E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca: Buxheti 2012 mbështet stabilitetin makro-ekonomik dhe rritjen e pagave e pensioneve

26-11-2011 / Gazeta 55

Opozita kundër buxhetit
 
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në Kuvend gjatë prezantimit të projektbuxhetit para ligjvënësve të mazhorancës dhe opozitës, se “modeli ynë ekonomik bëri të mundur që ekonomia shqiptare, ndryshe nga ekonomitë e tjera që njohën rënie e recesion, të ruajë rritjen e përvishtme ekonomike dhe të mbajë të paprekura parametrat e stabilitetit makroekonomik”.
Kryeministri e konsideroi prezantimin e buxhetit të ri si “ditën më të shënuar të parlamentit shqiptar, ditën kur ligjvënësit e vendit vendosin për buxhetin familjar të 820 mijë familjeve shqiptare, të cilat janë aksionere direkte në këtë buxhet”.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste deklaroi se projektbuxheti i shtetit për vitin 2012, nuk shënon rritje për ekonominë shqiptare, por thellon krizën dhe rrit nivelin e borxhit.
 
Bode: Jo rritje të taksave për vitin e ardhshëm
Ministri i Financave, Ridvan Bode u shpreh gjatë debatit mbi p/buxhetin e shtetit për vitin 2012 se, nga të dhënat e 10-mujorit të këtij viti rezulton se ka një përformancë të mirë të financave publike. Duke reaguar ndaj akuzave të opozitës se është ulur konsumi, dhe se ka ulje të përqindjes së mbledhjes së taksave në buxhet, Bode tha se, sipas raportimeve të vetë biznesit pranë Drejtorisë së Thesarit, xhiroja e tatueshme është 12 për qind më e lartë gjatë këtij 10-mujori, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. “Nuk ka rënie të qarkullimit të brendshëm të mallrave. Nuk ka rritje të nivelit të taksave”, deklaroi Bode.
 
Imami: Buxheti i Mbrojtjes garanton vijimësinë e reformave në ushtri
Fondet që qeveria ka akorduar për Ministrinë e Mbrojtjes në projektbuxhetin e ri 2012 synojnë të mbështesin vijimësinë e zhvillimit të reformave në këtë fushë dhe ndërtimin e një force ushtarake në përputhje me strategjinë e Sigurisë Kombëtare.
Gjatë debatit në Kuvend për ligjin e projektbuxhetit 2012 ministri i Mbrojtjes, Arben Imami tha se buxheti për Forcat e Armatosura për vitin e ardhshëm kap shifrën e 20 miliardë, 259 milionë e 446 mijë lekë ose 457 milionë lekë më shumë se sa buxheti i 2011-s. Sipas ministrit Imami shuma e akorduar nga qeveria për vitin e ardhshëm do të përdoret në procesin e modernizimit të mëtejshëm të Forcave të Armatosura, si në blerjen e helikopterëve shumë rolësh, misionet paqeruajtëse, demontimin e municioneve, etj.
 
Ksera: Prioritetet e vitit të ardhshëm, ulja e varfërisë dhe rritja e punësimit
“Projektbuxheti i vitit 2012 për Ministrinë e Punës është më i madhi i planifikuar ndonjëherë për këtë institucion”, u shpreh dje në Kuvend, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera.
Sipas Kserës, në total p/buxheti për vitin 2012 arrin në 53.49 miliardë lekë, ose 3.84 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto bashkë me të ardhurat kontributive, buxheti shkon në 7.6 për qind e PBB-së, tregues ky i fytyrës sociale të kësaj Qeverie. “Ky projektbuxhet mundëson realizimin e prioriteteve në fushat që Ministria mbulon për uljen e varfërisë dhe rritjen e punësimit. Në 2012 do përfitojnë formim profesional në qendrat publike 9 000 persona, nga të cilët 7.000 punëkërkues të papunë do të formohen në kurse profesioni. Punësimi post-formim parashikohet të jetë mbi 50 për qind”, tha ministri Ksera.
 
