E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuniteti çam dhe koshienca regjionale

Prof.As.Dr.Selman Sheme* 

Studimet e fundit regjionale janë fokusuar në mënyrën me të cilën njerëzit, individët dhe grupimet e caktuara shoqërore vlerësojnë hapësirën e në veçanti botën që ata i rrethon  Në kohët që jetojmë janë zgjeruar hapësirat e zhvendosjes, lëvizjet migruese të njerëzve, mallrave, kapitaleve, informacioneve etj. Në ditët tona kanë marrë kuptim tjetër edhe ideologjitë, të cilat kanë shërbyer si bartëse të identitetit nacional. Shteti nacional nuk ka më kuptimin e mëparshëm. Kufijtë politikë midis shteteve në kuadrin e proceseve integruese po marrin karakter konvencional. Në këto kushte po marrin përparësi regjionet me tipare të përbashkëta mjedisore dhe etno-kulturore.
Në formimin e vetëdijes regjionale veprojnë një mori faktorësh, ndër të cilët edhe kujtesa historike kolektive, e cila ruhet dhe transmetohet nga njëra gjeneratë në tjetrën. Popujt, grupimet shoqërore, ruajnë kujtimet për territorin, hapësirën gjeografike nga janë shpërngulur dhe ku ata kanë qenë autoktonë. Këto kujtime ndikojnë fuqishëm në kohezionin, lidhjet midis njerëzve dhe mes këtyre të fundit dhe territorit. Popujt autoktonë janë të ndërgjegjshëm se stërgjyshërit e tyre kanë lindur dhe kanë banuar në një territor të caktuar. Kohezioni dhe koshienca regjionale është mjaft e fortë në rastin e popujve të shpërngulur me dhunë.
Hebrenjtë u shpërngulën nga trojet stërgjyshore 30 shekuj më parë. Megjithatë kudo që migruan ruajtën dhe përpunuan gjuhën, fenë, kulturën e tyre, ruajtën kompaktësinë etnike dhe në fund të shekullit XIX filluan të organizohen për të arritur aspiratat e tyre kombëtare. Edhe populli palestinez pas shpërnguljes së dhunshme ruajti identitetin dhe ndërgjegjen kombëtare dhe pas viteve 60’ filloi të organizohet e të luftojë për krijimin e shtetit në trojet e veta.
Kujtesa historike kolektive është ruajtur dhe transmetuar nga njëra gjeneratë në tjetrën në hapësirën etnike shqiptare në Ballkan. Me gjithë vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në 1913, e cila e copëtoi Shqipërinë duke shkëputur nga shteti amë mbi 47.000 km², ku banonte një popullsi prej 1.7 milionë banorë, me gjithë shpërnguljet me dhunë të popullsisë nga Kosova, Çamëria e treva të tjera shqiptare, në periudha të ndryshme historike, shqiptarët kudo që jetojnë ruajnë gjuhën e kulturën e tyre, identitetin dhe ndërgjegjen kombëtare.
Një shembull tipik i ruajtjes së kujtesës historike kolektive, i lidhjeve të forta shpirtërore të popullsisë së shpërngulur me krahinën e origjinës, përbën komuniteti çam që jeton në shtetin amë, Shqipëri. Dihet që në fundin e Luftës së II Botërore (Qershor 1944 – Mars 1945), bandat kriminale të gjeneralit famëkeq Napolon Zervas, shpërngulën me dhunë nga vatrat e tyre etnike rreth 35 mijë shqiptarë të fesë myslimane  që jetonin në krahinën e Çamërisë. Popullsia e shpërngulur u strehua në shtetin amë dhe u vendos kryesisht në Ultësirën Perëndimore. Duke u mbështetur në koeficientin e shtimit natyror të popullsisë dhe të dhënat e regjistrimit të popullsisë nga Shoqëria Politike Atdhetare Çamëria, rezulton se numri i popullsisë çame në Republikën e Shqipërisë është mbi 250.000 banorë. Shqiptarët e Çamërisë që jetojnë në shtetin amë ruajnë të fortë kujtesën historike kolektive, traditat, të drejtën zakonore të kultivuar në shekuj, dialektin e tyre të lashtë, këngët, vallet, folklorin, veshjet e tyre karakteristike, në tërësi koshiencën regjionale dhe vendosmërinë për t’u kthyer në trojet e veta.
Me shpërnguljen e popullsisë çame (1944-1945), pati një tronditje të madhe të lidhjeve të popullsisë me krahinën e origjinës. Regjimi komunist e izoloi vendin totalisht nga bota,  për pasojë u penguan lidhjet e natyrshme të kësaj popullsie me vëllezërit e tyre ortodoksë shqiptarë që jetonin në Çamëri.
Në prill të vitit 1953, me një dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe të pashpallur në “Fletoren Zyrtare”, regjimi komunist i dha komunitetit çam padrejtësisht shtetësinë shqiptare. Mbas këtij akti çështja çame u la në harresë. Në kurrikulat shkollore, veçanërisht në programet e lëndëve shoqërore, krahina e Çamërisë nuk studiohej.
 Ligji i luftës me Shqipërinë, i vendosur nga shteti grek në 1940, vazhdon ende të mbetet në fuqi dhe përbën pengesën kryesore për riatdhesimin, kthimin e pronave së bashku me kompensimet dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë me origjinë nga Çamëria për të vizituar krahinën e origjinës.
Një situatë të pafavorshme për realizimin e aspiratave të komunitetit çam kanë krijuar vështirësitë dhe problemet e mëdha të periudhës së tranzicionit, zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, mungesa e stabilitetit etj.
Me gjithë këto pengesa dhe situatë të pafavorshme, komuniteti çam ka ditur të ruajë kohezionin, të konservojë e zhvillojë më tej tiparet dhe veçoritë etno-kulturore, trashëgiminë e pasur shpirtërore, duke kultivuar tek gjeneratat e reja ndjenjën e krenarisë së ligjshme për krahinën e origjinës.
Nga anketimi i popullsisë dëshmohet në mënyrë unanime se familjet çame janë pritur dhe trajtuar mirë nga popullsia vendase. Si rezultat i bashkëjetesës për një kohë të gjatë në një regjion gjeografik, janë vendosur relacione të natyrshme materiale e shpirtërore të popullsisë të imigruar dhe asaj vendase. Një aspekt i rëndësishëm i këtyre relacioneve janë edhe lidhjet martesore. Mjaft të rinj nga komuniteti çam janë martuar me vajza dhe djem nga familje vendase.
 Këto dukuri socio-demografike janë fenomene të natyrshme që burojnë nga afërsia e mënyrës tradicionale të jetesës, afërsia e vlerave morale, kulturore e shpirtërore. Me gjithë procesin e natyrshëm të integrimit, komuniteti çam ruan shumë tipare të identitetit regjional në organizimin e jetës në familje, në pastërtinë shembullore, në kulinarinë origjinale dhe moshat e rritura ruajnë dialektin e tyre. Nga anketimi që i kemi bërë popullsisë së këtij komuniteti, rezulton se jo vetëm në popullsinë e emigruar nga Çamëria, por edhe në gjeneratat e reja është shumë e fuqishme dhe e kultivuar koshienca regjionale. Edhe në familjet ku njëri nga bashkëshortët është vendas, është mjaft evident ndjesia për të njohur krahinën e Çamërisë, dëshira për ta vizituar atë dhe për të banuar dhe jetuar në këtë krahinë në rrethanat e pritshme të riatdhesimit të komunitetit çam. Në këtë proces rol të rëndësishëm edukativ ka luajtur familja dhe mjedisi social, të cilët në mënyrë permanente kanë kultivuar tek gjeneratat e reja trashëgiminë materialo-shpirtërore të këtij komuniteti.
Në këtë mjedis është mbajtur i ndezur dhe është transmetuar në gjenerata të reja jo vetëm trashëgimia historike-kulturore, por edhe pronësore e popullsisë së këtij komuniteti. Në shumë familje ruhen dokumentet e pronësisë mbi tokën arë, ullishtat, vreshtat, kullotat, shtëpitë, punishtet dhe fabrikat e vajit, të artizanatit, dyqanet e tregtimit dhe shërbimit publik etj. Pjesë e rëndësishme e kujtesës historike janë edhe njohuritë që kanë gjeneratat e reja për vendbanimet urbane dhe rurale të Çamërisë, monumentet natyrore dhe kulturore, objektet e kultit dhe pasuritë e tjera etnologjike të kësaj krahine.

