E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi viziton komunitetin boshnjak në Xhafzotaj

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zhvilluar dje një vizitë në fshatin Borak të Komunës Xhafzotaj, i ftuar nga komuniteti boshnjak që jeton prej shumë vitesh tashmë në këtë zonë. Zyra e shtypit pranë Presidentit bën të ditur se kreu i shtetit është pritur nga kryetari i Komunës Xhafzotaj, Agim Hoxhaj; kryetari i shoqatës së komunitetit boshnjak në Shqipëri, z.Fiqiri Klari dhe nga banorë boshnjakë të fshatrave Borak e Koxhas. Në fjalën e hapjes, kryetari i shoqatës së komunitetit boshnjak në Shqipëri, Fiqiri Klari, e ka falënderuar Presidentin e Republikës për këtë vizitë të parë si kryetar shteti, duke i kujtuar se Topi është mik i kësaj zone, pasi e ka vizituar atë vazhdimisht ndër vite. Ndërsa Presidenti është shprehur se e ka pranuar me shumë kënaqësi ftesën për të ardhur mes komunitetit boshnjak, jo vetëm si detyrim institucional, por edhe moral, pasi në këtë fshat ka qenë edhe herë të tjera. "Me kënaqësi konstatoj se komuniteti boshnjak që ka mbërritur te ne që në vitin 1875 është ndër më të integruarit në Shqipëri si një komunitet shumë i emancipuar, punëtor e mjaft mikpritës, që ka ditur të përballet me të gjitha sfidat tona të përbashkëta", ka thënë Presidenti Topi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›