E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompromisi, nuk përjashtohet nismë e posaçme ligjore

Opozita paralajmëron kushte të reja për hetimin parlamentar

Partia Socialiste bëri të ditur dje se për hapjen e kutive do të do të përpunohet një metodologji e posaçme. Pyetjes rreth kuptimit teknik të saj, kryetari Edi Rama i është përgjigjur shkurt se “nuk është e nevojshme t’i kuptoni të gjitha në një ditë, sepse janë dy javë për të kuptuar gjithçka”. Shpjegimet e munguara në deklaratën e tij i ka plotësuar deri-diku deputeti Damian Gjiknuri, që në një prononcim për mediat televizive ka sqaruar kuptimin e metodologjisë që do të përafronte palët drejt një kompromisi. “Një gjë duhet ta konfirmoj që gjithçka është në diskutim, nuk ka përjashtime. Do të thotë që do të gjendet një formulë e tillë, një mekanizëm i tillë që të mundësojë transparencën edhe mbi dokumentet që janë pjesë e procesit zgjedhor...Opozita do të bëjë rolin e saj, do vazhdojë të përpunojë propozimet e saj, do të vazhdojë t’i qëndrojë propozimeve, t’i artikulojë ato më mirë, të shohë hapësirat sesi ato mund të axhustohen më mirë që të vijnë brenda një metodologjie të pranueshme për të kryer hetimin...”, deklaroi ai. Më tej se kaq, deputeti socialist nuk ka pranuar të shkojë duke lënë thuajse gjithçka në fushën e hipotezave. Gjithsesi rishikimi që PS po u bën propozimeve të veta në planin juridik, lë të kuptojë se nismat e saj në negocim priret të jenë të integruara në një draft–propozimesh që ndërthur interesin politik me zbatimin e dispozitave kushtetuese. Për sa i përket kësaj çështjeje, burime nga selia rozë bënë të ditur se nuk përjashtohet që kompromisi të sugjerohet përmes një nisme ligjore të posaçme, e cila do të rregullonte nevojat që ky hetim parlamentar ka për arritjen e suksesit. Metodologjia dhe riformulimi i kërkesave, pa hequr dorë nga transparenca, në kuptim të termave të përdorur deri më tani, duket se mund të plotësojnë njëri–tjetrin vetëm me anë ndërhyrjesh ligjore të reja. Për të mbetur tek ideja e Gjiknurit, se “në negociata do të diskutohet gjithçka”, kuptohet se problemi i kutive të fletëve të votimit mbetet aktual. Nisur nga kjo, me rëndësi në daljen e fundit publike të selisë rozë, që paralajmëron “Metodologji rigoroze për hetimin parlamentar”, është jo vetëm përfundimi i bisedimeve, por riintegrimi i saj në tryezë me argumente dhe bazë arsyetuese të re. Përkundrejt një qëndrimi të palëkundur të shumicës, me referenca të sakta te Kodi Zgjedhor dhe Kushtetuta, PS po përgjigjet më në fund në gjuhë teknike, e cila vendos shenjë barazimi në logjikën e negocimit. Si të thuash, ajo po përshtatet me opsionin e “zgjidhjes ligjore dhe kushtetuese”, që mund të vihet tanimë në diskutim mes varianteve të ndryshme, pranimi ose jo i të cilëve zbardh para publikut vullnetin real të palëve. Në kontekstin e 10 muajve aksion rruge, ky përparim me sens procedural ka shumë peshë, po të merret parasysh fakti se edhe pse parimisht e drejtë, kauza e PS, u keqkuptua për shkak të bashkëpërgjegjësisë në Kodin Zgjedhor dhe dobësinë e dëshmuar në debatin publik me Sali Berishën. Një nismë ligjore hipotetike e PS, është në vetvete një propozim konkret që i kthen procedurës rëndësinë që buron nga forca e argumentit dhe e drejta e patjetërsueshme për transparencë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›