E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi "Willson" do të rigjallërohet

"Makinat, që shpesh pengojnë njëra-tjetrën në sheshin ‘Ëillson‘, do të disiplinohen". Ky është një premtim që vjen nga Bashkia e Tiranës, pas hartimit të projektit që do të rigjallërojë përmes një konceptimi të ri sheshin "Ëillson", te Tirana e Re. Falë kontributit financiar të një banke private, në këtë shesh do të bëhen disa ndërhyrje urbane që do të kenë efekt jo vetëm në imazh, por edhe në funksionalitetin e tij. Kështu rrethi qendror, (rotonda) do të riformulohet me një trotuar të cekët 1 metër, që do të mundësojë një qarkullim më të sigurt të makinave. Në brendësi të rrethit do të shtohet sipërfaqja e brendshme dhe do të ketë një kodrinë bari, të veshur me shkurre dekorative.

"Rigjallërimi i hapësirave publike është një proces i pandalshëm, jo vetëm si prioritet i Bashkisë së Tiranës, por edhe si shtysë apo dëshirë për të kontribuar nga komuniteti dhe sipërmarrjet private", shprehen përfaqësuesit zyrtarë të vendorëve kryeqytetas. Në këndet anësore të sheshit do të ketë ribërje totale dhe zëvendësim të ndenjësve të drunjta, rivendosje të ndriçimit, si dhe shtim të sipërfaqeve të gjelbëruara. Ndërhyrja në këtë rast parashikon pastrimin total, lyerjen e kangjellave dhe stolave, si dhe rregullimin e ndriçuesve në pemë. Gjithashtu, do të ketë edhe një sistemim të trotuareve, nga ndërtimet pa leje përreth. Sipas përfaqësuesve të bashkisë, ndërhyrja ishte rrjedhojë e situatës së amortizuar që paraqitej në këtë shesh, ndonëse më parë i rehabilituar. Kjo gjë sjell në dritë edhe një çështje tjetër, që ka të bëjë me mirëmbajtjen e investimeve publike nga vetë komuniteti i biznesit që operon në zona të qytetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›