E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtrëngohet laku i borxheve

Qeveria shqiptare mund të përballet me vështirësi të konsiderueshme në shlyerjen e borxhit të jashtëm dhe të brendshëm gjatë viteve në vijim, si pasojë e kombinimit të disa faktorëve, bëjnë të ditur ekspertë të financave publike. Ngadalësimi ekonomik mund të sjellë mungesë depozitash në banka, gjë që vështirëson rifinancimin e borxhit të brendshëm, ndërsa detyrimi për të shlyer borxhet e jashtme të grupit të Bankës Botërore mund të dyfishojë ngarkesën mbi buxhetin e shtetit.

Borxhi i jashtëm i Shqipërisë ishte 2.2 miliardë dollarë në fund të vitit 2008 dhe pritet të rritet deri në 2.6 miliardë dollarë në vitin 2009. Problemi është se shumica dërrmuese e borxhit ekzistues do të fillojë të shlyhet gradualisht gjatë dekadës në vijim. Kreditë e marra nga grupi i Bankës Botërore kanë pasur një periudhë falas prej 10 vjetësh dhe afat maturimi 30 vjet. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre borxheve janë tërhequr në vitet 1998-2004, gjë që do të thotë se do të fillojnë të shlyhen në vitet në vijim. Buxheti i shtetit i Shqipërisë shpenzon zakonisht 10 për qind të totalit për shlyerjen e interesave të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, por kur shpenzimeve t‘i shtohen edhe pagesa e principalit të kredive të marra në të shkuarën, buxheti mund të detyrohet të kanalizojë 15-20 për qind të shpenzimeve për borxhin publik. Por rreziku më i madh duket se vjen nga shpenzimet e sigurimeve shoqërore. Pensionet që paguhen sot, në një masë të konsiderueshme janë borxh në të gjitha kuptimet me përjashtim të emrit. Buxheti i shtetit mbulon 40 për qind të shpenzimeve për sigurime shoqërore e shëndetësore, por numri i përfituesve në skemë pritet të rritet me shpejtësi në vitet në vijim, ndërkohë që rritja e kontribuuesve është e pasigurt. Rritja e shpenzimeve për borxh, pensione dhe kujdes shëndetësor, rrezikon ta kthejë buxhetin e shtetit në një mekanizëm bllokues për ekonominë e vendit, pasi mundësia për të investuar në infrastrukturë do të zvogëlohet dhe shërbimet publike nuk do të mund të përshtaten me zhvillimin ekonomik, sipas ekspertëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›