Nishani: Do të ngushtoj hapësira procedurale me të cilat abuzojnë avokatët
Ministria e Drejtësisë pritet të nisë një iniciativë, që të përcaktojë qartazi se në çfarë momenti mund të ndërhyjë në pjesën e legjislacionit, në mënyrë që kushdo që tenton të abuzojë, ta ketë këtë hapësirë të mbyllur
Shtyrja e vazhdueshme e proceseve gjyqësore ka bërë që Ministria e Drejtësisë të mendojë gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund këtij problemi. Zgjidhja pritet që të zhdukë vonesat e vazhdueshme, të cilat përbëjnë një “ngërç” në funksionimin e proceseve gjyqësore në ngarkim të personave apo grupeve kriminale të marra nën hetim. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, u shpreh në një intervistë për “Top Channel” se do të jetë e nevojshme një ndërhyrje në legjislacion, për të ngushtuar hapësirën procedurale që mund të përdoret për abuzime. “Dhoma e Avokatisë ka ndërhyrë. Ka dhënë madje disa masa paralajmëruese dhe vërejtje për avokatë të veçantë, të cilët nuk respektojnë procedurat e hetimit gjyqësor. Por ajo që unë mendoj nisur edhe nga një konsultim që unë kam pasur, qoftë me përfaqësues dhe drejtues të Dhomës së Avokatisë qoftë me drejtues të institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit, është fakti që ndoshta do të lindë e domosdoshme një ndërhyrje në legjislacion, për ta ngushtuar maksimalisht hapësirën procedurale që mund të përdoret për abuzime nga ana e avokatëve në seancën gjyqësore”, - u shpreh Nishani. Sipas numrit një të Ministrisë së Drejtësisë, për të realizuar këtë ndërhyrje duhen dy gjëra. “Së pari duhet të jetë një produkt konsensual, domethënë të merret vendimi në të gjitha institucionet të zbatimit të ligjit për faktin sepse të gjithë këta aktorë janë të përfshirë në një proces gjyqësor”, - u shpreh ministri, duke shtuar se “le të themi që nga Policia e Shtetit, nga prokuroria nga avokatia dhe nga gjyqësori. Ashtu siç është pjesa e dytë që duhet të ndërhyjmë, që ta bëjmë tërësisht në respekt të doktrinës së Gjykatës së Strasburgut”, - u shpreh ai. Nishani shtoi se në ditët që vijnë do të konkretizohet ky shqetësim, përmes një grupi pune të përbashkët, me përfaqësues nga gjyqësori, me përfaqësues nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me përfaqësues nga Dhoma e Avokatisë dhe me përfaqësues nga organi i prokurorisë.
Sipas Nishanit, nëse arrihet në një konkluzion, ku në parim dhe në themel të respektohet tërësisht ofrimi dhe sigurimi i të drejtës së mbrojtjes të personit të pandehur, atëherë procedura duhet të jetë shumë më strikte dhe më përcaktuese, në mënyrë të tillë që të mos ketë hapësira abuzuese nga ana e avokatit gjatë hetimit gjyqësor, në mënyrë të tillë për të shtyrë seancën gjyqësore, por trupi gjykues të ketë të gjithë të drejtën dhe hapësirën ligjore për ta vazhduar procesin dhe seancën pa ndërprerje.
Por ministri i Drejtësisë shton se një nismë e tillë kërkon pikë së pari një konsultim midis të gjithë palëve, por sipas tij, kjo çështje zgjidhet nëse zbatohet në legjislacion. “Natyrisht që kjo kërkon një konsultë dhe një mendim të gjerë, por unë besoj që është zgjidhja e vetme ndërhyrja dhe përcaktimi në legjislacion, sepse në fund të fundit, pavarësisht dëshirave dhe pavarësisht qëndrimeve subjektive që mund të mbajë në konsideratë çdo institucion më vete i zbatimit të ligjit, unë mendoj që çështja e ligjshmërisë bëhet më efiçente nëse ajo është e zbatuar në legjislacion”, - shpjegoi Nishani.
Ministri i Drejtësisë shtoi se nga njëra anë çdo individ ka të drejtë të mbrohet, por jo t’i shfrytëzojë të drejtat e tij për të shtyrë procesin.