Berisha: Qeveria projekt europian për shqiptarët, PS bllokim
Kuvendi miraton vetëm me votat e mazhorancës projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, hiqet 10 për qindëshi për pagat nën 30 mijë lek
Kuvendi miratoi dje me 69 vota “pro” dhe 51 kundër, projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” si dhe me votë unanime, 119 vota “pro”, kontratën e Koncesionit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe ENV për ndërtimin e HEC-it në lumin Devoll.
Gjithashtu, me 69 vota “pro” dhe 51 kundër, kuvendi miratoi edhe pr/ligjin për disa shtesa në ligjin “Për sistemin e taksave vendore” të ndryshuar. Përmes vendimit të tatimit mbi të ardhurat, hiqet taksa 10% nga pagat deri në 30 mijë lekë. Opozita ka mbrojtur tezën për një taksim progresiv, ndërkohë që mazhoranca ka vlerësuar si një politikë e tillë fiskale dëmton kapitalin. Ministri i Financave, Ridvan Bode i cilësoi ndryshimet e propozuara në ligjin “Për të Ardhurat” si përgjigje adekuate e zhvillimeve në ekonominë e vendit. “Kjo paketë ambicioze është shumë dimensionale. Është një mbështetje e investimeve dhe punësimit përmes investimeve reale. Ndërmarrja e kësaj nisme tregon kujdes maksimal që shtresat me të ekspozuara të shoqërisë të mund të jenë më të mbrojtura dhe të sigurta në mënyrë që zhvillimet në rajon dhe më gjerë të na gjejnë një pozicion më të sigurt”, tha Bode.
Ministri shpjegoi se ligji konsiston në dy masa, e para ka të bëjë me heqjen e tatimit mbi të ardhurat të pagave e të ardhurave të tjera deri në masën 30 mijë lekë në muaj, dhe e dyta ka të bëjë me heqjen e tatimit mbi pasuritë dhe shtëpitë për240 mijë familje me të ardhura nën kufirin prej 100 mijë lekësh në vit. Sipas ministrit Bode, kalimi në këtë nivel përshtatet më mirë me mundësitë që ka ekonomia shqiptare. Bode i konsideroi elektorale edhe propozimet e PS-së për taksën progresive. Sipas tij, opozita ka prezantuar idenë e taksës progresive, e cila, tha ai, ka vetëm efekt elektoral dhe nuk ka asnjë efekt në të ardhurat për individët.
Debatet gjatë seancës për tatimin mbi të ardhurat dhe kontratën e ndërtimit të HEC-it të Devollit/Kuvendi debatoi rreth ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” që kanë të bëjnë me heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë ata individë që kanë paga deri në 30 mijë lekë në muaj.
Sipas ministrit të Financave Ridvan Bode nga ky ligj përfitojnë rreth 220 mijë individë në të gjithë vendin, ndërsa impakti që do të ketë kjo nismë në buxhetin e shtetit llogaritet të jetë rreth 2.5 miliardë lekë. Deputetët e opozitës e kundërshtuan propozimin e qeverisë si një nismë me efekte elektorale. Kostoja financiare në buxhetin e shtetit e krahasuar me të dhënat e vitit 2012 është rreth 2.5 miliardë lekë. Drafti i qeverisë parashikon taksë zero për të gjitha pagat nga 0-30 mijë lekë. Drafti synon që përmes mos-taksimit të të punësuarve me të ardhura nga 0-30 mijë lekë, të cilët më parë taksoheshin me 10% të shumës mbi 10 mijë lekë, të rriten të ardhurat e disponueshme të tyre, të cilat janë një faktor i rritjes së nivelit të konsumit.
Gjithashtu, ligjvënësit diskutuan në seancën parlamentare të ditës së sotme ndryshimin në ligjin “Për miratimin e Kontratës së Koncesionit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, si Autoritet Kontraktues dhe ENV AG, STATKRAFT AS dhe DEVOLL HYDROPOËER SH.A., si bashkëkoncesionarë, për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll”.
Por një çështje e tillë u shoqërua me një debat të ashpër mes opozitës dhe pozitës në Kuvend. Sipas kreut të qeverisë, Sali Berisha me miratimin e këtij ndryshimi, Kuvendi shënon një vendim historik. Sipas kryeministrit, projekti ka rëndësi historike pasi do sjellë punësimin e mijëra qytetarëve.
