Komunikim pa limit dhe internet të fortë
Prej datës 20 maj, "ALBtelecom" ka hedhur në treg planin tarifor për klientët familjarë, "Pa limit", e cila u mundëson abonentëve të flasin gjatë dhe pa limit kundrejt një pagese fikse prej 500 lekë (pa TVSH). Drejtori i Përgjithshëm, Mustafa Resit Akdogan, në konferencën për shtyp tha se sikundër është premtuar dhe më parë, kompania ka përgatitur një paketë të veçantë për të gjithë abonentët familjarë. "Krahas kësaj pakete shumë ekonomike, "ALBtelecom" ka menduar edhe për thjeshtimin e procedurave dhe për t‘u bërë pjesë e këtij plani tarifor, ku abonentët familjarë mund të aplikojnë në pikat e shitjes, pa asnjë tarifë shërbimi", tha Akdogan. Abonentët që bëhen pjesë e këtij plani tarifor do të vazhdojnë të paguajnë tarifën e pajtimit mujor prej 240 lekësh (pa TVSH). Ndërkaq, duke nisur nga 1 qershori, kompania do të dyfishojë kapacitetin e internetit për abonentët ekzistues, ndërsa tarifat nuk do të rriten, madje do të ketë një ulje të çmimeve për disa prej paketave të veçanta, të cilat variojnë nga 10 deri në 40%. Një tjetër ofertë ka të bëjë me modem, instalim dhe dy muaj internet falas, nëse lidh kontratë brenda datës 29 maj. Aktualisht kompania ka mbi 293 mijë abonentë.