* * *
Koshienca dhe identiteti regjional, kohezioni rreth çështjes çame u demonstrua me forcën e duhur në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, ku me votën plebishitare komuniteti çam përcolli verdiktin e tij për përfaqësimin në strukturat më të larta të shtetit shqiptar. Kjo fitore është shumë e rëndësishme, sepse ofron mundësinë që të përkujtohen institucionet e Shqipërisë, se në qëndrimin ndaj çështjes çame provohet sot jo vetëm përkushtimi i shtetit shqiptar ndaj kësaj çështjeje, por edhe dinjiteti i këtij shteti.
Për shkak të ndjenjave që në mënyrë të pashmangshme prodhon në vetëdijen kombëtare, para së gjithash për arsye të padrejtësisë së madhe historike, çështja çame pas kësaj ngjarjeje mund dhe duhet të jetë preokupimi i vazhdueshëm politik dhe diplomatik i shtetit shqiptar. Në këtë mënyrë të bëhet edhe çështje me të cilën të merren edhe institucionet ndërkombëtare, deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.
 Parashtrimi i çështjes çame duhet bërë nga populli shqiptar, nga shteti shqiptar, nga diaspora shqiptare. Për këtë qëllim para së gjithash parashtrimi kërkohet pashtrimi shkencor i problemit, për të njohur historinë, shtrirjen gjeografike të këtij regjioni shqiptar, traditat, psikologjinë, besimet fetare, si dhe aspiratat e tij për liri dhe të drejtat pronësore dhe njerëzore.
 Me këto zhvillime politike përcillet një mesazh i rëndësishëm edhe për shtetin grek, i cili duhet të përkujtohet se çështja e pazgjidhur çame nuk është “çështje e paqenë”, por çështje ekzistuese e të drejtës natyrore kombëtare e historike. Kjo çështje iu përket jo vetëm çamëve, domethënë atyre që vazhdojnë t’i durojnë pasojat e të qenurit refugjat në tokën amë, por edhe atyre që janë shkaktarë të kësaj tragjedie, domethënë shtetit grek.
Rendi i ri global mbështetet në shoqërinë demokratike pluraliste, ekonominë e tregut dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Një nga karakteristikat kryesore të globalizimit është lëvizja e lirë migruese e popullsisë. Përveç faktorëve ekonomikë, njerëzit emigrojnë edhe për shkaqe politike, historike, kombëtare, religjioze etj. Në këtë realitet global, duke qenë dy popuj fqinjë, të cilët shpesh kanë pasur të njëjtin fat historik, me lidhje të vjetra dhe të reja kulturore e obligon shtetin grek që të bëjë katarsisin, të njohë genocidin që është ushtruar mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë dhe të pranojë zgjidhjen e kësaj çështjeje. Heshtja ndaj këtij problemi përbën një pengesë në miqësinë e vërtetë të tyre me shqiptarët, mbi të cilën duhet të ndërtohet e sotmja dhe e ardhmja.
 Duke u bërë faktor në parlamentin shqiptar, krijohet mundësia që çështja çame të faktorizohet edhe në institucionet ndërkombëtare, e në radhë të parë në ato amerikane dhe europiane, të cilët do të ndërgjegjësohen se në çështjen shqiptare, si çështje më e rëndë kombëtare ballkanike, bën pjesë edhe një padrejtësi e madhe që quhet çështje çame.

