E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna e Prishtinës ka ndryshuar kohën e aplikimit për mësimdhënës

Prishtinë 18 gusht- Dafina Bujupi, ndonëse e diplomuar prej tre vjetësh në degën e gjuhës angleze, nuk ka arritur të futet as në intervistë në konkursin për mësimdhënës në Komunën e Prishtinës. E irrituar që konkursi për mësimdhënës për vitin shkollor 2010/2011 kësaj here është publikuar në qershor e jo në gusht, siç kanë bërë shumica e shkollave në Kosovë, Dafina ka vendosur të ankohet te autoritetet e Drejtorisë së Arsimit dhe te institucioni i Avokatit të Popullit, shkruan Koha Ditore.
“Unë do të adresoj ankesë edhe në Komunë të Prishtinës, por edhe në adresë të Avokatit të Popullit për faktin që konkursi për mësimdhënës në Prishtinës është shpallur dy muaj me herët në krahasim me vitet e tjera dhe njëherazi është e vetmja Prishtina e cila këtë vit ka bërë përjashtim, ngase komunat e tjera të gjitha e kanë shpallur konkursin në fillim të këtij muaji” ka theksuar Bujupi.
Fatin e saj e ka pasur edhe Alban Zekolli. Ai ka pohuar t`i ketë humbur pushimet verore në pritje të konkursit, të cilin nuk ka arritur as të shohë.
“Që nga paslufta konkursi është shpallur ose një javë para muajit gusht ose në javën e parë të këtij muaji. Nuk kam shkuar as në pushime verore, për faktin që të jem në Prishtinë për të aplikuar, dhe tani mësoj që konkursi veçse është çështje e kryer”, ka thënë Alban Zekolli, i cili para dy vjetësh ka përfunduar Fakultetin e Matematikës në Universitetin e Prishtinës. Ky i fundit ka akuzuar Komunën e Prishtinës për, siç ka thënë ai, qasje jotransparente karshi opinionit. “Edhe nëse është shpallur konkursi, ai ka qenë i publikuar në pak media dhe unë kam hulumtuar në uebfaqen e Komunës dhe askund aty nuk figuron konkursi për mësimdhënës këtë vit”, ka potencuar Zekolli. Edhe Sadik Sadiku, sociolog i diplomuar katër vjet më parë, Muhamet Avdullahu e Avni Rexha, të diplomuar në letërsi shqipe, pohojnë të jenë diskriminuar nga ky veprim i autoriteteve komunale të Prishtinës. Megjithatë, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi, thotë se shpallja këtë vit me herët e konkursit nuk ka pasur asnjë qëllim tjetër, përveçse evitimit të mangësive që kanë dalë deri tashti.
“Duhet kuptuar që shpallja e konkursit kërkon më së paku 15 ditë kohë për të aplikuar, pastaj po aq ditë duhen që kandidatet të intervistohen, ndërsa mësimi fillon në shtator, prandaj që në shtator të mos hyhet me mungesë stafi, jemi detyruar që konkursin ta shpallim më herët”, ka pohuar zëdhënësi Gashi. Madje, sipas tij, shpallja e konkursit në këtë periudhë është bërë edhe me kërkesë të vetë stafit mësimdhënës, ngase nuk kanë dashur që pushimin e tyre veror ta kalojnë në procedura të konkursit dhe të testimit. Për më tepër Gashi ka thënë se ka të drejtë çdokush të ankohet nëse konsideron se i është bërë e padrejtë.
“Ata mund të ankohen dhe ne do t`i shqyrtojmë të gjitha ato kërkesa, nëse konstatohet se ka pasur shkelje do të marrin masat e nevojshme”, ka premtuar zëdhënësi i Komunës. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›