Halimi: Nis reforma e dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë

USAID sjell teknologjinë e regjistrimit dixhital audio në gjykatat në Shqipëri
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Aleksandër Arvizu dhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi përuruan dje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë instalimin e parë të sistemit të regjistrit dixhital audio për gjykatat. Në sallat e gjyqit vjen tashmë një teknologji e fjalës së fundit, të provuar dhe të lehtë në përdorim në regjistrimin dixhital audio. Ajo garanton procesverbale të sakta fjalë për fjalë të seancave gjyqësore dhe u jep fund përplasjeve lidhur me atë që u tha apo jo në sallën e gjyqit.
Në fjalën e tij, mbajtur me këtë rast ministri Halimi u shpreh se me këtë projekt nis reforma e dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë theksoi se kjo reformë shkon për sistemin gjyqësor, për ta bërë atë më transparentë, për ta bërë më të përgjegjshëm, për ta bërë më të kontrollueshëm, për ta bërë më të besueshëm për publikun dhe qytetarët.
Ndërkaq, ministri i Drejtësisë tha gjithashtu se reforma e sistemit do konkludojë me finalizimin e projektit madhor, të ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë në Tiranë.
Gjykata e rrethit Lezhë është e para që po zbaton regjistrimin audio në Shqipëri. Deri në dhjetor 2013 sistemi i regjistrimit audio do të jetë shtrirë në çdo sallë gjyqi në vend, duke përfshirë gjykatat e rretheve gjyqësore , ato të apelit dhe gjykatën e shkallës së parë dhe atë të apelit për Krimet të renda.
Me këtë projekt USAID sjell në sallat e gjyqit një teknologji të fjalës së fundit, të provuar dhe të lehtë në përdorim në regjistrimin dixhital audio. Ajo garanton procesverbale të sakta fjalë për fjalë të seancave gjyqësore dhe u jep fund përplasjeve lidhur me atë që u tha apo jo në sallën e gjyqit.
USAID JuST, i filluar në tetor 2010, është një projekt pesëvjeçar i cili synon rritjen e transparencës, paanshmërisë dhe efektshmërisë në gjykata, konsolidimin e rolit mbikëqyrës dhe antikorrupsion të organizatave të shoqërisë civile dhe medias, si dhe forcimin e arsimimit juridik dhe avokatisë në Shqipëri.