Komuna e Shalësit rrezikon të përmbytet
Fshati Shalës, në komunën me të njëjtin emër, rrezikon të përmbytet. Një gropë e madhe është hapur paralel me Gjolin e Kashtës, i cili rrezikon të shpërthejë. Ngjarja, sipas banorëve, duhet të ketë nisur disa ditë më parë, për shkak të reshjeve të shumta, por vetëm në mëngjesin e djeshëm është vënë re nga vendasit. Ujëmbledhësi natyror është një ndër 45 të tillë që gjenden në zonën e Dumresë. Ata janë shndërruar në liqene të vegjël, pas krijimit të gropave me origjinë tektonike të moshave disa shekullore. Gjoli i Kashtës, sikurse dhe liqenet e tjerë të Dumresë, veç vlerave mjedisore dhe turistike për këtë zonë, shërben edhe për vaditje në stinën e verës. Ujëmbledhësi i Kashtës tradicionalisht shfrytëzohet për vaditje dhe peshkim dhe ndodhet në krye të një lagjeje me afro 500 banorë. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, një gropë e madhe rreth 100 metra e thellë rezulton të jetë hapur bri gjolit dhe ky i fundit vazhdon ta mbushë me ujë atë. Për shkak të shtresave karstike të argjinaturës natyrore të këtij gjoli, ai mund të çahet shumë shpejt, çka rrezikon jetën e banorëve. Sipas deputetit të zonës, Ndriçim Hysa, i është kërkuar ndërhyrje Drejtorisë së Ujërave, në Rrethin e Elbasanit, sido që nuk është detyrë e kësaj të fundit të përgjigjet për dukuritë natyrore të ujëmbledhësve të Dumresë. Mësohet se është vënë në dijeni institucioni i prefekturës për të marrë masa mbrojtëse, pasi autoritetet komunare nuk kanë as mundësi teknike e as financiare. E vetmja masë paraprake, nga ana e komunës, ka qenë vrojtimi 24 orë me roje nga banorët e fshatit, në rast të shembjes së paretit të ujëmbledhësit.