“Kjo kontratë ka rëndësi të jashtëzakonshme se në këtë vepër do punësohen 4 deri në 5 mijë punëtorë dhe inxhinierë të qarkut të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë. Së dyti ka rëndësi të jashtëzakonshme se kjo përbën një investim tjetër gjigant në historinë e vendit, përbën kurorëzimin me suksesin më të madh të përpjekjeve të kësaj mazhorance për të bërë Shqipërinë, vendin më të tërheqës për investime të huaja. Kjo përbën sukses tjetër, po të kemi parasysh kohën në të cilën ndodh, kohë kjo, recensioni dhe krize për vendet më të zhvilluara të Europës. Kjo përbën një arritje madhore, në strategjinë tonë, të shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi të energjisë së rinovueshme. Sot një nga leksionet më të mëdha që po përjeton bota e zhvilluar është se çdo qeveria dhe çdo vend e shoqëri do bëjë gjithçka për zhvillimin e qëndrueshëm, jo zhvillimi por zhvillimi i mjaftueshëm”, tha ai.
Sipas tij, zhvillimet e paqëndrueshme të rikthejnë pas, kurse energjia e rinovueshme siç shtoi kryeministri, është një nga shtyllat themelore të zhvillimit ekonomik.
“Historia fakton se zhvillimet e paqëndrueshme të kthejnë prapa, mund të krijojnë papunësira masive, zhvillimet e pamjaftueshme mund të shkaktojnë jo zhvillime, por rritje të varfërisë. Unë besoj se ne po ecim në rrugën e duhur dhe përqendrimi i madh në energjinë e rinovueshme në energjinë e rinovueshme dhe ujore përbën një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit. Në këtë sallë, ju në mënyrë të përsëritur keni parë deputetë të votojnë kundër koncesioneve, kundër kontratave, por unë dua të them se në historinë e zhvillimit të historisë, firmosja e rreth 127 kontratave për ndërtimin me koncesion të përmbi 360 hidrocentraleve përbën një sukses të madh për shqiptarët, vlerësoi kryeministri, duke theksuar se, në mandatin e ardhëm në këto vepra do punësohen së paku 30 mijë shqiptarë”.
Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi replikoi me kryeministrin, duke i kërkuar që të mos shpalosë alternative të partisë Demokratike në Kuvend, por të japë llogari për premtimet e pa mbajtura. Në përgjigje, shefi i ekzekutivit tha se opozita po bllokon procesin e integrimit me bllokimin e tre ligjeve. Berisha premtoi se në këtë mandat mazhoranca shkon tek qytetarët me përpjekjen njerëzore për projektin evropian që opozita bllokon në mënyrë të padrejtë, dhe jo për arritjen që barë në mandatin që la pas, siç ishte liberalizimi i vizave, dyfishimi i pagave dhe pensioneve etj.
“Pra koha shkoj tek qytetari dhe biznesmeni shqiptar që së bashku të punojmë programin e katër viteve të ardhshme që të bëjë të harrojmë këto që realizuam gjatë viteve që shkuam. Shkoj te shqiptarët pasi i kam faktuar përpjekje njerëzore për projektin evropian që po e bllokoni në mënyrë të padrejtë. Nuk u gjet shpirti dhe kurajo për të votuar 3 ligje që i mbani peng gjer më 23 qershor, kur shqiptarët do flasin me votën e tyre. Nuk shkoj tek biznesmeni për të rrah gjoksin për reformat e thella që na rendisin ndër vendet më të avancuar, por për të dëgjuar se çka do bëjmë në 4 vite që vijnë për të renditur ndër vendet më të mira të Evropë. Nuk shkoj ti them se do rris taksat se shkatërron vendet e punës, pasi kjo do thotë investitorëve të huaj mos hajde ne Shqipëri. Nuk i them se gjykata është kasaphanë. Unë shkoj tek ata për ligjin edhe lirinë ekonomike. Meqenëse e kishe merak se çfarë do u them, unë kam shumë për tu thënë, por problemi është ky se do i them kemi bërë shumë, por do bëjmë shumë më tepër”, theksoi Berisha.
Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri kërkoi afatet se kur do të nisin realisht punimet për këtë vepër, pa harruar interesat e banorëve të kësaj zone. Ndërsa deputeti Arben Ahmetaj nga ana e tij pasi deklaroi votën pro ndaj këtij ndryshimi në kontratën koncensionare, kërkoi nga ekzekutivit që të japë shifrën e investimeve në ndërtimin e HEC-it të Devollit.