Kompromise të reja për MUP-in në veri

Autoritetet e Prishtinës mund të bëjnë edhe një kompromis të ri dhe të lëshojnë pe karshi kërkesës së Beogradit zyrtar për përfshirjen e qindra pjesëtarëve të MUP-it, si pjesëtarë të policisë në veriun e Kosovës. Të paktën ky është shqetësimi që kanë ngritur spektri politik opozitar në Kosovë dhe analistët politikë, të cilët shfaqin drojën se me ligjin për amnisti që pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës do të amnistohen strukturat ilegale serbe të sigurisë në veri, të cilat kontrollojnë atë pjesë tash e 14 vjet.
Aprovimi i këtij ligji nga legjislativi kosovar do të shënojë edhe hapin e parë drejt nisjes së implementimit të marrëveshjes së arritur mes dy kryeministrave të dy qeverive mq 19 prill, shkruan zëri. Mirëpo zyrtarët qeveritarë sigurojnë se Ligji për amnisti nuk do të bëhet as në pjesën veriore e as jugore, dhe ligji nuk ka të bëjë me një grup etnik apo territor, porse ai do të jetë për gjithë Kosovën.
Numri dy i qeverisë, Hajredin Kuqi, ka pohuar se nuk do të ketë falje për kriminelët dhe as shërbimet sekrete të pasluftës. Sa i përket përfshirjes së strukturave të MUP-it në Policinë e Kosovës që do të veprojë në veri të shtetit, Kuqi ka deklaruar se një pjesë e strukturave të sigurisë në veri do të jetë pjesë e insitutcioneve të Kosovës./Indeksonline/