguruar ndërtesën dhe sapo parlamenti të votojë ligjin dhe jam i bindur se do të votohet se kjo nuk është një gjë e pazgjidhshme. Nuk ka asgjë parimore në kundërshtim mes dy palëve, por zgjidhet problemi i një ngarkese shumë të madhe që mund ti krijohet kësaj gjykate dhe që mund të çojë në kolapsin e saj”, tha kryeministri Berisha.
Në mbledhjen e fundit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve u miratuan 8 nene të projektligjit për gjykatat administrative, por diskutimet u ndërprenë pasi palët kishin mendime të ndryshme për nenet e tjera.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›