E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunitetet fetare kundër martesave homoseksuale

“Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë përmes Këshillit të Presidencës në të cilin bëjnë pjesë krerët e katër Komuniteteve Fetare Tradicionale në Shqipëri deklaron:

Jemi në kundërshtim të plotë me iniciativën e qeverisë për hartimin e ligjit për njohjen e martesave homoseksuale në Republikën e Shqipërisë. Shprehim me indinjatë shqetësimin tonë për rrezikun që i kanos ky ligj shoqërisë shqiptare. Kombi ynë ka respektuar bërthamën e shoqërisë; familjen. Pavarësisht vështirësive të shumta që po kalon ajo në këto vite tranzicioni e ndryshimesh të mëdha social-ekonomike, familja shqiptare ka ditur ta ruajë karakterin e saj të shenjtë dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në mbrojtje të identitetit, dinjitetit dhe mirëqenies kombëtare. Iniciativën e mësipërme e vlerësojmë si sulm për dobësimin e familjes natyrale midis një mashkulli dhe një femre, e cila është dhuratë e Zotit dhe përbën bërthamën më të fortë të shoqërisë shqiptare.

Politika formon struktura e institucione, ndërsa besimi formon zemrat dhe moralin shpirtëror të kombit. Njëzëri, shprehim vullnetin tonë të përbashkët në mbrojtje të familjes, të ardhmes së fëmijëve tanë dhe vlerave të saj, ashtu siç na mëson feja dhe të parët tanë, dhe bëjmë thirrje për heqje dorë nga miratimi i këtij projekt-ligji. Ne duhet të bëjmë atë çka është e drejtë, jo për sytë e botës “moderne”, por përpara Perëndisë, dhe vetëm atëherë mund të presim që Ai t’i dëgjoi lutjet tona dhe të na bekojë në rrugën e përparimit e zhvillimit të vërtetë.”

Firmëtarë të letrës së hapur janë krerët e komuniteteve fetare në vend, Haxhi Selim Muça (Kryetar i Komunitetit Musliman), Fortlumturia e Tij, Anastasi (Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë), Imzot Rrok Mirdita (Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Kisha Katolike Shqiptare), Haxhi Dede Reshat Bardhi (Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane).

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›