E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti Blushi, ju s’u përjashtuat, sepse tradhtuat LMN-në

31-03-2012 / Gazeta 55

Tradita bolshevike, që nga grupet e menshevikëve nxirrte bashkëpunëtorët që shpëtonin kryetarin dhe kryqëzonin armiqtë e partisë ka marrë dy ditë më parë konfirmimin e Ben Blushit. Ai e pati të vështirë të shpjegonte marrëdhëniet e mira që ka vendosur me Edi Ramën, si dhe mospërjashtimin e tij nga partia. Por, e vërteta është se të gjithë bashkëpunëtorët, partitë bolshevike i shpërblejnë duke i ngritur në përgjegjësi, ndërkohë që “armiqtë” si Kastriot Islami - si të tradhtuar nga “shokët” – përfundimisht i përjashtojnë përfundimisht nga partia 

Ben Blushi “i qau hallin” dy net më parë Kastriot Islamit.
Mes një keqardhje të shtirur, jo aq për atë “dikush pagoi çmimin e të gjithëve”, se sa për atë se “në qoftë se duhet të kishte një njeri që duhej përjashtuar, mbase duhet të isha unë i pari”, Ben Blushi në tentativën e tij të dy netëve më parë për t’u vetësakrifikuar, kur të paktën për këtë gjë as Edi Ramës nuk i shkon më ndër mend, nuk bëri asgjë më shumë se sa konfirmoi të kundërtën dhe atë për të cilën ai kishte më shumë nevojë të na bënte të ditur të gjithëve, atë sipas së cilës “kemi më tepër mirëkuptim dhe afrim (me Edi Ramën) qëndrimesh se tre vjet më parë”.
Konfirmimi i dy netëve më parë i Ben Blushit, i kthesës që ai më herët kishte marrë, saktësisht që prej kohës kur akronimi LMN i përket tashmë një të shkuare të largët, ishte konfirmimi i një pabesie të tij, ndaj gjithë përfaqësuesve e mbështetësve të LMN-së. Pabesia nuk qëndron thjesht dhe vetëm te shndërrimi i kohëve të së tashmes së foljeve ndihmëse “kam”, “jam” në një të shkuar shumë e shumë të largët, të tipit “kishim më shumë ambicie”, “në qoftë se duhet të kishte”, “duhet të isha”, “kishin arsye”, “nuk ishte e drejtë”... etj.., etj..., se sa, te fakti që ai nuk foli të paktën për (mos)përjashtimin e Kastriot Islamit, kur duhej të fliste, por mjaftohet tani, “si kofini pas të vjelit”, duke artikuluar një frazë “ishim shumë njerëz që mendonim si ai”, pa na thënë çfarë u bë me këta njerëz që “mendonin si ai” dhe për më tepër “a mendojnë dhe si kush mendojnë këta shumë njerëz tani?”.
Me konfirmimin e dy netëve më parë të një “qëndrimi të ri” të Ben Blushit, qëndrim i cili korrespondon me kthimin e shpinës ndaj LMN-së, sigurisht duke u afruar më pranë Edi Ramës, ai u shndërrua në zëdhënës të traditës së vjetër bolshevike, sipas së cilës nga grupet e menshevikëve nxirren bashkëpunëtorët që shpëtojnë kryetarin dhe kryqëzojnë armiqtë e partisë.
Duke mos lënë dyshime se ai (Ben Blushi) tashmë ka marrë përsipër rolin “e barkës që duhet të nxjerrë pa lagur në breg Edi Ramën”, nga ana tjetër ai e pati të vështirë të shpjegonte marrëdhëniet e mira që ka vendosur me Edi Ramën dhe mospërjashtimin e tij nga partia. Përpos kësaj, ka një të vërtetë të madhe, sipas së cilës, për të gjithë bashkëpunëtorët, partitë bolshevike i shpërblejnë duke i ngritur në përgjegjësi, ndërkohë që “armiqtë” si Kastriot Islami, si të tradhtuar nga “shokët” përjashtohen përfundimisht nga partia. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›