E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec, bashkia në gjyq për 300 ha

 

POGRADEC/ JORGJETA GJANÇI

Bashkia e Pogradecit në gjyq për 300 hektarë të Komunës Buçimas. Prej vitesh, dy institucionet vendore janë në konflikt mbi administrimin e kësaj sipërfaqeje që nuk po gjen zgjidhje. Ndonëse territori i përket ligjërisht komunës, bashkia po e shfrytëzon, duke dhënë leje ndërtimesh e duke mbledhur taksat e tarifat mbi një tokë që dhe pse është arë, e paraqet si truall.
Roshi Tollozhina, me profesion jurist, është zgjedhur kryetar i Komunës Buçimas në zgjedhjet e fundit të pushtetit vendor. Menjëherë sapo mori detyrën kërkoi që me dokumente ligjore të mësonte se cili ishte territori i komunës që ai do të drejtonte, por edhe tani, pas mëse dy vjetësh ai nuk ka siguruar një dokument të tillë. Konfliktin e krijuar është përpjekur ta zgjidhë me bashkinë, por është përballur me një indiferencë totale. Në mënyrë të përsëritur ka kërkuar edhe ndërmjetësimin e Këshillit të Qarkut e Prefekturës së Korçës, po edhe këta nuk kanë zbatuar ligjin për të saktësuar vijën ndarëse mes komunës dhe bashkisë.
Shpreheni se nuk e dini zyrtarisht se ku mbaron qyteti i Pogradecit e ku fillon komuna e Buçimasit, gjë që ju ka krijuar konflikt. Kur e konstatuat këtë problem?
Këtë problem e njihja disa vite para se të zgjidhesha kryetar komune, sepse isha anëtar i këshillit komunar. Shihja që me leje ndërtimi të lëshuara nga Bashkia vinin e ndërtonin në tokat tona buzë liqenit, dëgjoja se taksat e tarifat, gjithë bizneset që zhvillojnë aktivitetin e tyre afër liqenit i derdhnin në Bashkinë e Pogradecit. Kur u zgjodha kryetar komune studiova në fillim gjendjen. Kërkova një vendim qeverie apo parlamenti që të përcaktonte vijën ndarëse të komunës që drejtoj me Bashkinë. Iu drejtova me shkresë zyrtare Bashkisë Pogradec, Këshillit të Qarkut, Prefekturës së Korçës, Ministrisë së Pushtetit Vendor e deri edhe Qeverisë, po asnjë nga këto organizma nuk më ktheu përgjigje. Për pasojë edhe sot nuk kam një dokument zyrtar juridik që të më përcaktojë kufirin territorial të komunës Buçimas.
Pretendoni se në tokat që bëjnë pjesë në komunë, bashkia administron padrejtësisht të ardhurat. Vazhdon edhe sot kjo situatë?
Sigurisht që vazhdon. Bashkia ka uzurpuar rreth 300 ha toka arë të komunës, të cilat i trajton si tokë truall pa qenë të tilla dhe jep leje ndërtimi për ngritje pallatesh, vilash, lokalesh, etj. Këtu përfshihen edhe territoret e rezidencave qeveritare, ish-tokat e NB-së Pogradec, një pjesë e tokave arë të ish-kooperativës së Goricës, të cilat në bazë të dokumenteve që ne disponojmë i përkasin Komunës së Buçimasit. KRRT-ja e Bashkisë nuk ka ndonjë dokument që vërteton se këto toka janë kthyer nga tokë arë në truall, e megjithatë vazhdon të japë leje ndërtimi pafund. Ka ardhur koha që për këto veprime dikush të mbajë përgjegjësi.
Ku shtrihen këto territore?
Ato shtrihen në pjesën më të lakmuar të tokave të komunës sonë, buzë liqenit të Ohrit dhe në hyrje të qytetit të Pogradecit, pikërisht nën dhe mbi “Varrezat e Dëshmorëve”. Tokat buzë liqenit janë tradicionalisht toka të Starovës, kanë qenë pronë e bejlerëve të këtij fshati, që u kthyen pas viteve ’90. Tokat e tjera të Starovës ishin tokë arë dhe u ndanë për banorët e saj në zbatim të ligjit 7501. Duke e ditur që tokat pranë liqenit ishin të ish-bejlerëve të këtij fshati nuk u ndanë për fshatarët. Një pjesë e trashëgimtarëve të bejlerëve jetonin në Pogradec dhe kur filluan të administrojnë pronat e tyre, duke qenë banorë me pasaportizim në qytet gjithë veprimet e tyre i kryenin pranë bashkisë. Ishte ky elementi i parë që u shfrytëzua nga drejtuesit e bashkisë, për të zgjeruar territorin e saj në kurriz të Komunës Buçimas. Më pas, bashkia shfrytëzoi një ndarje elektorale që i përfshiu një pjesë të banorëve të Starovës të votonin në njësinë vendore të bashkisë. Kjo gjë u shfrytëzua nga bashkia që pa ndonjë vendim juridik ta marrë zonën bregliqenore në territorin e saj. Ish-drejtuesit e Komunës së Buçimasit kanë qenë indiferentë ndaj këtyre qëndrimeve, në të njëjtën kohë që bashkia kishte një uri për zgjeruar territorin e saj, gjë që u mbështet edhe nga qeveria socialiste.
