E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja dhe Leskaj, shprehen optimistë mbi diskutimet dhe përfundimet

26-11-2011 / Gazeta 55

8-9 dhjetor, mblidhet në Tiranë Komiteti Shqipëri – KE
 
Shqipëria mund të fitojë shumë shpejt statusin e vendit kandidat, nisur nga klima e konsensusit politik. Në datat 8 dhe 9 dhjetor do të mblidhet në Tiranë Komiteti Ndërparlamentar Shqipëri-Komisioni Europian, ku do të diskutohet mbi procesin e integrimit europian të vendit. Por pavarësisht marrëveshjes se arritur për te miratuar ligjet me shumice të cilësuar, opozita shprehet dyshuese për lëvizjet e mëtejme të shumicës. Nga ana tjetër, palët ndahen qartazi në pritshmërinë se kur Shqipëria mund ta marrë statusin e kandidatit nga Bashkimi Evropian. Bashkëkryetari i komisionit të palës shqiptare, demokrati Fatos Beja thotë se një përgjigje pozitive në këtë drejtim mund të ketë pranverën apo vëren e ardhshme.
Por, socialistja Valentina Leskaj thotë se kjo është e pamundur. Në 3 takimet e radhës mes Shqipërisë e BE, nuk është arritur të miratohet një rezolutë e përbashkët. Palët bënë njëra-tjetrën përgjegjëse për krizën politike.
“Axhendën e këtyre dy datave do e dominojnë dy çështje; çështja e korrupsionit dhe ajo e sistemit të drejtësisë. Ata kanë nevojë për element kredibiliteti dhe besueshmërie që ky proces do të vazhdojë dhe do të jetë një proces do të jetë serioze. Kjo mbetet për tu provuar, natyrisht. Nëse mazhoranca do të jetë serioze në ato që ka marrë përsipër padyshim që do të kemi edhe sinjale pozitive. Por sigurisht që nuk është se bëhet fjalë për të marrë statusin e vendit kandidat kaq herët”, u shpreh deputetja socialiste, Valentina Leskaj.
Për kryetarin e komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Fatos Beja konsensusi i arritur mes PD dhe PS, është element favorizues për procesin e integrimit evropian.
“Kjo fyrmë që është sot pozitive në Parlament pasqyrohet edhe në diskutimet e deputetëve dhe që do të jetë padyshim favorizuese për procesin e integrimit të Shqipërisë. Nëse ne do të ecim me këtë frymë, nëse opozita nuk do të bëjë me bllokuesin, nuk ka dyshim se në  pranverë do të kemi shpresë dhe ka një shpresë të madhe për nga vera, që të mos mbetemi për në fund të nëntorit, sepse në verë mblidhet përsëri Këshilli dhe atje ka mundësi që nëse ne shqiptarët do t’i realizojmë këto pika, atje po, ne kërkojmë si parlamentarë që; i kemi plotësuar pushtetet, tani duam statusin”. tha ai.
Tryeza e radhës, me pjesëmarrjen edhe te euro-parlamentarit Eduard Kukan, do të mbahet në Tirane me 8 dhe 9 dhjetor.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›