Ruli: Buxheti mbështet fermerin shqiptar
Projekt buxheti i shtetit për vitin 2012 për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit do të financojë zbatimin e projekteve prioritare që synojnë të rrisin mbështetjen për fermerin shqiptar, duke adresuar për këtë sektor financime të konsiderueshme që llogariten në nivel më të lartë se në vitin 2011. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, gjatë diskutimit të projekt-buxhetit të shtetit për vitin 2012, sot në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, tha se “projekt buxheti 2012 për ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit arrin në rreth 6.8 miliardë lekë, me një rritje 5,2% më shumë se në 2011, ku prioritet janë zbatimi i programeve që kanë nisur financimin dhe synojnë zhvillimin zinxhir të sektorit rural”. Duke shprehur optimizëm për investimet dhe financimet e rëndësishme që janë planifikuar të realizohen vitin që vjen, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm rural në vendin tonë, Ruli nënvizoi se përparësi financimi nga buxheti 2012 do të marrin projekti kombëtar i lançuar nga Kryeministri Sali Berisha për mbjelljen e shtimin e sipërfaqeve me arrore, lajthi, gështenja, arra, shegë dhe bajame, si projektet më të leverdisshme për vendin, ndërkohë që, projekti për ullishtarinë vazhdon të bartë rëndësi për ekonominë rurale. Sipas tij, programi për rritjen e sigurisë ushqimore në vend, përmirësimi i infrastrukturës së kullimit të ujit dhe ujitjes në bujqësi dhe aplikimi i kredive të buta për fermerin, renditen ndër komponentët kryesorë që do të përfitojnë dhe financimet më të mëdha. Ministri Ruli i bëri apel deputetëve të opozitës që të votojnë projekt-buxhetin 2012, si buxhetin që reflekton vazhdimësinë dhe konsistencën e programit të qeverisë, të ndërmarrë në vite dhe që synon të përmbushë objektivat e qeverisë për uljen e varfërisë dhe rritjen e të ardhurave familjare.
 
Halimi: Me këtë buxhet, gjatë 2012, reforma të thella në Drejtësi
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi tha se fondi për investime në ministrinë e Drejtësisë është katërfishuar për vitin 2012. Duke folur për buxhetin e vitit të ardhshëm, në seancën e sotme plenare ne Kuvend, Halimi tha se viti 2012  do të jetë viti me buxhetin më të madh në ministrinë e Drejtësisë, duke përbërë vitin e reformave të thella.
Sipas tij, dixhitalizimi do të jetë kryefjala e të gjitha reformave në Ministrinë e Drejtësisë, së pari  në zhvillimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe përfundimin e dixhitalizimit të të gjithë gjykatave, dixhitalizimin e shërbimit të noterisë, që do ta modernizojë këtë shërbim, duke ulur koston financiare për veprimet juridike për pasuritë e paluajtshme dhe projektin për mbikëqyrjen elektronike që do të modernizoje sistemin e burgjeve, me impakt në rritjen e mëtejshme të sigurisë publike. “Ky buxhet është më i madhi për investimet që ka patur gjatë këtyre viteve, pasi ai do të sjellë reformën e jashtëzakonshme të dixhitalizimit të sistemit të burgjeve, noterisë, përmbarimit, hipotekave, gjykatave”, u shpreh ministri Halimi, duke shtuar se kjo është ajo që duan qytetarët, shërbim më të mirë si dhe progres më të mirë për vendin.
Kreu i ministrisë së Drejtësisë, Eduard Halimi, kërkoi nga deputetët që të mbështesin buxhetin e vitit 2012, duke theksuar se është buxheti që do të bëjë ministrinë e Drejtësisë lider në rajon për reformat dixhitale. “Duhet ta mbështesim këtë buxhet pasi nuk është buxhet shpenzimesh, por është buxhet investimesh”, tha ministri Halimi.
 
Olldashi: Brenda 2012 distancat shkurtohen me 60 minuta
Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi deklaroi në seancën plenare maratonë të Kuvendit, se brenda vitit 2013 distanca nga Tirana drejt qyteteve më të skajshme të Shqipërisë do të jetë në një interval jo më shumë se 2.30 orë.
Sipas tij, për vitin 2012 MPPT, do të përfitojë 38.5 miliardë lekë ose rreth 55.2 për qind të totalit të investimeve publike. “MPPT vazhdon të përfitojë pjesën më të madhe të fondeve të parashikuara për investime publike. Në projektbuxhetin 2012 parashikohet që 32.7 për qind e investimeve publike të jenë investime me financim të brendshëm. Në të njëjtën kohë, ajo zë edhe pjesën më të madhe të financimit të huaj (rreth 61.12 për qind të totalit) kryesisht me projekte për ndërtim rrugësh”, u shpreh Olldashi.
Këto fonde, sipas kreut të MPPT-së, do të shërbejnë për ndërtimin dhe rehabilitimin e 80 km rrugë të rrjetit kombëtar, sistemim asfaltim dhe riveshje të 27 km rrugë, si dhe përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës hekurudhore. ndër të tjera Olldashi theksoi se gjatë vitit që vjen do të bëhet e mundur edhe përfundimi i ndërtimit të vend depozitimit për mbetjet e ngurta në Qarkun e Shkodrës, i cili do t’i shërbejë një popullsie prej 250.000 banorësh. “Zgjerimi dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të furnizimit me ujë nëpërmjet mbulimit me rrjet ujësjellësi në zonat urbane në 92 për qind, të totalit të popullsisë dhe në zonat rurale në 64 për qind është tjetër objektiv”, tha ministri Olldashi.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›