Vjedhja me armë e pensioneve, arrestohen dy vëllezërit Begaj
Dy ditë pas grabitjes së pensioneve të një komune në Mallakastër, policia identifikon dhe arreston dy vëllezërit e dyshuar. Me maskat dhe automatikët e përdorur për kryerjen e grabitjes së armatosur, por ende nuk ka shtënë në dorë paratë e vjedhura. Operacioni për kapjen e dy grabitësve të dyshuar ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së dy netëve më parë, duke u gdhirë dita e djeshme, ndërkohë që fakti konfirmohet nga burime zyrtare policore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit. Tashmë, grabitja me armë dhe maska e parave të pensioneve ka dy emra autorësh të dyshuar dhe disa prova. Gjergji Begaj, 20 vjeç dhe vëllai i tij, nëntë vjet më i madh, Florian Begaj, që të dy lindur dhe banues në Corrush, Komuna Kutë e rrethit Mallakastër. Ata janë arrestuar dje, si autorë të dyshuar të grabitjes me maska. Kjo ngjarje ndodhi të premten në vendin e quajtur “Përroi i kishës”, në rrugën rurale brenda pyllit. Atje po lëvizte nga fshati Kutë i komunës me të njëjtin emër, për në fshatin Corrush, Bajram Islamaj, punonjësi “Albapostës” për shpërndarjen e pensioneve. Sipas burimeve policore, në momentet që ai ishte duke udhëtuar në këmbë nga fshati Kutë ku banonte, për në fshatin Corrush, kishte me vete një shumë prej rreth 800 mijë lekësh, të cilat do t’ua shpërndante pensionistëve të këtij fshati. Në udhëtim e sipër, sikurse Islamaj denoncoi, i ka dalë përpara një person me automatik e me maskë në kokë dhe i ka marre forcërisht shumën e parave që kishte me vete. Pas ngjarjes, Islamaj ka denoncuar në polici grabitjen. Policia ka nisur hetimet dhe ka çelur operacionin e koduar “Corrush 2009”. “Duke përdorur metodat e hetimit special, u arrit të administrohen prova për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje, vëllezërit Gjergji dhe Florian Begaj”, - tha një burim zyrtar policor. Gjatë kontrollit të banesës së dy djemve, u gjetën 2 armë, automatikë model 56, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Për këtë ngjarje, policia tha se ndaj dy vëllezërve u mor masa e ndalimit dhe materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprat penale të “vjedhjes me armë” dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të kryera në bashkëpunim.
Apeli
Duke folur dje përmes një deklarate për shtyp në lidhje me ngjarjen e ndodhur, Drejtoria e Policisë së Fierit ka lëshuar një thirrje “në vëmendje të gjithë drejtuesve të pushtetit vendor dhe institucioneve shtetërore e sidomos punonjësve të “Albapostës”, për shpërndarjen e pensioneve”, që “të respektojnë rregullat dhe masat e sigurisë për qarkullimin e parave”. Në këtë pikë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier paralajmëroi dhe kërcënoi se “në rastet e konstatimit të shkeljeve të këtyre rregullave, nga ana e policisë do të merren masa ndëshkuese konform ligjit”.