Komuna e Mitrovices

Por, zyrtarët qeveritarë nuk flasin në aspektin kohor, nëse kjo do të ndodhë këtë vit, ashtu siç është shpresuar në qeverinë e kaluar.
Sllobodan Petroviq që vjen nga radhët e komunitetit serb ka një muaj që ka filluar punën si ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ka barrën kryesore për përfundimin e proçesit të decentralizimit si obligim ligjor që del nga pakoja e Ahtisaarit.
Ai e pranon se serbët e asaj pjese janë manipuluar shpeshherë nga Beogradi, porse thotë se qëllimi i decentralizimit edhe në atë pjesë është pikërisht për përmirësimin e kualitetit të jetës.
“Synimi nuk është ta formojmë komunën vetëm për shkak të letrave. Qëllimi i decentralizimit është përmirësimi i jetës së njerëzve në atë zone. Nuk mund të mos themi se edhe krijimi i komunave të reja në jug, si Graqanica Parteshi, etj., ka qenë një sfidë dhe ka pasur rezistencë edhe atëherë. Kemi punuar më tepër në drejtim të cilësisë, kjo i bën ato më të qëndrueshme. Për mua nuk është më e rëndësishme nëse komuna do të formohet një muaj më herët apo më vonë. Por sa i takon ministrisë ne do ta implementojmë planin 100%”, është shprehur Petroviq.
Sipas tij, për këtë duhet edhe ndihma e ndërkombëtarëve, Zyrës Civile Ndërkombëtare, EULEX-it dhe të tjerëve.
Ndryshe nga paraardhësi i tij, Sadri Ferati, i cili, para disa ditësh ka deklaruar se bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë pritet të stagnojnë proçesin e themelimit të komunës së Mitrovicës së Veriut, z. Petroviq shprehet se bisedimet do të lehtësojnë çështjen e decentralizimit dhe do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Këto deklarata ministri Petroviq i bëri pas prezantimit të raportit të punës së tij një mujore.
Është paraparë që së shpejti në Veriun e Mitrovicës të hapet zyra e Ekipit Përgatitor më qëllim të përgatitjes së terrenit për organizimin e zgjedhjeve, përmes së cilave do të krijoheshin strukturat e reja komunale, si pjesë e institucioneve të Kosovës.