E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompromisi mes palëve, OSBE-ja hesht

18/05/2010 Deklarata e kreut të prezencës, zyrtarisht nuk sqarohet asnjë detaj

Ambasadori apeloi dy liderët, kryeministri Berisha nuk është në dijeni

Konfuzioni i shkaktuar nga deklarata e kreut të OSBE-së në vendin tonë Robert Bosh mbi mundësitë e zgjidhjen e konfliktit politik në të cilin janë përfshirë dy paritë e mëdha në vend, mbetet edhe i paqartë. Prezenca e OSBE-së dy ditë pas kësaj vazhdon të heshtë dhe nuk sqaron asnjë detaj të mëtejshëm mbi deklaratën e kreut të tij. Burime zyrtare deklarojnë se ky institucion i mbetet besnik deklaratës së të premtes së ambasadorit Bosh, deklaratë e cila më shumë e ngatërroi opinionin publik. “Ajo që dua të them është se që dje ka një kompromis shumë të mirë mbi tryezë dhe në emër të shumicës së ndërkombëtarëve do t’i inkurajoja udhëheqësit politikë të pranojnë kompromisin tani, të tregojnë kurajë, të tregojnë se janë burra shteti, të mos përpiqen të shmangen duke përdorur teknikalitete, por të shikojnë interesin e vendit të tyre”, - deklaroi Bosh më 14 maj. Por se cili ishte kompromisi që duhet pranuar nga Berisha dhe Rama, ambasadori Bosh u tregua i rezervuar në ultimatumin e tij adresuar dy liderëve kryesore përmes medies. “Liderët të cilëve unë po u drejtohem e dinë shumë mirë cili është kompromisi. Është një kompromis shumë i mirë, që duhet pranuar”, - vijoi ai. Kjo deklaratë u kuptua si një propozim që ishte hedhur në tryezën e palëve për kompromis, por sipas kryeministrit Berisha ai nuk kishte në tryezën e tij asnjë projekt të tillë. Pikëpyetjet mbi deklaratën e ambasadorit të OSBE-së u shtuan kur kreu i qeverisë refuzoi atë që nga të gjithë u cilësua si pjesë e kompromisit: propozimin për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore. Ndërkohë një ditë pas deklaratës së Bosh ambasadori i KE-së Helmut Lohan deklaroi se nuk ishte në dije për çfarë kompromisi e kishte fjalën homologu i tij ambasador, ndonëse numri një i OSBE-së e serviri kompromisin në emër të ndërkombëtarëve. “Për këtë duhet të pyetni ambasadorin Bosh”, - iu përgjigj Lohan interesit të gazetarëve mbi domethënien e deklaratës së përfaqësuesit të OSBE-së në vendin tonë. Prej kohësh diplomatët e huaj në Shqipëri po negociojnë me palët për të arritur në një pikë takimi të përbashkët, që do t’i japë fund grevës së urisë dhe krizës politike. Në negociata janë përfshirë ambasadorët Montobio, Lohan, Uidhers dhe presidenti i Republikës Bamir Topi.

Përfundimi

“Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009 përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së. Ato shënuan një progres të prekshëm dhe, pavarësisht disa dukurive shqetësuese, nuk pati prova të qarta të manipulimit të rezultateve në shkallë të gjerë”, - raportoi OSBE.

Progresi

Për zgjedhjet e 28 qershorit OSBE-ja tha se ato shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë, procesit të votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore.

Apeli

Në mbyllje të raportit përfundimtar OSBE-ja e vë theksin te vullneti dhe bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës për të realizuar reformat e ndërmarra, përmbushjen e rekomandimeve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit si dhe mbylljen e ciklit të zgjedhjeve “jo dhe aq të mira”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›