Për këto problem kini biseduar me kryetarin e Bashkisë Artan Shkëmbi?
I kam kërkuar takim, por asnjëherë nuk ka pranuar të bisedojë mbi vijën ndarëse mes dy qendrave tona administrative. Kam kërkuar ta realizonim këtë takim kryetarit të Qarkut dhe prefektes, të cilët e kanë detyrim ligjor qartësimin e vijës ndarëse të qendrave administrative, por edhe këta nuk ndërmorën asnjë veprim. Ndoshta unë mund ta kem gabim, por le të më japin një dokument a vendim zyrtar ku të shkruhet e zeza mbi të bardhë se komunës Buçimas i janë hequr këto territore dhe i janë kaluar Bashkisë së Pogradecit, që unë të qartësohem dhe të vazhdoj i qetë punën në pjesën që më takon. Aktualisht edhe banorët e këtyre territoreve janë të çorientuar e nuk dinë se ku të drejtohen për të zgjidhur problemet e hallet që kanë, në bashki apo në komunë.
Sa interes ka Bashkia e Pogradecit në këtë mes?
Ka interes tek të ardhurat që siguron nga kjo zonë me aktivitet të madh biznesi dhe zhvillimi. Vetëm nga taksa e përqindjes së legalizimit të 600–700 ndërtimeve pa leje në këto zona ka siguruar mëse 1 miliard lekë dhe kësaj shifre duhet t’i shtosh edhe qindra milionë të tjera të vjela si taksa e detyrime të ndryshme nga bizneset. Dua ta them publikisht që ky territor është një minierë ari për bashkinë, në të njëjtën kohë që investimet e saj në këtë territor janë zero.
Mbi ndarjen territoriale mes jush ka dokumente në Institutin e Projektimeve në Tiranë?
Shkuam edhe aty dhe mësuam se vija e verdhë e Pogradecit është zgjeruar së fundi në vitin 1984. Ekzistonte edhe një kërkesë e vitit 1996 për një zgjerim të ri të kësaj vije të verdhë, por që nuk ishte miratuar asnjëherë nga Parlamenti. Pra, kjo kërkesë kurrsesi nuk duhet të trajtohet e barasvlershme me një vendim të Parlamentit që rezulton i pa marrë.
Po KRRTRSH-ja ka proceduar mbi këtë ndryshim të vijës së verdhë të qytetit?
Nuk kemi gjetur ndonjë dokument zyrtar, në këto kushte zyrtarisht këto territore që vazhdojnë të emërtohen tokë-arë, janë pjesë e komunës sonë. Edhe KRRT e Bashkisë Pogradec, kur jep vendime për leje ndërtimi në këto territore shkruan tokë-arë dhe mbi to jep leje ndërtimi, duke shkelur kështu hapur ligjet e shtetit.
U shprehët se Bashkia është mbështetur nga qeveria socialiste. Çfarë kishit parasysh?
Në maj të vitit 2005, pikërisht në fund të mandatit të vet qeverisës, ish-kryeministri Fatos Nano mori pjesë në një mbledhje të KRRT-së së Bashkisë Pogradec, ku u miratua plani i përgjithshëm rregullues i këtij qyteti. Po ky vendim asnjëherë nuk u zbardh nga kryeministri pasardhës Berisha, e për pasojë edhe nga KRRTRSH-ja. Kjo e fundit edhe tani pas 4 vjetësh nuk e ka shqyrtuar këtë vendim të KRRT-së të Bashkisë Pogradec, për pasojë as sot ky qytet nuk ka një plan rregullues të vendosur. Në këto rrethana kjo bashki punon pa plan rregullues.
Cili ka qenë qëndrimi i zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Pogradec për këtë konflikt?
Edhe drejtuesit e kësaj zyre janë bërë palë me bashkinë. Regjistrojnë pasuritë dhe japin certifikata pronësie të titulluara “Bashkia Pogradec”.
Mendoni se i kini konsumuar të gjitha rrugët administrative për zgjidhjen e këtij konflikti?
Mendoj se po. Tani jam duke përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për të paditur Bashkinë Pogradec për konflikt kompetencash. Do të kërkoj edhe kthimin e të ardhurave që Bashkia ka përfituar padrejtësisht gjatë këtyre viteve në territorin e komunës sonë.