*  *  *
Shtetet e mëdha të Bashkimit Europian janë ata që dikur ishin faktorë në padrejtësinë shqiptare, duke përfshirë edhe tragjedinë çame. Në këtë fillim të shekullit të ri ato kanë obligimin moral që të jenë faktorë në zgjidhjen e kësaj padrejtësie.
 Mbështetja që Fuqitë e Mëdha i dhanë çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, dëshmojnë se më në fund janë bindur se nuk mund të krijohet rend drejtësie, humanizmi dhe paqeje të qëndrueshme në Ballkan pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, duke përfshirë edhe zgjidhjen e çështjes çame.
Ne synojmë miqësi dhe bashkëpunim me popujt dhe shtetet fqinjë, synojmë integrim, por kjo nuk do të thotë se duhet bërë në kurriz të popullit shqiptar. Në botën e integruar shqiptarët do të dinë të ruajnë gjuhën, traditat, kulturën e tyre etj.
Para disa vitesh akademiku Artan Fuga, në librin e tij “Shoqëria periferike”, ka ngritur shqetësimin se në kushtet e globalizimit dhe integrimit europian, ne duhet të përballojmë edhe problemin e fragmentarizmit të periferive tona territoriale, politike, kulturore dhe ekonomike që kanë të bëjnë rëndshëm me unitetin kombëtar të vendit. Në këto rrethana për të mbajtur të pacenuar unitetin kombëtar përballë reminishencave nacionaliste në Ballkan, por edhe të “betejave” globaliste, çështja Çame duhet trajtuar jo vetëm si strategji dhe aspiratë kombëtare, por si një problem që kërkon zgjidhje imediate.

*Autori është pedagog pranë Departamentit të Gjeografisë të UT-së. Ka botuar dy monografi dhe disa artikuj shkencorë e publicistikë për Çamërinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›