E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kompromisi i nënkuptueshëm” për veriun

26-11-2011 / Nga Adrian Çollaku

Barrikadat sërish kthehen në lajmin kryesor të ditës. Pas një heshtjeje dy-tri javëshe: barrikadat, KFOR-i dhe serbët e veriut janë “palët” që rikthehen në “top-listën” e medieve. Shumë pranë tyre, në këtë “top-listë” janë edhe disa “demokratë” të Beogradit zyrtar, si Borko Stefanoviq, i cili në Bruksel flet për vlera evropiane, ndërkaq, në Beograd e Mitrovicë të veriut shpreh mllefin e tij prej nacionalisti ekstrem. Prishtina zyrtare është e fundit në këtë ranglistë. Ajo më tepër është një spektatore, që nuk e pyet askush për asgjë, ndonëse drejtues të Qeverisë së Kosovës me anë të deklaratave të forta, për konsum të brendshëm, mundohen që ta bindin opinionin se edhe ata janë faktorë. Përpjekja e KFOR-it që t’i largojë, të mërkurën mbrëma, disa nga barrikadat në veri të vendit, më saktësisht në Rudare, na e riktheu skenarin e disa javëve më parë, ku njërën anë i kemi trupat paqeruajtëse të NATO-s, të cilat mundohen që pa zhurmë dhe me lopata t’i largojnë barrikadat nga rrugët në veri të Kosovës, derisa serbët në anën tjetër me dhunë dhe me mjete nga më të ndryshmet, po pengojnë largimin e barrikadave, madje duke ndërtuar çdo herë e më shumë të reja. Përpjekja e fundit për largimin e barrikadave, i kushtoi këtij misioni me lëndimin e 21 ushtarëve. Shkurt e shqip ky ishte edhe një dështim i radhës i trupave të NATO-s në Kosovë. Ama është shumë i çuditshëm fakti, se si një ushtri kaq profesionale, madje më modernja në botë, të mos mund ta realizojë me sukses as aksionin për largimin e një barrikade të vetme. Edhe injoranti më i madh e di se KFOR-i ka fuqinë dhe kapacitetet që ta bëjë një gjë të tillë, pra, largimin e barrikadave dhe lirimin e rrugëve.
Mirëpo, KFOR-i nuk duhet të thirret në atë se misioni i tyre bazohet në Rezolutën 1244, sipas të cilës, Kosova është nën administrim ndërkombëtar, duke mos e njohur shtetin e pavarur të Kosovës dhe të mos i largojë barrikadat. Heqja e barrikadave nuk duhet të nënkuptohet se po i mbahet ana “Republikës së Kosovës”. Edhe drejtuesit e KFOR-it e dinë shumë mirë se edhe sipas Rezolutës 1244, ata janë përgjegjësit kryesorë për sigurinë e qytetarëve. Nuk do mend se serbët e veriut me veprimet e tyre, duke bllokuar rrugët dhe duke penguar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, automatikisht e rrezikojnë edhe sigurinë e qytetarëve. Nëse drejtuesit e KFOR-it mendojnë që barrikadat mund t’i largojnë me lopata, siç kanë provuar deri më tani dhe duke e implementuar strategjinë e famshme- ardhjen e stinës së dimrit (kur pritet të bien temperaturat), me të vërtetë le të heqin dorë nga kjo punë. Për heqjen e barrikadave, nevojitet një vendosmëri dhe një seriozitet, gjë që deri më tani nuk është treguar, as nga KFOR-i e as nga EULEX-i, e aq më pak nga institucionet tona. Të gjitha palët duket se kanë arritur një “kompromis të nënkuptueshëm”, që ta mbajnë gjendjen në veri ashtu sikur që është, deri në arritjen e një marrëveshjeje politike. Deri në atë kohë, askush nuk duhet të presë se do të largohen barrikadat, në mënyrë që të fillojnë të lëvizin lirshëm qytetarët dhe Kosova do të mundë ta shtrijë autoritetin në atë pjesë. Të paktën, drejtuesit e institucioneve të vendit duhet të tregohen më të sinqertë dhe më transparentë me qytetarët e Kosovës, që t’ua thonë atyre të vërtetën se çka po ndodh me veriun. Madje, t’i bëjnë publike të gjitha opsionet e mundshme për atë pjesë të vendit, dhe të mos kenë turp t’i mbrojnë qytetarët shqiptarë në Luginë të Preshevës, sepse nuk bëjnë kurrfarë shkelje dhe nuk humbin asgjë. Ashtu siç bëri numri dy i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, duke ua mbledhur “betë” shqiptarëve të Luginës se “nëse edhe një herë flisni, mos llogaritni më te ne”. Në vend se të problematizohet çështja e shqiptarëve të asaj pjese, dhe të ngrihet zëri për mbrojtjen e tyre, “burrat e botës” dalin e i kërcënojnë ata pse i kërkojnë të drejtat e tyre.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›