Komuna e Velesit kërkon heqjen e bilbordeve në gjuhën shqipe

Komunës së Velesit i pengojnë bilbordet reklamuese në gjuhën shqipe të televizionit Alsat – M.
Lajmi bëhet i ditur nga kompania Screen Media, e cila ka vendosur bilbordet dhe të cilës i është kërkuar që të tërheq ato, ose ti rivendos vetëm në gjuhën maqedonase.
Përmbajtja e bilbordeve në gjuhën shqipe është material reklamues për serialet televizive të TV Alsat – M.
Konstandin Nastevski udhëheqës sektori në këtë komunë pas kamerave të televizionit ka pranuar se është kërkuar një gjë e tillë, por mohon se këtë ta ketë bërë komuna.
“Nuk thash se ka paraqitje, jo zyrtarisht kisha informacione se ndokush diçka ka kërkuar. Duhet të shoh se çka është. Nuk ka për momentin asnjë informatë që mund të ju them se ka paraqitje, qëndrim zyrtar të Komunës nuk kemi, as me shkrim as me gojë, nuk shoh ndonjë problem”, ka theksuar Nastevski.
Nga ana tjetër, qytetarë të anketuar, kanë mirëpritur reklamat sidomos për serialet televizive turke që ekskluzivisht transmetohen si premierë në TV Alsat – M. (INA)