Fëmijët autikë, preken më shumë meshkujt
Janë fëmijë të bukur, që në pamje të parë duken normalë, por me rritjen dhe kalimin e kohës, kupton që diçka nuk shkon siç duhet në jetën e tyre. Raportimet e kohëve të fundit kanë vlerësuar se 3-4 fëmijë në 1000 vuajnë nga autizmi infantil. Kjo sëmundje prek më tepër meshkujt, sesa femrat në raportin 4:1. Autizmi është paaftësi zhvilluese e përjetshme, e cila ndikon në mënyrën se si personi komunikon dhe sillet me njerëzit përreth. Fëmijët dhe të rriturit me autizëm kanë vështirësi në afërsinë me të tjerët, në mënyrë të thjeshtë. Aftësitë e tyre për shoqërizim dhe për të kuptuar shprehjet emocionale të njerëzve të tjerë janë të kufizuara. Njerëzit me autizëm nuk kanë aftësi të kufizuara fizike. Për këtë shkak, është vështirë të krijohet më shumë dijeni dhe mirëkuptim për këtë gjendje. Për shkak se fëmijët me autizëm duken "normal", njerëzit mendojnë se ata janë të pasjellshëm apo prindërit nuk mund ta kontrollojnë fëmijën. Njerëzit zakonisht e shohin këtë si "dështim". Realiteti për personin me autizëm është i pështjelluar, një grumbull i ngjarjeve bashkëvepruese, njerëzve, vendeve, tingujve dhe pamjeve. Duket që nuk ka kufi të qartë, rregull apo kuptim për asgjë. Shkaku apo shkaqet e autizmit janë ende të panjohura, por studimet tregojnë që faktorët gjenetikë janë me rëndësi. Po ashtu, nga studimet është e dukshme që autizmi mund të jetë i lidhur me gjendjet e tjera që ndikojnë në zhvillimin e trurit që ndodhin para, gjatë apo menjëherë pas lindjes së foshnjës. Disa nga shenjat e para të sëmundjes janë çrregullimet e zhvillimit dhe çrregullimet gjuhësore, por mund të ekzistojnë edhe simptoma shumë të veçanta si vetëdëmtimi që vëzhgohet ndonjëherë herët. Anomalitë e hershme të zhvillimit dhe të sjelljes përmbledhin gjithë sektorët e personalitetit: motor, percepsionet, të folurën dhe komunikimin, emocionet, funksionet njohëse, funksionet instiktive.