E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuniteteve fetare, ligji 7501 nuk u prek pronat

22/09/2009  Flet myftiu i Shkodrës Ndriçim Sulejmani: Kryeministri premtoi se do të zbatohej marrëveshja

SHKODER- Myftiu i Shkodrës Ndriçim Sulejmani ka bërë të ditur se gjatë takimit të një dite më parë me Kryeministrin Berisha është diskutuar kryesisht lidhur me problemet e hasura në kthimin e pronave të komuniteteve fetare. Në këtë takim të organizuar pas ceremonisë së festës së Fitër Bajramit, përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme fetare ngritën shqetësimet e tyre në lidhje me çështjen e pronave, ku më të theksuara ishin problematikat e hasura nga Myftinia e Shkodrës.

Pronat

“Në këtë takim u trajtua me përparësi çështja e kthimit e kompensimit të pronave, ku Kryeministri shprehu interesim të madh dhe të veçantë për pronat e komuniteteve. Drejtuesit më të lartë të fesë i propozuan Kryeministrit Berisha që komuniteteve të mos u preken pronat nga ligji 7501” , bën të ditur myftiu Sulejmani. Njëkohësisht myftiu i Shkodrës imam Ndriçim Sulejmani theksoi se Kryeministri Sali Berisha shfaqi interes të veçantë për t’u njohur me të gjitha shqetësimet dhe problemet që kishte komuniteti mysliman i Shkodrës, si komuniteti me më pak prona të kthyera. Kryeministri Berisha, sipas myftiut Sulejmani, shprehu angazhimin e tij për zgjidhje të shpejtë dhe me prioritet të këtyre problemeve. “Kryeministri konfirmoi paprekshmërinë e pronave nga ligji 7501. Ne si komunitete shprehem dhe disa shqetësime që kemi pasur si komunitet mysliman për pronat e myftinisë së Shkodrës. Sigurisht që u mbajtën shënime dhe shpresojmë që ligji që ka kaluar për miratim në Parlament për pronat e komuniteteve fetare do të marrë rrugën e duhur, sepse ligji mbi pronat ka një status të veçantë që nuk i trajton pronat e komuniteteve fetare si pronat e pronarëve të tjerë”, theksoi Myftiu Sulejmani. Sipas informacionit të marrë në myftininë e Shkodrës, në fillim të këtij viti Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi marrëveshjen për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella ndërmjet qeverisë shqiptare dhe komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, shteti u njeh komuniteteve fetare të drejtën e pronës mbi sende të paluajtshme dhe të luajtshme. Komunitetet fetare sipas kësaj marrëveshjeje rinjihen si trashëgimtarë të pronave përkatëse. Në përputhje me legjislacionin në fuqi shteti trajton me përparësi kërkesat e komuniteteve fetare të Shqipërisë për kthimin dhe kompensimin e pronave, por akoma shumë dosje të këtyre komuniteteve gjenden në Agjencitë e Kthimit të Pronave, apo janë në procese të pambarimta gjyqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›