Komuna, me një masterplan
Sipas kryekomunarit Tollozhina, nëse kjo hapësirë do të ishte nën administrim të komunës Buçimas, nuk do të ishin lejuar gjithë ato ndërtime pa leje, pa kriter e pa asnjë lloj studimi urbanistik. “Komuna jonë përveç atyre territoreve ku ka ndërhyrë Bashkia ka edhe 80 ha të tjera bregliqenore. Për to kemi miratuar detyrën e projektimit e masterplanin e zonës në KRRT–në e komunës. Këto u miratuan edhe në KRRT-në e Këshillit të Qarkut dhe janë protokolluar për t’u miratuar në KRRTRSH. Kështu ne nuk lejuam të abuzohet me studime pjesore, të cilat kanë sjellë kaos në ndërtimet e reja”. Ai thekson se ky masterplan është përgatitur nga disa studio në Tiranë dhe ka të fiksuar të gjitha parametrat e zhvillimit bashkëkohor të zonës bregliqenore. Kryetari i komunës thotë se dhe banorët apo bizneset kërkojnë që kjo sipërfaqe të jetë pjesë e Buçimasit, pasi dhe detyrimet i shlyejnë më pak sesa tani që ua merr bashkia.

“Dokumentet ligjore, pro komunës”
Juristi i komunës, Gentian Mahmutaj, pohon se janë verifikuar të gjitha dokumentet ligjore. Por, sipas tij, edhe pse prej vitit 1996 është bërë kërkesa e Bashkisë së Pogradecit për të zgjeruar vijën e verdhë, kjo nuk është bërë realitet asnjëherë me dokumente. “Bashkia Pogradec pretendon se disponon një vendim zyrtar, që asnjëherë nuk ka pranuar të na e vërë në dispozicion. Mbi këtë pretendim ka dhënë dhe jep leje ndërtimi, vjel detyrimet dhe përqindjet e legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Meqë deri më sot nuk kemi asnjë dokument për të justifikuar veprimet e bashkisë, ne si komunë do t’u drejtohemi organeve gjyqësore, seksionit administrativ të Gjykatës për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave. Ne kemi dokumente të plota që vërtetojnë se territoret në konflikt i përkasin Komunës së Buçimasit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›